MiomatFibroidet, leiomiomat, fibromat

Miomat

Miomat janë tumore të cilat rriten në brendësi të murit të uterusit (mitrës). Miomat njihen edhe me sinonime të tjera si psh leiomioma, fibromioma, fibroma, noduse ose fibroide. Në të gjitha rastet kemi të bëjme me tumore beninje; pra nuk janë kanceroze. Dimensionet e tyre variojnë nga 1 cm deri në 10-15 cm diametër (miomat gjigande). Në mitër mund të rriten një ose disa mioma njëherësh.

Çfarë duhet të dinë femrat për miomat?

Rreth 20-40% e femrave bëjnë mioma. Më të shpeshta ato janë në femrat 40-50 vjecare. Jo të gjitha femrat me fibroma kanë simptoma. Në rastet simptomatike pacientet ankojnë për hemorragji të shtuar gjatë menstruacioneve ose menstruacione të zgjatura në kohë dhe të shoqëruara me dhimbje në fund të barkut. Nqs fibromat rriten në dimensione dhe ushtrojnë presion mbi organet fqinje si vezikë urinare apo rectum, ato shkaktojnë urinime të shpeshta dhe ndjenjë presioni mbi rectum. Kur arrijnë dimensione gjigande atom und të rriten deri në ombilik apo stomak duke i dhënë barkut formën që merr gjatë shtatzanisë.

Pse shfaqen fibromat?

Ende nuk ka një teori që të shpjegojë qartësisht pse formohen miomat. Mendohet se në themel është bashkëveprimi i disa faktorëve, ku më të përmendurit janë niveli i lartë i estrogjenëvë dhe progesteronit dhe trashëgimnia gjenetike.

Për shkak të ndikimit hormonal (estrogjen dhe progesterone) miomat rriten gjatë shtatzanisë (gjatë së cilës dihet që hormonet rriten në nivele të larta). Kur ndikimi hormonal zhduket, si në menopauzë ose kur përdorim terapi anti-hormonale, miomat reduktohen në vëllim (por nuk zhduken!).

Ka disa faktorë që rrisin rrezikun që një femër të ketë mioma.

  • Mosha. Miomat janë shumë të shpeshta në moshat 30-50 vjecare. Pas menopauzës, ato reduktohen në dimensione por nuk zhduken.
  • Historia familjare. Të paturit e një pjestareje të familjes me mioma e rrit shumë rrezikun që një femër të bëjë mioma. Nqs mamaja ka mioma, atëherë edhe vajza e saj ka një rrezik 3 herë më të lartë se sa mesatarja për të patur edhe ajo mioma.
  • Obeziteti. Femrat mbi peshë kanë një rrezik më të lartë se mesatarja për të zhvilluar mioma. Ky rrezik mund të rritet 2 deri 3 herë më shumë se mesatarja.
  • Ushqimi. Konsumi i tepruar i mishit të viçit shoqërohet me rritje të rrezikut për shfaqje të fibromiomave. Përkundrazi, dieta e pasur me perime ka një efekt mbrojtës në këtë drejtim.

Ku rriten miomat?

Shumica e fibromiomave rriten në murin e mitrës (miometër). Në varësi të lokalizimit miomat klasifikohen në:

  • Submukozale – këto mioma rriten (pjesërisht ose totalisht) në brendësi të kaviteti uterin.
  • Intramurale – këto mioma rriten totalisht në brendësi të murit të mitrës.
  • Subserozale – këto mioma rriten në anën e jashtme të murit të mitrës.

Disa mioma rriten duke patur një pedunkul (këmbëz) që e lidh me murin e jashtëm ose me murin e brendshëm të mitrës. Këto mioma quhen mioma të pedunkuluara.

Çfarë mund të shkaktojnë miomat?

Shumica e miomave nuk shfaqin asnjë shenjë. Megjithatë një pjesë e mirë e femrave me mioma mund të ankojnë për”

  • Hemorragji menstruale anormale me kohëzgjatje dhe fluks të lartë dhe / ose me koagula. Në disa raste pacientja e ka të pamundur të përcaktojë fillimin apo mbarimin e menstruacioneve pasi hemorragjia vazhdon me javë. Në këto raste pacientja rrezikon të kalojnë në anemi.
  • Dhimbje gjatë menstruacioneve (dismenorrea), të cilën pacientja nuk e ka përjetuar më parë.
  • Zmadhim të pjesës fundore të barkut.
  • Urinim të shpeshtë.
  • Dhimbje gjatë kontaktit seksual (dispareunia).
  • Dhimbje në fund të shpinës.
  • Komplikacione gjatë shtatzanisë apo lindjes (aborte, lindje para kohe ose lindje të parakohëshme.
  • Infertlitet

A mund të shndërrohen miomat në kancer?

Miomat janë në shumicën dërrmuese tumore beninje (pra jo kanceroze). Shumë rrallë (1/1000 apo 1/10000), ato mund të shndërrohen në kancer dhe në këto raste ato quhen leiomiosarkoma.

Miomat nuk rrisin rrezikun për kancer në endometër, ovare apo në qafën e mitrës.

Çfarë ndodh me miomat gjatë shtatzanisë?

Femrat shtatzana të cilat njëkohësisht kanë edhe mioma mund të kenë probleme gjatë shtatzanisë apo lindjes. Ndër komplikacionet më të mundshme përmendim:

  • Lindje me operacion cezarian është 6 herë më e shpeshtë në rastin kur shtatzana ka edhe mioma.
  • Paraqitje pelvike ose podalike e bebit (bebi nuk është I paraqitur mirë për lindjen natyrale).
  • Mungesë të progresionit të lindjes.
  • Distako apo shkolitje të placentës – placenta shkëputet nga muri i mitrës përpara lindjes. kur kjo ndodh bebi rrezikohet nga asfiksia ndërkohë që nëna rrezikon nga hemorragjia retro-placentare.
  • Lindje para kohe e bebit.

