Micro – TESEMicro Surgical Testicular Sperm Extraction

Përparimet në mjekësinë riprodhuese gjatë dekadave të fundit u kanë dhënë një shans meshkujve të cilët më parë konsideroheshin absolutisht sterilë për të krijuar fëmijë biologjikë.

Këto përparime kanë ardhur në dy fronte.

E para ishte aplikimi i injeksionit intracytoplazmatik të spermatozoidit në ovocit (ICSI – IntraCytoplasmatic Sperm Injection) në Fertilizim In Vitro. Kjo teknikë zvogëloi nevojën e spermatozoideve të nevojshme për fekondimin e një veze, nga mijëra të tillë në vetëm një për cdo vezë. Kjo arritje u jep mundësi edhe meshkujve me probleme të rënda të fertilitetit, me një prodhim shumë të pakët të spermës që nuk mund të trajtoheshin me medikamente, të bëhen prindër.

Egziston një grup meshkujsh infertilë të cilët nuk kanë spermatozoide në ejakulat, një situatë kjo që quhet ndryshe azoospermia. Azoospermia mund të jetë obstruktive ose jo obstruktive.

Azoospermia është obstruktive kur kemi prodhim të spermës në testikuj, por për shkak të bllokimeve të ndryshme në rrugët e transportit spermatozoidet nuk dalin në ejakulat. Azoospermia është jo obstruktive (NOA – Non Obstructive Azoospermia) kur për shkak të defekteve të prodhimit të spermës në testikuj, nuk kemi spermatozoide në ejakulat. Në të vërtetë, rreth 50-60% e meshkujve me NOA (Non Obstructive Azoospermia kanë prodhim të sasive të vogla të spermatozoideve në brendësi të testikjve të cilët mund të përdoren për Fertilizim In Vitro me ICSI duke krijuar kështu mundësinë e një shtatzanie.

Përparimi i dytë është edhe aplikimi i teknikës Microsurgical Testicular Sperm Extraction ose shkurt microTESE e cila është e aftë të identifikojë “ishujt” në parenkimën e testikulit që prodhojnë ende spermatozoide. Në azoosperminë jo obstruktive (NOA – Non Obstructive Azoospermia), testikuli mund të ketë vatra (ose ishuj) të shëndetshme të shpërndara me zonave jo të shëndetshme. Tubulat seminiferë të këtyre vatrave nuk mund të shikohen me sy të lirë. Pra nuk mund të identifikohen me teknikën standarte TESE. Megjithatë, duke përdorur një mikroskop operativ për të ekzaminuar tubulat në kohën e kryerjes së biopsisë testikulare, mund të ekstraktohen në mënyrë selektive tubulat “më të mirë” ose ata më të shëndetshmit. Është fakt se ekziston një shans më i lartë që të gjenden spermatozoide në tubat “më të mirë”, më shumë se në tubulat me aspekt jo të shëndetshëm ose ato fibrotike. Në këtë drejtim microTESE është superiore ndaj teknikës së zakonshme TESE. Ndërkohë që TESE thjesht një biopsi testkulare, microTESE është një biopsi testikulare e drejtuar!

Pasi identifikohen tubulat seminifere, ato dërgohen në laboratorin e IVF ku mund të përdoren për të fekonduar vezët e partneres në atë moment ose mund të krioprezervohen për tu përdorur në të ardhmen.

Kjo teknikë e avancuar na lejon të drejtojmë biopsinë në zonat më të mira dhe të rrisim mundësinë e gjetjes së spermës duke hequr sasi të vogla të indeve, ndryshe nga një biopsi e rastësishme.

Mikro-TESE është një procedurë e avancuar që kërkon aftësinë dhe kuptimin e një mikro kirurgu ekspert shumë të njohur me indet testikulare. Kombinimi i përdorimit të mikroskopit operativ, diseksimi i tubulave të testikulit dhe të pasurit e një personeli të trajnuar për të kërkuar spermatozoide mund të bëjë dallimin midis suksesit dhe dështimit për shumë çifte.

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!