Humbja e shtatzanisë

Humbja e shtatzanisë

Çfarë është humbja e shtatzanisë?


Humbja e shtatzanisë quhet ndryshe edhe aborti spontan ose dështim (miscarriage). Ajo është është humbja spontane (jo e provokuar) e shtatëzanise para javës së 20-të të saj. Rreth 20% e shtatëzanive të identifikuara përfundojnë në abort spontan, por numri i humbjeve spontane është më i madh, pasi pjesa më e madhe e shtatëzanive përfundojnë përpara se vetë gruaja ta dijë që është shtatzanë. Shpesh herë është veshirë të përcaktohet apo të gjendet shkaktari i vërtetë. Shumica e dështimeve ndodhin pasi fetusi nuk është i zhvilluar mirë.

Cilat janë shenjat e abortit?

Shumica e aborteve spontane ndodhin para javës së 12-të. Shenjat që mund të paraqesë një abort spontan janë:

  • Sekrecione vaginale në ngjyrë të errët deri në ngjyrë të kuqe (hemoragji).
  • Dhimbje dhe krampe të fundit të barkut apo të fundshpinës.
  • Rrjedhje likidi apo pjesëzash indore nëpëmjet vaginës.

Megjithatë, duhet theksuar se pjesa më e madhe e grave me hemoragji vaginale gjatë Tremujorit I arrijnë ta përfundojnë me sukses shtatzaninë.

Cilat janë shkaqet e abortit spontan?

  1. Anomalitë kromozomiale dhe gjenetike. Shumica e dështimeve ndodhin sepse fetusi nuk është formuar mirë. Kjo ndodh si pasojë e gabimeve kromozomiale rastesore, dhe jo si pasoje e problemeve te trasheguara nga prindërit. Pra nuk duhet kuptuar që ka ndonjë problem gjenetik / kromozomial të lidhur me prindërit. Të tilla raste mund të jenë:
    • Shtatzania an-embrionike (pa embrion) e quajtur ndryshe edhe “Blighted ovum”.Në këtë rast embrioni nuk arrin të zhvillohet deri në atë pikë sa të bëhet i dukshëm ekografikisht.
    • Ndalim i zhvillimit të embrionit brenda mitrës: Në këtë rast embrioni është i pranishëm zhvillimi i tij ndalon në një moment të caktuar. (ose pushojne rrahjet e zemrës).
    • Shtatzania molare.
  2. Sëmundje të ndryshme të nënës:
  3. Sëmundje të ndryshme të babait:
    • Anomali kromozomiale / gjenetike

Çfarë nuk e shkakton dështimin?

  • Aktiviteti i përditshem (normal)
  • Ushtrimet fizike (jo te ekzagjeruara)
  • Puna, me kusht që të mos ketë ekspozim ndaj lëndëve kimike apo radioactive.

Cilët janë faktorët që rrisin rrezikun për abort?

  • Mosha materne luan një rol shumë të rëndësishëm në mbarëvajtjen e shtatzanisë. Me rritjen e moshës materne, reduktohet edhe cilësia e ovociteve (vezëve) dhe për rjedhojë rritet përqindja e anomalive kromozomiale / gjenetike të cilat pasqyrohen në rritjen e përqindjes së shtatzanive që përfundojnë në abort.
  • Dështimet e mëparshme (sëmundja abortive): Gratë të cilat kanë patur 2 apo me shumë dështime të njëpasnjëshme kanë risk më të lartë për të bërë dështim spontan.
  • Sëmundjet kronike:
    • Diabeti i pakontrolluar,
    • Sëmundje kronike të veshkave apo mëlçisë.
  • Probleme të mitrës dhe qafës së mitrës:
    • Anomali të lindura të mitrës (septumet – perdet),
    • Fibromioma,
    • Sineki,
    • Qafa e mitrës e keqformuar apo e dëmtuar nga abortet e mëparshme.
  • Veset e ndryshme: Duhani, alkoli, drogat. Përdorimi në sasi të madhe dhe të vazhdueshme, ul cilësine e qelizave riprodhuese si dhe dëmton ambientin ku do kryhet konceptimi dhe më pas zhvillimi i embrionit.
  • Pesha: Gratë shumë të dobëta (nën peshë) si dhe shumë të shëndosha (mbipeshë) janë të prirura për të bërë aborte spontane.
  • Testet prenatale invazive: Marrja e vileve koriale (CVS) apo amniocenteza.

