Fekondimi In Vitro

Fekondimi In Vitro

Fekondimi in Vitro (ndryshe i njohur si Fertilizimi In Vitro ose shkurt IVF) nënkupton fertilizim (bashkimin) e spermatozoidit dhe vezës (ovocitit) në kushte laboratorike. IVF është pa dyshim trajtimi më madhor dhe më kompleks i infertilitetit. IVF është padyshim një nga shpikjet më të mëdha të shekullit të kaluar. Që nga lindja e parë e një fëmije të konceptuar me anë të një cikli IVF në vitin 1978, më tepër se 8 milionë fëmijë të tjerë kanë ardhur në jetë përmes kësaj teknike.

IVF mund të përdoret për të trajtuar të gjitha llojet e infertilitetit, qoftë atë mashkullor, atë femëror por edhe atë të pashpjegushëm. Në dekadat e fundit IVF ka gjetur përdorim edhe në dy fusha të tjera: në parandalimin e lindjes së fëmijëve me sëmundje gjenetike (PGT) dhe në ruajtjen e fertilitetit për arsye të ndryshme (sociale apo medikale).

Zakonisht një cikël trajtimi IVF përfshin stimulimin ovarian tek femra, aspirimin e ovociteve, depozitimin e spermës nga partneri, fertilizimin e vezëve në laborator nën drejtimin e embriologut, kultivimin e embrioneve në prani të mediumeve special të kulturës dhe transfertën e tyre në mitër në momentin që ekipi mjeksor e shikon të arsyeshëm. Në rast se do të ketë embrione shtesë dhe do të jenë të cilësisë optimale atëherë çifti mund të ketë edhe opsionin për ti ruajtur ato në ngrirje (embryo freezing) për ti përdorur më vonë.

Konsulta paraprake

Konsulta paraprake me specialistin në Mjeksinë Riprodhuese & IVF ka për qëllim hartimin e një plani trrajtimi që do të përshtatej sa më mirë me nevojat e pacientes.

Gjatë konsultës mjeku do të shqyrtojë historinë mjeksore të pacientes dhe partnerit të saj, duke marrë informacionin e duhur mbi shëndetin në përgjithësi dhe atë riprodhues në veçanti, mbi analizat, egzaminimet apo trajtimet e ndryshme të kryera në të kaluarën. Pjesë e konsultës është edhe ekzaminimi gjinekologjik dhe ekografia transvaginale. Në fund, mjeku do të kërkojë kryerjen e analizave të duhura përpara se të fillojnë një cikël IVF. Është shumë e rëndësishme që të diskutoni cdo gje me mjekun specialist, në mënyrë që mos të keni ndonjë paqartësi në fund të trajtimit. Pyetjet lidhur me hapat, kohëzgjatjen, shanset për sukses dhe koston financiare të trajtimit duhet të kryhen sigurisht që në konsultën paraprake.

Një cikël Fertilizimi In Vitro përfshin disa etapa:

  • Stimulimi ovarian
  • Aspirimi i ovociteve
  • Depozitimi i spermës nga partneri
  • Fertilizimi në laborator, kultura & zhvillimi i embrioneve
  • Transferta e embrioneve
  • Suporti i fazës luteale

Faza e stimulimit ovarian

Një cikël Fertilizimi In Vitro fillon me fazën e stimulimit ovarian e cila zgjat afro 8 – 14 ditë. Kjo fazë fillon në ditët e para të menstruacioneve. Stimulimi zakonisht kryhet me injeksione subkutane të cilat nuk dhembin dhe mund të kryhen nga vetë pacientja në mënyrë ambulatore (pa ndihmën e mjekut apo infermieres). Gjatë kësaj periudhe pacientja monitorizohet përmes ekografisë transvaginale dhe dozimeve hormonale për të përcaktuar sa më saktë momentin se kur ovocitet (vezët) arrijnë maturitetin (pjekurinë).

Aspirimi i Ovociteve

Pas fazës së stimulimit ovarian femra i nënshtrohet aspirimit të ovociteve (vezëve). Aspirimi apo mbledhja e vezëve bëhet nën drejtimin ekografik transvaginal dhe nën anestezi. Pas kësaj procedure pacientja mund të largohet nga spitali brenda disa orëve.

