Historia e Fertilizimit In Vitro

Historia e Fertilizimit In Vitro

Në orën 11:47 të datës 25 korrik 1978, në Royal Oldham Hospital të Londrës, lindi përmes operacionit çezarian Luise Brown. Ajo peshonte 2608 gr në momentin e lindjes dhe, pavarësisht se dukej njësoj si të porsalindurit e tjerë ishte disi “ndryshe” nga ato. Ajo ishte konceptuar mbrëmjen vonë të datës 12 nëntor 1977 në laborator në një pjatë petri. Luiza hyri kështu në histori si njeriu i parë që konceptohet në kushte laboratorike përmes teknikës së Fertilizimit In Vitro.

Kjo arritje u bë e mundur nga puna e palodhur në ekip e Patrick Steptoe (mjek obstetër-gjinekolog), Robert Edwards (biolog, fiziolog) dhe Jean Purdy (infermiere, embriologe). Ata punuan për 12 vite bashkë për të arritur më në fund suksesin. Luise Brown erdhi pas mbi 250 tentativash IVF që ekipi kreu ndër vite në mbi 250 paciente.

Ky ekip vizionarësh u gjend përballë me të gjithë establishmentin e kohës. Sulmet erdhën jo vetëm nga autoritetet fetare por edhe nga ato shkencore dhe mjeksore. Të panumërt ishin profesorët e kohës që i anatemuan apo dhe i tallën. Ndër ata që i sulmuan ishin edhe profesorë të njohur si për shembull James D. Watson, fitues i çmimit Nobel në 1962 për zbulimin e strukturës molekulare helikoide të AND-së. Këshilli për kërkimet mjeksore (Medical Research Council – MRC), një organizatë qeveritare që fillimisht financoi eksperimentet e tyre mbi Fertilizimin In Vitro, i ndërpreu financimet në prill 1971 duke cituar “probleme etike dhe rreziqe të mundshme të lidhura me procedurën”.

Të mbetur pa suport financiar, këta pionerë të mjeksisë ju drejtuan financimeve private duke vazhduar eksperimentet e tyre në një laborator të një spitali të vogël jashtë Mancesterit. E megjithë këto “pengesa” kjo treshe fantastike nuk dyshoi kurrë në bindjen e tyre se fertilizimi përvecse in vivo, mund të kryhej edhe in vitro.

Lajmi i lindjes së Luizës u prit me gëzim nga disa dhe me frikë nga disa të tjerë. Madje pati dhe nga ata që nuk e pritën mirë këtë arritje të shkencës. Skepticizmi duket edhe në faktin se kjo arritje u vlerësua relativisht vonë. Vetëm në vitin 2010, Robert Edwards (i vetmi ende në jetë) u nderua me cmimin Nobel në Mjeksi dhe Fiziologji.

Luise Brown shënoi mbase një nga revolucionet më madhështore në fushën e mjeksisë. Ishte bindja e tyre që u ofroi mundësinë miliona çifteve infertilë të bëhen prindër. Tashmë, pas 42 vitesh më shumë se 8 milionë bebe kanë ardhur në jetë përmes teknikës së Fertilizimit In Vitro.

Megjithatë Fertilizimi In Vitro nuk duhet parë si një ngjarje e lidhur vetëm me ekipin e Patrick Steptoe, Robert Edwards dhe Jean Purdy. Lindja e Luise Brown në 1978 duhet parë si kurorëzimi i një morie përpjekjesh ndër vite të shumë mjekëve dhe embriologëve, të vetëm apo në ekip, të cilët pa dyshim aq kanë dhënë kontributin e tyre që ëndrra e fertilizimit të vezëve në laborator të bëhej realitet. Jo më kot edhe Isac Newton ka thënë “nqs unë kam parë më larg se të tjerët, do të thotë se unë jam ngjitur mbi supet e gjigandëve”.

Në mënyrë kronologjike po pasqyroj më poshtë ngjarjet më të rëndësishme që shërbejnë si gurë kilometrikë në rrugën e gjatë që Fertilizimi In Vitro ka dashur të kalojë për tu kthyer nga imagjinata në realitet.

1890 – Prof. Walter Heape në Universitetin e Cambridge (UK) realizon për jerë të para transplantin e embrioneve nga një mi në një mi tjetër; eksperiment ky që rezultoi me sukses deri në lindje.