Komplicacionet që mund të japë aborti spontan

Në disa raste mund të zhvillohet infeksion uterin: abort septik dhe gruaja do të ketë shenjat e mëposhtme:

  • Ethe.
  • Rrjedhje vaginale me erë të rëndë.
  • Rëndim të gjendjes së përgjithshme.
  • Dhimbje e fundit te barkut.

Diagnoza

  • Ekzaminimi pelvik:
  • Ekografia: gjatë së cilës shihet dhomëza gestacionale, embrioni, dhe prania e rrahjeve të zemrës për të përcaktuar nëse zhvillimi është normal.
  • Analiza e gjakut:
    • Nëse ndodh aborti spontan atëherë kryhet dozimi sasior ne gjak i hormonit të barrës, ß-hCG, për të ndjekur evolucionin e abortit: (rrezik aborti? Abort inkomplet? Abort komplet?)
    • Mund të kërkohen edhe disa analiza qe drejtohen drejt hetimit të shkakut për abort.
  • Analizat e pjesëve të abortit: nëse ka dalje të pjesëzave të abortit, atëherë ato dërgohen në laborator për të përcaktuar diagnozën histopatologjike dhe kariotipin e embrionit.

Terapia e abortit

Përmes ekzamnimit ekografik shihet gjendja e embrionit, nese eshte i formuar apo jo, dhe nese ka rrahje te zemres se tij. Mund të tentohet për të shpëtuar shtatzaninë vetëm në rastet me rrezik aborti, pra kur nuk ka ndodhur ende abort. Në rast se ka ndodhur aborti, qëllimi është të sigurohemi që uterusi të pastrohet sa më mirë në mënyrë që të mos kemi komplikacione infektive.

Rreziku për abort:

Përveç medikamenteve (me rrugë venoze / orale/ vaginale) këshillohet rregjim deri sa të pushojë hemoragjia dhe dhimbja. Në të njëjtën kohë mund të shmangen aktiviteti fizik marrëdheniet seksuale edhe udhëtimet.

Dështimi (aborti irreversibël, aborti komplet):

Në rastet kur embrioni nuk jeton më ose kur aborti është i parikthyeshëm (kur një pjesë e shtatzanisë është ekspulzuar jashtë mitrës) mund te ndiqen disa rruge manaxhimi.

  • Trajtimi prites:
    • nëse nuk ka shenja infeksioni, mund të lihet që aborti të kompletohet në mënyrë spontane. Kjo mund të kërkojë nga disa ditë deri në disa javë (për fat të keq edhe 3-4 javë). Nëse nuk ndodh nxjerrja e krejt indeve jashtë, do të nevojitet trajtimi mjekësor apo kirurgjikal.
  • Trajtimi medikal:
    • nëse pacientja e dëshiron, mund të përshpjetohet proçesi i nxjerrjes jashtë të produkteve të shtatzanise nëpëmjet marrjes së medikamenteve. Kjo është efikase në 70-90% të rasteve.
  • Trajtimi kirurgjikal:
    • (D&C: Dilatacioni & Kyretazhi). Përmes instrumentave kirurgjikalë dhe nën efektin e anestezisë kryhet evakuimi dhe pastrimi i kavitetit uterin nga përmbajtja abortive. Gruaja mund të largohet për në shtëpi brenda ditës, dhe te rinisë aktivitetin normal 1-2 ditë më pas. Marrëdhëniet seksuale mund të rinisen pas një periudhe të paktën 2 javore. Në varësi të gjendjes së gruas mjeku mund të këshillojë marrjen e antibiotikëve apo të qetësuesve të ndryshëm.

Humbja e përsëritur e shtatzanisë

Humbjet e përsëritura të shtatzanisë


Ne 1- 5% të grave mundet që të ndodhin aborte njeri pas tjetrit, dhe më pak se 1% e tyre mund të bëjnë edhe një të tretë. Në këtë rast themi se gruaja ka sëmundje abortive (habitual abortions) të cilët kërkojnë analiza shtesë për të evidentuar shkakun.

Në rastet me humbje të përsëritura të shtatzanisë, duhet patjetër të drejtoheni tek një gjinekolog specialist në mjeksinë riprodhuese dhe jo tek një gjinekolog i thjeshtë.

error: Content is protected !!