Monitorizimi i shtatzaniseNdjekja e shtatzanise

Monitorizimi i shtatzanise

Monitorizimi i shtatzanisë


Monitorizimi i shtatzanisë quhet ndryshe edhe ndjekje e shtatzanisë. Çdo femër, sapo mëson se është shtatzanë duhet të fillojë monitorizimin e shtatzanisë me mjekun e saj gjinekolog. Kujdesi prenatal është i rëndësishëm pasi synon edukimin mbi shtatzaninë dhe rritjen e fetusit. Ndjekja (monitorizimi i shtatzanisë) është tërësia e konsultave & vizitave përgjatë shtatzanisë dhe përpara lindjes tek mjeku obstetër-gjinekolog me qëllim kontrollin e gjendjes shëndetësore të femrës shtatzanë, ecurinë e shtatzanisë dhe mirëqënien e fetusit. Është fakt tashmë se ndjekja e rregullt e shtatzanisë sjell reduktim të komplikacioneve për nënën dhe fetusin.

Çfarë ndodh në konsultën e parë të shtatzanisë?

Konsulta e parë fillon me vlerësimin e shëndetit të shtatzanës, të historisë mjeksore dhe të kërkimit të faktorëve që mund të venë në rrezik nënën ose zhvillimin e fetusit. Mjeku do pyesë edhe për intervente të ndryshme kirurgjikale në të kaluarën, për mënyrën e jetesës apo për alergji të ndryshme. Objektivat e konsultës së 1-rë janë:

  • Vlerësimi i shëndetit të gruas shtatzanë
  • Përcatimi i datës së lindjes
  • Përcaktimi i planit të vizitave, ekografive dhe analizave sipas secilit rast.
  • Përshkrimi i vitaminave apo edhe medikamenteve sipas rastit.

Sa shpesh duhet të kryhen konsultat prenatale?

Shpeshtësia e vizitave nuk është diçka fikse dhe e njëjtë për çdo femër shtatzanë. Në rastet kur shtatzania konsiderohet me rrezik të lartë, atëherë edhe konzultat prenatale janë më të shpeshta. Për shumicën e rasteve frekuenca e konsultave prenatale duhet të jetë pak a shumë si më poshtë:

  • çdo 4 javë deri në javën 28
  • çdo 3 javë nga java 28 deri në javën 36
  • çdo javë pas javës 36 deri në lindje.

Ekografia e Tremujorit I

Ekografia e tremujorit I ndër të tjera ekzaminon:

  • Pozicionin e shtatzënisë (d.m.th., brenda apo jashtë uterusit),
  • Numrin e embrioneve,
  • Praninë e rrahjeve të zemrës,
  • Mosha e shtatzënisë (nga dita e parë e ciklit menstrual) etj.

Cilat janë ekografitë më të rëndësishme gjatë shtatzanisë?

  • Java 6 – 8 Ekografia për konfirmimin e shtatzanisë
  • Java 11 – 14 Ekografia për Transluçencën nukale (NT) & Bi-Test
  • Java 16 – 17 Ekografi për përcaktimin e gjinisë.
  • Java 18 – 23 Ekografia Morfologjike
  • Java 24 – 34 Ekografia 3D / 4D
  • Java 30 – 34 Ekografia Doppler
  • Java 37 – 38 Ekografia e fundit.

Analizat e Tremujorit I

Zakonisht analizat e Tremujorit I kërkohen pas konfirmimit me ekografi të shtatzanisë. Këtu përfshihen:

  • Urinë komplet
  • Gjaku komplet (Hemoleukograma)
  • Grupi i gjakut + Faktori Rhezus
  • Elektroforeza e hemoglobinës (për të parandaluar lindjen e fëmijëve me talasemi).
  • Glicemia esëll
  • Analizat e tiroides
  • Testet infektive (Toksoplazma, CMV, Rubella, HBsAg, HVC, HIV)
  • ICT – Indirect Coombs (vetëm në femrat që janë Rhezus negative)

Hetimi (depistimi) për anomalitë fetale

Çdo shtatzani ka një probabilitet të jetë e prekur nga anomali të ndryshme të fetusit (kromozomiale, gjenetike etj). Përmes programeve të depistimit mjekët synojnë të veçojnë nga popullata e grave shtatzana grupin që mbart riskun më të lartë për të qenë e prekur nga një anomali e caktuar. Këtyre shtatzanave screen pozitive ju ofrohet informacioni i detajuar dhe mundësia e diagnozës me anë të procedurave invazive të diagnozës prenatale. Fazat e depistimit prenatal të anomalive fetale:

Java 11 – 14: Në këtë interval mund të kryhet Ekografia për translucencën nukale dhe Bi-testi, ose testi NIPT. Duhet theksuar se ky i fundit arrin një sensitivitet deri në 99% nqs i referohemi sindromës Down.

Java 15 – 18: në këtë interval mund të kryhet edhe Triple Test. Duke qenë se është më pak sensitive, tashmë ky test aplikohet vetëm në rastet kur nuk është kryer asnjë test tjetër.

