Sindroma e transfuzionit feto-fetal(Twin-Twin Transfusion Syndrome – TTTS)

Çfarë është?


TTTS është një komplikacion që prek shtatzanitë me binjakë (ose trinjakë etj) identikë.

Këto lloj binjakësh quhen monokorialë dhe ndajnë të njëjtën placentë. Normalisht përmes placentës, gjaku i pasur në oksigjen dhe lëndë ushqyese kalon përmes kordonit ombilial tek fetusi. Dhe në të kundërt, gjaku që përmban dioksidin e karbonit dhe lëndët e panevojshme dhe toksike largohet nga fetusi përmes kordonit ombilikal drejt placentës. Në një pjesë të binjakëve monokorialë, kemi komunikim midis enëve të gjakut në placentë që u përkasin fetuseve të ndryshme. Këto quhen anastomoza. Në këtë mënyrë kemi një komunikim të qarkullimit të gjakut mes dy binjakëve. Ndonjëherë enët e gjakut në plaventë nuk janë të shpërndara në mënyrë të barabartë duke sjellë një pabarazi në furnizimin me gjak nga mitra drejt fetuseve. Zakonisht komunikimi i gjakut mes binjakëve është i ekuilibruar, por në disa raste mund të jetë jo i ekuilibruar.

TTTS përkufizohet si transfuzioni i gjakut nga njeri binjak (donori) tek tjetri (recipienti) përmes anastomozave (komunikimeve) jo normale që ekzistojnë në plaçentën e përbashkët. Si pasojë e këtij fenomeni donori bëhet anemik, hipovolemik, shfaq vonesë në rritje (IUGR) e për rjedhojë oligoamnios (pakësim të likdit amniotik). Recipienti nga ana e tij bëhet hipervolemik dhe në përpjekje për të ruajtur hemodinamikën (qarkullimin normal të gjakut), shton diurezën. Rezultati është shfaqja e polihidramniosit, policitemisë dhe hidropsit fetal në rastet më ekstreme. Polihidramniosi i recipientit shtyp donorin dhe vaskularizimin e tij duke çuar në një furnizim gjithnjë e më të reduktuar me gjak. Përsëritja në kohë e këtij rrethi vicioz bën që membrana amniotike të zhvendoset deri në fiksimin total të donorit në paretin uterin. Donori në këtë stad final të TTTS quhet ndryshe dhe stuck-twin.

A ndodh në të gjitha shtatzanitë binjake?


Jo! TTTS mund të ndodhë vetëm në rastet e shtatzanive binjake me placentë të përbashkët (monokoriale, binjakët identikë). Pra nuk dodh në rastet e shtatzanive me binjakë (ose trinjakë) që nuk janë identikë. Edhe në rastin e binjakëve identikë, TTTS shfaqet vetëm në 10 – 15 % të rasteve.

Si dallohet?


Diagnoza vihet gjatë ekzaminimit ekografik në dinamikë gjatë shtatzanisë.

Cilat janë rreziqet që paraqet TTTS?


E patrajtuar, TTTS e rëndë (pra e një stadi të avancuar) mund të jetë fatele deri në 90 % të rasteve, dhe në rastet e atyre që mbijetojnë kemi një rrezik 15 – 20 % të dëmtimeve neurologjike. Por nqs trajtohet në qendra të specializuara, të gjitha këto rreziqe mund të anashkalohen në shumicën e rasteve duke rezultuar në një reduktim të ndjeshëm të fatalitetit dhe rrezikut për dëmtime neurologjike të fetuseve.

Categories : Blogu i shtatzanisë
error: Content is protected !!