Depozitimi i spermës

Gjatë kohës që ndodh aspirimi i vezëve, bashkëshorti jep spermën e tij në një tjetër ambient privat të klinikës. Sperma e bashkëshortit ekzaminohet dhe prej saj zgjidhen spermatozoidet më të shëndetshme.

 

Në rastet me azoospermi (mungesë e spermatozoideve në ejakulat) pacientit i rekomandohet ekstraksioni kirurgjikal i spermës nga testikujt, teknikë kjo minimalisht invazive dhe që nuk zgjat më shumë se 30 minuta.

Fertilizimi në laborator, kultura & zhvillimi i embrioneve

Pas marrjes së vezëve, ato ekzaminohen nga embriologu dhe prej tyre zgjidhen mundësisht vetëm ato me pjekuri maksimale. Janë pikërisht këto ovocite (vezë) të cilat bashkohen me spermatozoidet nën drejtimin e mikroskopit. Rreth 40 orë pas këtij bashkimi kontrollohet fertilizimi dmth sa prej këtyre vezëve janë konvertuar në embrione pas bashkimit me spermatozoidet. Është pikërisht ky moment (fertilizimi i vezës) që i ka dhënë emrin të gjithë procedurës nga fillimi deri në fund. Në Fertilizim In Vitro, bashkimi i vezës (fertilizimi) me spermatozoidin mund të kryhet në dy mënyra:

  • IVF klasik – Veza (ovociti) vendoset në një epruvetë me 1000-1500 spermatozoide për tu fertilizuar (në mënyrë spontane nga njeri prej këtyre spermatozoideve),
  • ICSI (Mikro-manipulimi, Intra-Citoplazmatik Sperm Injection) – Spermatozoidi injektohet direkt nën drejtimin e embriologut në brendësi të ovocitit (vezës). Pra ICSI vlen edhe për ato raste kur numri i qelizave spermatozoide është shumë i vogël.

Embrionet e formuara vendosen në mediume speciale që përbëhen nga aminoacide dhe komponentë të tjerë të nevojshëm për zhvllimin optimal të embrioneve. Intervali gjatë së cilit embrionet kultivohen dhe zhvillohen në laborator varion nga 3 deri në 5 ditë.

Transferta e embrioneve

Transferta e embrioneve kryhet zakonisht në ditën 3 ose ditën 5 të jetës së embrioneve. Është një teknikë pa dhimbje, nuk kërkon anestezi dhe kryhet nën drejtimin ekografik.  Pacientja mund të largohet nga spitali 30 minuta pas transfertës. 12 ditë pas transfertës pacientja këshillohet të kryejë analizën e beta-hCG e cila në rastet me sukses do të vertetojë një shtatzani. Në rastet kur formohen shumë embrione cifti gëzon edhe opsionin e ruajtjes së tyre në ngrirje.

Suporti i fazës luteale

Në dy javët që pasojnë aspirimin e ovociteve dhe transfertën e embrioneve, dhënia e medikamenteve që përmbajnë kryesisht progestativë, ka për qëllim suportin e duhur të një embrioni në hapat e para të implantimit si edhe reduktimin e rrezikut për humbje të shtatzanisë.

Testi i shtatzanisë

Momenti për të parë në se transferta e embrioneve ka rezultuar me një shtatzani, është ≈ 2 javë pas ditës së transfertës. Çdo test duhet të përsëritet sërish pas 48 orëve. Nëse testi ka rezultuar pozitiv, atëherë ju duhet të programoni një ekografi afërsisht 4 javë pas ditës së transfertës për të kontrolluar zhvillimin, lokalizimin dhe rrahjet e zemrës së embrionit. Në rast se testi rezulton negativ, atëherë është mirë që të kryhet një konsultë tjetër për të diskutuar mundësitë e tjera në të ardhmen.

Sa janë shanset e suksesit?

Fertilizimi in vitro ka shanse suksesi që variojnë në varësi të moshës së partnerit femër kryesisht. Kuptohet sa më e madhe kjo moshë aq më të pakta janë edhe shanset e suksesit të IVF. Kjo shpjegohet me reduktimin e rezervës ovariane sidomos pas moshës 35-37 vjecare.

Guidë për pacientin

Etapat

error: Content is protected !!