Diagnoza e anomalive fetale

Për diagnozën prenatale nevojitet ekzaminimi i indeve / qelizave fetale. Kjo mund të arrihet përmes proçedurave invazive nën drejtimin e ekografisë (Amniocenteza, Biopsia e vileve koriale, Kordocenteza) të cilat duhen kryer nga një personel i specializuar në këtë drejtim.

Duhet patur parasysh se ato kryhen vetem ne rastet kur Bi-Testi, Triple Test-i apo NIPT-i dalin me probabilitet te larte rreziku per anomali.

Ekografia Morfologjike (java 18-22)

Ekografia morfologjike është një standart që ofrohet edhe në Shqipëri. Për fat të keq një pjesë e shtatzanave janë më tepër kompliante ndaj përcaktimit të seksit përmes ekografisë se sa ndaj ekografisë morfologjike. Vec depistimit të sindromës Down (më e shpeshta kromozomopati), ajo mund të diagnostikojë edhe malformime të tjera fetale.

Analizat e Tremujorit II

Zakonisht, analizat e Tremujorit II kryhen në intervalin 24 – 28 javë. Këtu përfshihen:

  • Urinë komplet + Urokulturë
  • Gjak komplet (Hemoleukograma)
  • Kulturë e sekrecioneve vaginale
  • Testi i tolerancës ndaj glukozës (OGTT) për depistimin e diabetit gestacional.
  • Në raste të veçanta mund të kërkohen edhe analiza të tjera si proteinuria 24h, uricemia etj.

Ekografia fetale 3D dhe 4D

Ekografitë 3-dimensionale (3D) dhe 4-dimensionale (4D) janë bërë gjithnjë e më shumë popullore dhe gjithnjë e më shumë në dispozicion të pacientëve. Me ekografinë 3D, një seri seksionesh 2D rindërtohen në mënyrë dixhitale për të dhënë një pamje sa më reale. Me ekon 4D, dimensioni i shtuar është koha, ndaj duket sikur pamjet 3D lëvizin në kohë reale. Pamjet 3D/4D shfaqen, zakonisht, në ngjyrë të artë në ekranin e ekografisë, duke qenë se kjo është një ngjyrë që shquhet lehtë nga pacientët dhe thekson tiparet e bebes. Në fund të ekzaminimit, çifti pajiset me një CD (kundrejt një pagese simbolike) ku përmbahen fotot / videot e bebit të tyre. Duhet patur parasysh se ekografia 3D /4D nuk është një ekografi emergjence, dhe si e tillë duhet të kryhet gjithnjë me programim.

Analizat e Tremujorit III

Zakonisht këto analiza kryhen midis javës 34 – 38. Këtu përfshihen:

  • Urinë komplet + Urokulturë
  • Gjak komplet (Hemoleukograma)
  • Provat hepatike dhe ato renale
  • Koagulograma
  • Tampon vaginal për depistimin e infeksionit me streptokok ß-hemolitik (strepto test).
  • Në raste të veçanta mund të kërkohen edhe analiza të tjera si proteinuria 24h, uricemia etj.

Ekografia e Tremujorit III

Ekografia e tremujorit III ka për qëllim vlerësimin e mirëqënies fetale (rritja, likidi amniotik, velocimetria Doppler), studimin e placentës (ekostruktura, lokalizimi etj), paraqitjen e fetusit. Gjithashtu ajo kryen edhe një studim anatomik të fetusit (kuptohet jo aq të detahuar sa ekografia morfologjike).

NST (Non Stress Test)

NST është një test i thjeshtë, joinvaziv që kryhet në shtatzënitë mbi 28 javë. Testi quhet “pa stres” sepse gjatë tij nuk ushtrohet asnjë stres mbi fetusin. Testi kryhet duke vendosur një brez në barkun e nënës për të matur rrahjet e zemrës së fetusit dhe një tjetër brez për të matur kontraksionet e mitrës. Lëvizja, rrahjet e zemrës dhe “reagimi” i rrahjeve të zemrës ndaj lëvizjes apo kontraksioneve maten për 20-30 minuta. Një rezultat reaktiv në NST tregon se qarkullimi i gjakut (dhe oksigjenimi) në fetus është i mjaftueshëm. Një rezultat joreaktiv duhet interpretuar në kontekst me ekzaminimet e tjera dhe mund të ndihmojë në marrjen e vendimeve nga ana e mjekut obstetër.

Konsultat në Tremujorin III

Konsultat në Trem III përfshijnë

  • Ekografinë fetale për të vlerësuar rritjen fetale, sasinë e likidit amniotik dhe paraqitjen e bebit
  • Matjen e tensionit arterial
  • Rishikimin e analizave të Trem III
  • Kryerjen e NST
  • Vizitën gjinekologjike për të vlerësuar mënyrën e lindjes

Lëvizjet e bebit

Si ndryshojnë lëvizjet e bebit gjatë shtatzanisë

Shumica e grave shtatzana do ti ndjejnë për herë të parë lëvizjet e bebit të tyre vetëm pas javës së 18-të të shtatzanisë. Femrat në shtatzaninë e parë i ndjejnë disi më vonë këto lëvizje se femrat në shtatzaninë e dytë. Në disa raste, në shtatzaninë e dytë / të tretë, lëvizjet e e para të bebit mund të ndihen që në javën e 13-të – 16-të të shtatzanisë.

error: Content is protected !!