Hy-Co-Sy

Hy-Co-Sy

Disfunksioni i organeve genitale të femrës mund të takohet deri në 40% të rasteve me infertilitet. Kohët e fundit HyCoSy, është duke zëvendësuar HSG në kontrollin e kavitetit të mitrës dhe tubave të Fallopit.

Çfarë është HyCoSy?


HyCoSy është shkurtim për Hysterosalpingo-Contrast-Sonography. Është një procedurë e shpejtë dhe pa ndonjë diskonfort tek pacientja. Kjo procedurë rekomandohet në rastet me infertilitet për të vlerësuar kavitetin e mitrës dhe kalueshmërinë e tubave të Fallopit. Në rast se kemi probleme me kavitetin e mitrës (anomali të lindura të mitrës, polipe, mioma submukoze) ose dëmtim të kalueshmërisë së tubave atëherë kjo mund të shpejgojë edhe arsyen e infertilitetit. I pari që vlerësohet është kaviteti i mitrës. Një lëndë kontrasti injektohet në brendësi të kavitetit dhe më pas përhapja e tij, fillimisht  në brendësi të kavitetit të mitrës dhe më pas drejt tubave të Fallopit na jep infomacion mbi formën e kavitetit të mitrës dhe kalueshmërinë e tubave.

Kur mund të kryhet?


HyCoSy është mirë të kryhet pas mbarimit të menstruacioneve dhe përpara dritares fertile. Intervali më i mirë është nga dita 8 në ditën 12 të ciklit menstrual (ku dita 1 do të quhet dita e ardhjes së menstruacioneve).

A ka nevojë për ndonjë qetësues?


Niveli i dhimbjes gjatë HyCoSy është i ndryshëm. Në shumicën e rasteve diskonforti që ndjen pacientja është ai dhimbjeve menstruale. Marrja e një paracetamoli apo ibuprofeni 30 – 60 minuta përpara ndihmon shumë në reduktimin e diskonfortit gjatë parocedurës. Nuk ka nevojë aspak për anestezi.

Ku kryhet?


HyCoSy kryhet në dhomën e ekografisë.

Si kryhet?


Fillimisht vendoset një spekulum vaginal për të evidentuar qafën e mitrës dhe më pas kanalizohet kanali cervikal me anë të një kateteri të holle plastik. Më pas, nën drejtimin e ekografisë, injektohet një sasi saline (serum fiziologjik) në brendësi të kavitetit uterin. Në këtë mënyrë kaviteti distendohet dhe vë në dukje cdo defekt të mundshëm (anomali, polip, sineki apo mioma submukoze). Pas kësaj, ndërkohë që kontrasti (saline) vazhdon të injektohet, drejtohet sonda lateralisht duke u përpjekur për të parë kalueshmërinë e tij nëpër tubat e Fallopit.

HSG apo HyCoSy?


HyCoSy është njësoj e vlefshme në vlerësimin e tubave sa edhe HSG.

HSG vazhdon të mbetet teknika më e përdorur nga shumica e gjinekologëve në vlerësimin e tubave të fallopit. Për fat të keq, shumë paciente ndjejnë dhimbje gjatë procedurës dhe kjo në shumicën e rasteve është e lidhur me operatorin (mosdhënia e qetësuesve apo edhe defektet e kryerjes së teknikës).

Video HyCoSy

HyCoSy shkakton më pak diskonfort, kjo edhe sepse instrumentat që përdoren janë plastikë dhe jo metalikë si në rastin e HSG. Në rastin e HyCoSy, kontrasti i përdorur është saline (serum fiziologjik) që është inert me organizmin, ndërkohë që në disa raste kontrasti i HSG mund të shkaktojë dhimbje për shkak të irritimit peritoneal. Një tjetër avantazh i HyCoSy është se ajo kryhet nën drejtimin e ekografisë e cila sic e dimë nuk përdor rrezatim për të përftuar imazhet, ndërkohë që hsg përdor rreze X për të përftuar imazhet e saj.

error: Content is protected !!