1932 – Shumë përpara se të praktikohej nga mjekët dhe embriologët, u botua novela fantastiko-shkencore (për kohën) “ Brave New World” nga Aldous Huxley, në të cilën autori përshkruan në mënyrë shumë realiste (krahasuar me të sotmen) teknikën e Fertilizimit In Vitro ashtu si e njohim ne sot.

1934 – Gregory Pincus (UK) fillon të eksperimentojë mbi fertilizimin in vitro tek minjtë, por përjashtohet nga Universiteti i Harvardit për shkak se eksperimenti I tij u konsideua shumë kontrovers. Bashkëpunëtorja e tij, Miriam Menikin më pas do të pranohej në ekipin e mjekut gjinekolog John Rock në USA.

1948 – Miriam Menken (biologe) dhe John Rock (gjinekolog) në USA, arritën të izolojnë dhe fertilizojnë për herë të parë vezët nga trupi i femrës tek njerëzit. Ata arritën të izolojnë më shumë se 800 ovocite (vezë) tek femrat e operuara (me laparotomi) për arsye të ndryshme, nga të cilat 138 arritën të fertilizohen “in vitro” (në laborator) pas kontaktit me spermatozoidet humane. Ky ishtë momenti i parë kur embrionet humane formoheshin në laborator. Për fat të keq, ky hap gjigand nuk u pasua me transferimin e embrioneve në mitër.

1959 – Min Chueh Chang (USA) për herë të parë realizon me sukses lindjen e minjve të konceptuar në laborator përmes fertilizimit in vitro.

1961 – Palmer (Francë) arrin të realizojë për herë të parë aspirimin e ovociteve (vezëve) përmes laparoskopisë.

1966 – Robert Edwards fillon bashkëpunimin me Patrick Steptoe, një gjinekolog pionier përdorimit të laparoskopisë në gjinekologji.

1972 – Dr. William Sweeney dhe Dr. Landrum B. Shettles në New York kryen fertilizimin In Vitro në çiftin infertil John & Doris Del Zio. Për fat të keq, shefi i pavionit dr. Raymond Vande Wiele me të marrë vesh për procedurën, urdhëroi ndalimin e transfertës së embrioneve në mitrën e pacientes dhe nxjerrjen e embrioneve nga inkubatori duke i shkatërruar kështu ato. Dy vite më vonë spitali përjashton dr. William Sweeney ndërsa çifti në fjalë hodhi në gjyq shefin e pavionit dhe spitalin për këtë mundësi të humbur.

1973 – Ekipi i mjekëve dhe embriologëve nga Monash University (Australi) të drejtuar nga Prof. Carl Wood dhe John Lee arrijnë të realizojnë një shtatzani përmes Fertilizimit In Vitro, e cila për fat të keq përfundoi në abort disa javë pas transfertës së embrioneve.

1976 – Patrick Steptoe dhe Robert Edwards (UK) publikojnë një rast në të cilën embrioni I “krijuar” in vitro (në laborator) pasi u ransferua në mitër rezultoi në shtatzani. Për fat të keq shtatzania ishte ektopike (jashtë mitrës) dhe për këtë qëllim pacientja ju nënshtrua interventit kirurgjikal.

1978 –  Kësaj radhe, tentativa e Patrick Steptoe dhe Robert Edwards rezultoi me sukses në rastin e zonjës Leslie Brown. Pas fertilizimit In Vitro te vezës së zonjës me spermatozoidin e bashkëshortit, rezultoi një embrion i cili pas transfertës dha një shtatzani normale e cila përfundoi me lindjen e bebes së parë në botë përmes kësaj teknike; bebes Luise Brown.

Rruga drejt suksesit nuk ishte e lehtë për Patrick Steptoe dhe Robert Edwards. Ajo ishte një rrugë e vështirë dhe shpesh herë e mbushur me pengesa, dështime dhe akuza false. Por Patrick Steptoe, dhe Robert Edwards, me vizionin e tyre shkencor mbi riprodhimin human treguan se ishin shumë më përpara kohës në të cilën jetuan Besimet fetare, tradita konservatore dhe njohuritë e pakta shkencore mbi riprodhimin ishin burimi më i madh i këtyre pengesave. Patrick Steptoe, Robert Edwards dhe Jean Purdy tashmë kanë vendin e tyre të merituar në histori. Ndërkohë e gjithë elita që doli kundër humbi në harresë.

error: Content is protected !!