Megjithatë shumica e pacienteve që kanë mioma nuk përjetojnë ndonjë nga komplikacionet e sipërmendura.

Si mund të zbulohen miomat?

Miomat mund të zbulohen gjatë ekzaminimeve gjinekologjike të rutinës. Femrat duhet të kryejnë ekzaminime rutinë cdo 12 muaj. Në këto ekzaminime rutinë të sferës gjinekologjike përfshihen ekzaminimi bimanual, Pap-Testi dhe ekografia transvaginale.

Miomat mund të zbulohen përmes ekzaminimit bimanual dhe ekografisë bimanuale. Ekografia transvaginale dhe ekzaminimi pelvic bimanual janë ekzaminime pa dhimbje. Në fund të ekzaminimit mjeku do të shprehet për miomën apo miomat (nqs janë më shumë se një) duke e vlerësuar diametrin e tyre në cm ose duke e krahasuar me ndonjë portokalle apo top. Këto krahasime kanë për qëllim të bëjnë më të kuptueshëm diemensionet reale të miomës tek pacientja. Në raste të rralla, gjinekologu mund të kërkojë një ekzaminim me skaner (tomografi) ose rezonancë (MRI) për të diferencuar më qartë miomën nga patologji të tjera ose për të parë më qartë raportet e miomës me mitrën dhe me organet fqinje.

Çfarë pyetjesh duhet të bëjë pacientja kur ka një miomë?

  • Sa mioma kam?
  • Çfarë dimensionesh ka mioma?
  • Ku lokalizohet mioma?
  • A do të zmadhohet mioma?
  • Sa shpejt janë rritur miomat?
  • A do të vazhdojnë të rriten?
  • Çfarë problemesh mund të shkaktojë mioma?
  • Cfarë ekzaminimesh duhet të kryhen për të ndjekur rritjen apo jo të miomës (miomave)?
  • Cilat janë alternativat e mundshme për mjekim?

Si trajtohen miomat?

Pacientet me mioma të cilat nuk kanë ankesa apo simptoma zakonisht nuk meritojnë trajtim, përvecse monitorizimit cdo 6 – 12 muaj me ekografi. Në rastet kur pacientet kanë simptoma (hemorragji, anemi apo kur mendohet qe miomat mund të japin infertilitet) trajtimi është i nevojshëm.

Përpara se të diskutohen alternativat e mjekimit, mjeku duhet të bisedojë me pacienten lidhur me dimensionet e miomës (miomave), lokalizimin, dëshirën për shtatzani etj. Pasi ka marrë një informacion të plotë, mjeku gjinekolog do të propozojë një nga trajtimet e mëposhtme:

Trajtimi medikamentoz (me ilace)

Ky trajtim përdoret për rastet me mioma të vogla dhe që nuk shfaqin ndonjë simptomë serioze (hemorragji, infertilitet apo dhimbje pelvike akute). Ndër medikamentet e dobishme përmendim:

  • Ibuprofenin
  • Paracetamolin
  • Kontraceptivet
  • GnRH agonistet (këta përdoren edhe si mjekim që paraprin trajtimin kirurgjikal).

Megjithatë këto mjekime janë vetëm simptomatike dhe nuk trajtojnë shkakun (miomën) por vetëm lehtësojnë ato që ajo mund të shkaktojë ajo. Efektet e tyre janë të kufizuara në kohë.

Trajtimi kirurgjikal

Ky trajtim nevojitet kur miomat shfaqin simptoma (dhimbje, hemorragji apo infertilitet). Këtu përmendim:

  1. Miomektomia (heqja e miomës) – Ky lloj operacioni presupozon vetëm heqjen e miomës dhe ruajtjen e mitrës si organ për arsye të ruajtjes së fertilitetit ose feminilitetit. Në rast të një shtatzanie pas miomektomisë, është mirë që lindja të bëhet me operacion cezarian. Miomektomia mund të kryhet përmes kirurgjisë së hapur (mënyra e vjetër; me hapje të barkut) ose me kirurgji të mbyllur (laparoskopi dhe histeroskopi, pa qenë e nevojshme të hapet barku). Laparoskopia dhe histeroskopia janë metodat që personalisht preferohen gjithnje e më shumë. Megjithatë jo cdo miomë mund të hiqet me laparoskopi apo histeroskopi. Do të ketë gjithnjë raste, pavarësisht se gjithnjë e më pak, që mioma do të kërkojë patjetër kirurgji të hapur. Kuptohet që cdo miomektomia si cdo operacionn ka edhe rreziqet e saj.
  2. Histerektomia – Heqja e mitrës. Miomat janë indikacioni më i shpeshtë për histerektominë. Kjo teknikë rezervohet në rastin kur miomat janë të mëdha, nqs shoqërohen me hemorragji uterine anormale, pacientja është afër ose në menopauzë ose kur nuk kërkon më të ketë fëmijë. Edhe në rastin e histerektomisë tashmë preferohen teknikat laparoskopike kundrejt teknikave kirurgjikale me hapje të barkut. Nqs femra është në moshë < 45 vjece, kur ovaret duken normale ato ruhen dhe nuk është e nevojshme të hiqen gjatë kirurgjisë.
  3. Embolizimi i miomave ose embolizimi i arterieve uterine. Këto janë teknika modern që kryhen nën drejtimin e radiologjisë invasive. Përmes një kateteri embolizohet (bllokohet) arteria që ushqen miomën ose edhe arteria uterine. Megjithatë jo të gjitha miomat mund të trajtohen në këtë mënyrë.
error: Content is protected !!