Kontraceptivët oralë

Kontraceptivët oralë

Çfarë janë pilulat kontraceptive?

Pilulat kontraceptive janë një lloj medikamenti që femrat mund ta marrin në mënyrë ditore për të parandaluar shtatzaninë. Njhen me emra të ndryshëm: kontraceptivët oralë ose edhe thjesht pilula.

Kontraceptivët oralë përbëhen nga hormone. Hormonet janë përbërës kimikë të prodhuar normalisht nga vetë trupi i njeriut dhe kontrollojnë mënyrën se si funksionojnë pjesë të ndryshme të trupit.

Ekzistojnë dy lloje kontraceptivësh oralë që përfshihen në termin “pilula kontraceptive”:

  1. Pilula e kombinuar (kontraceptivët oralë të kombinuar) përmban dy lloje hormonesh; estrogjenikë dhe progestativë (progesteron). Ky është lloji më i përdorur i kontraceptivëve oralë në qarkullim.
  2. Minipilula përman vetëm një lloj hormoni, progesteronin.

Do të ndalem vetëm tek pilulat e kombinuara duke qenë se janë më të perhapurat në Shqiperi.

Si veprojnë kontraceptivët oralë?

Efektet e hormoneve të pilulave kontraceptive janë:

  1. Frenojnë ovulacionin. Nuk mund të ndodhë shtatzania nqs nuk ndodh ovulacioni.
  2. E bëjnë mukusin cervikal më të viskoz duke bërë kështu të pamundur penetrimin e spermatozoideve në kavitetin uterin.

Sa efikase është pilula kontraceptive?

Efikasiteti i pilulës kontraceptive është 99 % në qoftë se ajo merret në mënyrë të rregullt. Megjithatë në raste të ralla, mund të ketë femra që edhe pasi të kenë përdorur kontraceptivë mund të kenë arritur shtatzaninë. Por në shumicën e këtyre rasteve pilulat nuk janë marrë në mënyrë të rregullt, ose kanë koinciduar me ndonjë periudhë diarreje apo të vjella e për rjedhojë nuk janë absorbuar mirë nga sistemi tretës. Mbrojtja nga shtatzania fillon të ketë efekt pas pilulës së 7-të. Është e rëndësishme që pilula të merret cdo 24 orë.

Sa të sigurtë janë për shëndetin kontraceptivët oralë?

Shumica e femrave që marrin kontraceptivë nuk do të pësojnë asnjë efekt anësor apo komplikacion. Megjithatë si çdo medikament, edhe kontraceptivët kanë disa rreziqe apo efekte anësore. Ato theksohen më shumë nqs kemi edhe konsum të duhanit njëkohësisht.

Nuk duhet të merren kontraceptivët oralë nqs:

  • Jeni shtatzanë.
  • Keni migrenë.
  • Crregullime të trashëgueshme në koagulimin (mpiksjen) e gjakut.
  • Keni kaluar dhe jeni mjekuar për tromboza, tromboemboli apo tromboflebite.
  • Keni kaluar infarkt të miokardit (zemrës), iktus (ishemi apo hemorragji cerebrale) apo probleme të tjera të zemrës.
  • Keni tension të lartë të gjakut
  • Keni lupus eritematoz.
  • Keni sëmundje të mëlçisë.
  • Keni diabet.
  • Nqs pini duhan dhe jeni më shumë se 35 vjeçe.

Pilulat nuk shkaktojnë infertilitet!

A shkaktojnë pilulat infertilitetJo! Pilulat nuk shkaktojnë infertilitet. Efekti i tyre frenues mbi ovulacionon vazhdon për sa kohë që merren. Në momentin që ato ndalohen, atëherë edhe efekti i tyre frenues mbi ovulacion pushon.

Cilat janë përfitimet që vijnë nga përdorimi i kontracetivëve oralë?

Pilula është e sigurtë, e thjeshtë për tu marrë, dhe e përshtatshme. Nuk interferon me aktivitetin seksual. Kontraceptivët përveçse për kontracepsion, mund të përdoren edhe për arsye të tjera pasi reduktojnë dhimbjet menstruale, fluksin menstrual dhe rrezikun për sëmundje inflamatore pelvike. Gjithashtu kanë edhe efekte të tjera pozitive kundër akneve, osteoporozës, kundër problemeve të ndryshme të gjirit (fibro-adenomave etj), reduktojnë rrezikun për kancer endometrial apo kancer të ovareve (vezoreve) dhe reduktojnë aneminë e shkaktuar nga menstruacionet e crregullta dhe të bollshme.

Pilulat kontraceptive të kombinuara mund të përdoren për të kontrolluar se kur dhe sa shpesh ju i keni menstruacionet duke marrë pilula për më tepër se 21 ditë. Në momentin që ju do ti ndërprisni pilulat, disa ditë pas ndërprerjes do të vijnë menstruacionet (nuk ka rëndësi nëse i keni marrë pilulat për 21 apo për 30 ditë).

Cilat janë dizavantazhet?

  • Ndjenjë fryrje dhe tendosje të gjirit,
  • Nauze (të përziera),
  • njolla hemorragjike (spoting) në muajt e parë të përdorimit,
  • mund të shkaktojë ndonjëherë rritje të lehtë në peshë,
  • crregullime humori dhe rrallë
  • ulje të libidos në disa femra.

Si duhet të merret pilula kontraceptive?

Duhet të merret një pilulë në ditë. Cdo pilulë duhet të konsumohet në të njëtën orë ose sa më afër. Nqs harrohet një pilulë, atëherë merrni sa më shpejt të jetë e mundur pilulën tjetër dhe pilulën tjetër në kohën e duhur në ditën tjetër. Shumica e konfeksioneve janë me 28 ose me 21 pilula. Në të dyja rastet kemi 21 pilula aktive të cilat përmbajnë hormonet. Në konfeksionet me 28 pilula, 7 pilulat e fundit quhen tablet rikujtuese; ato nuk përmbajnë hormone. Në konfeksionet me 21 pilula, cdo ditë merret një tabletë. Pas 21 ditëve aktive, kryhet një javë pauzë (pushim), pas të cilës niset një kuti e re. Megjithatë, pilulat kontraceptive mund të merren cdo ditë, edhe për më shumë se 21 ditë, nqs duam të shtyjmë datën e menstruacioneve ose thjesht të mos kemi fare për një periudhë të caktuar.

Ka rrezik të mbeteni të pambrojtura ndaj shtatzanisë së padëshiruar në rast se:

  • Harroni të merrni pilulën për më shumë se 24 orë
  • Ndaloni të merrni pilulën dhe nuk jeni duke përdoru mënyrë tjetër kontracepsioni.

Si duhen filluar pilulat e kombinuara? Këto pilula mund të fillohen brenda 5 ditëve të para të menstruacioneve. Në këtë mënyrë ju do të jeni gjithnjë të mbrojtura nga shtatzania për sa kohë që merrni pilulën.

Si duhet të fillohen pilulat e kombinuara pas lindjes? Pilulat e kombinuara duhet të fillohen pas 6 javëve të para të laktacionit, pasi nqs përdoren që në fillim mund të ndikojnë në sasinë & cilësinë e qumështit të gjirit. Pas këtyre 6 javëve të para ato mund të përdoren në mënyrë të sigurtë.

Si duhet të fillohen pilulat e kombinuara pas abortit? Pilulat kontraceptive të kombinuara mund të fillohen menjëherë pas abortit.

error: Content is protected !!