Time – Lapse

Time – Lapse

Në laboratoret e Fertilizimit In Vitro (IVF), embrionet ruhen në inkubatorë të cilët sigurojnë kushtet e nevojshme për zhvillimin e tyre gjatë ditëve të para të jetës. Embrioskopi  është një inkubator i fjalës së fundit të shkencës (Time Lapse Incubator) i cili ka të inkorporuar një kamera e cila siguron imazhe në mënyrë të vazhdueshme cdo 20, 10  apo 5 minuta. Këto imazhe më pas inkorporohen së bashku (sipas teknologjisë time lapse) duke krijuar një video e cila praktikisht përbën rregjistrimin dinamik të zhvillimit të embrionit.

 

Embrioskopi mund të rrisë shanset për sukses në Fertilizim In Vitro


Për ata që janë duke konsideruar Fertilizimin In Vitro (IVF), mund të jetë me interes fakti se shkencëtarët kanë krijuar një avantazh teknologjik që mendohet se do të përmirësojë akoma më shumë shanset për sukses në IVF. Ky është embrioskopi, i cili bazohet në teknologjinë time-lapse. Përdorimi i teknologjisë time lapse i ka lejuar shkencëtarët të kuptojnë akoma më mirë zhvillimin e embrionit dhe për rjedhojë e ka lehtësuar akoma më shumë detyrën e embriologut në diferencimin e embrioneve me potencial më të mirë për implantim. Mendohet se teknologjia time – lapse (embrioskopi) do të rrisë shanset për sukses në IVF.

Teknologjia time – lapse monitorizon zhvillimin e embrionit


Teknologjia time – lapse përdoret për të kontrolluar zhvillimin e embrionit në intervale të rregullta. Ky informacion analizohet më pas nga kompjuteri.

Në teknikën klasike (atë të vjetër), embrionet duhet të zhvendosen nga inkubatori 1 herë në ditë, dhe më pas të analizohen nga embriologu në mikroskop. Tashmë klinikat më moderne u venë në dispozicion embriologëve teknologjinë time – lapse (embrioskopin) dhe kompjuterin për të analizuar embrionet. Në këtë menyrë embrionet nuk kanë pse të zhvendosen nga inkubatorët.

Cilat janë përfitimet embrioskopit?


Përfitimet e mundshme që sjell embrioskopi janë:

  • Lehtëson punën e embriologut.
  • Vlerësim “jo invaziv” i embrioneve (nuk është e nevojshme të nxirren nga inkubatorët!)
  • Mundësi për të identifikuar më saktë embrionet më të shëndetshëm.

Të treja këto sjellin një mundësi më të lartë për sukses në një cikël Fertilizimi In Vitro.

Fotografitë e marra në intervale të rregullta (20, 10  apo 5 minuta), shfaqin zhvillimin e embrionit në dinamikë. Sa më i shkurtër intervali mes fotove, aq më shumë informacion do të kemi për embrionin. Kompjuteri përdor më pas një algoritëm për të analizuar zhvillimin e embrioneve, dhe të përcaktojë se cili ka shanset më të mira për tu shndërruar në një bebe.

Teknologjia time – lapse gjithashtu mundëson edhe vlerësimin e embrioneve nga ana kromozomiale. Studiuesit kanë identifikuar se embrioneve me anomali kromozomiale zakonisht u duhen më shumë se 100 orë për të arritur në stadin e blasokistit (embrioni në ditën e 5-të). Kompjuteri i lidhur me embrioskopin, është i aftë të identifikojë embrionet me probabilitet më të lartë për të patur anomali kromozomiale.

Dinamika e zhvillimit embrional është shumë e rëndësishme, dhe kompjuteri i embrioskopit është i aftë të identifikojë se cili nga embrionet ka një zhvillim më të ngadaltë / këto embrione, megjithëse mund të duken njësoj me embrionet e tjera, në fakt kanë një shans më të vogël për implantim. Për shembull, koha në të cilën një embrion shndërrohet plotësisht në një blastokist është një indikator i “shëndetit” të embrionit.

Teknologjia time – lapse konsiderohet tashmë si metoda më superiore në vlerësimin e shëndetit të embrionit. Duke përdorur metodën e vjetër, megjithëse embrionet e përzgjedhura si “të mire”, mund të dukeshin të gjithë pak a shumë njësoj gjatë ekzaminimit të embriologut në mikroskop, statistikisht vetëm 25 % e tyre do të kishin potencialin për tu zhvilluar në një bebe.

Të krahasosh embrioskopin që përdor teknologjinë time – lapse me teknikën e vjetër të ekzaminimit të embrioneve është si të krahasosh rezonancën magnetike që përdor rrezet elektro-magnetike me radiografinë që përdor rrezet X.

Për më tepër, në rast shtatzanie, pacientja mund të marrë edhe videon e embrionit të saj ashtu sikur merr një video të ekos 3D apo 4D.