AsthenozoospermiaProblemet me lëvizshmërinë e spermatozoideve

Asthenozoospermia, e njohur ndryshe edhe asthenospermia është një çrregullim që prek lëvizshmërinë (motilitetin) e spermatozoideve. Analiza që e zbulon asthenozoosperminë është spermiograma.

Një spermiogramë do të quhet me motilitet (lëvizshmëri) normal nqs ka:

  • ≥ 40% spermatozoide të lëvizshëm (me lëvizhmëri progresive dhe jo progresive).
  • ≥ 32 % spermatozoide me lëvizshmëri progresive (fast forward).

Vlera më të vogla nga shifrat më lart tregojnë se kemi asthenozoospermi. Për të vendosur diagnozën e asthenozoospermisë nuk mjafton vetëm një spermiogramë. Duhet të kemi të paktën 2 spermiograma në distancë 3 mujore për tu shprehur me siguri nqs kemi apo jo asthenozoospermi.

Nga se shkaktohet?

Për fat të keq jo gjithnjë mund të gjendet shkaku që con në asthenozoospermi. Megjithatë dihet se lëvizshmëria e spermatozoideve mund të ndikohet nga prania e antitrupave anti-spermë, alkooli, rritja e moshës së mashkullit, temperature, ekspozimi ndaj lëndëve toksike dhe / ose nxehtësisë, kequshqimi, varikocela, trajtimet ndaj kancerit (kimioterapia dhe / ose radioterapia) etj. Teratozoospermia shoqërohet shpesh edhe me asthenozoospermi.

Asthenozoospermia dhe infertiliteti mashkullor

Asthenozoospermia mund të shkaktojnë infertilitet. Qëllimi i spermatozoidit është të fertilizojë vezën (ovocitin) dhe përpara se të arrijë ta plotësojë këtë “detyrë” duhet të kalojë disa “pengesa” dhe të përshkruajë një “distancë” deri sa të arrijë në tubat e Fallopit ku edhe takohet me vezën. Në rastet me asthenozoospermia ky qëllim është i vështirë për tu arritur.

Si trajtohet asthenozoospermia?

Disa ndryshime në mënyrën e jetesës, si për shëmbull ndërprerja e alkoolit, duhanit, rënia në peshë, aktiviteti sportiv, dieta e shëndetshme mund të kenë efekt pozitiv në rastet me asthenozoospermia të moderuar duke përmirësuar lëvizshmërinë e spermatozoideve.

Ekzistojnë edhe produkte farmaceutike në formën e multivitaminave apo inegratorëve, efekti i të cilëve për fat të keq është minimal ose i kufizuar vetëm në rastet me asthenozoospermi të moderuar.

Në raste kur këto masa nuk sjellin asnjë efekt, kur koha kalon ose kur kemi asthenozoospermi të rëndë, atëherë trajtimi i duhur është  Fertilizimi In Vitro me Intracytoplasmatic Sperm Injection – ICSI.

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!