ERA TestEndometrial Receptivity Analysis

Që një cikël Fertilizimi In Vitro të përfundojë me sukses, duhet që të transferohet një embrion me cilësi të mirë, në një mitër me endometër të mirë dhe në momentin e duhur. Është shumë frustruese për pacientët që të kenë një rezultat negativ edhe pas transfertës së embrioneve me cilësi shumë të mirë. Në të tilla raste, e gjithë vëmendja drejtohet tek endometriumi dhe tek momenti i duhur për transfertë. Natyrisht që një gjë e tillë shpesh herë duket e lehtë, por jo gjthnjë është kështu. Është pikërisht ERA test që përcakton më mirë këtë moment.

Çfarë është endometriumi?


Endometriumi është shtresa që vesh kavitetin e mitrës. dhe duhet të ketë një trashësi dhe një strukturë të caktuar që të jetë receptiv për embrionin që do të implantohet gjatë një cikli menstrual. Nqs veza nuk do të fertilizohet ose nqs embrioni nuk do të implantohet, endometriumi vetëevakuohet përmes një procesi të quajtur menstruacion.

Deri përpara testit ERA, endometriumi mund të vlerësohej vetëm përmes ekografisë transvaginale. Ekografia transvaginale është nje mjet shumë i saktë në përcaktimin e trashësisë së endometriumit, por është testi ERA ai që jep informacione përfundimtare mbi strukturën dhe cilësinë e endometrumit. Ky informacion po merr një vlerë Akoma më të madhe në Fertilizim In Vitro.

Çfarë është receptiviteti endometrial?


Koordinimi perfekt mes zhvillimit të embrionit me ndryshimet që pëson endometriumi është çelësi i suksesit në Fertilizim In Vitro. Receptiviteti endometrial është stadi kur endometriumi është i përgatitur që të “mirëpresë” embrionin në një proçes që quhet implantim. Ky stad ndodh në një interval të shkurtër kohor që quhet dritare e implantimit.

Testi ERA vlerëson receptivitetin endometrial duke u bazuar në analizën e 248 gjeneve, duke ndihmuar kështu në një identifikim më të saktë të dritares së implantimit. Kjo është me shumë rëndësi pasi dritarja e implantimit ndryshon nga femra në femër. Aplikimi i ERA test-it është një hap më shumë drejt një trajtimi të personalizuar të pacientes që kryen Fertilizim In Vitro. Kjo do të thotë që transferta e embrioneve të mund të programohet kur receptiviteti endometrial sipas ERA test-it të jetë në nivelin më optimal.

Çfarë është ERA testi?


ERA test është shkurtim për Endometrial Receptivity Analysis (analiza e receptivitetit endometrial). Është një test gjenetik që kryhet mbi një mostër të vogël që merret nga endometriumi me qëllim për të përcaktuar më qartë intervalin e saktë të dritares së implantimit; pra ditët se kur mund të transferohet embrioni. ERA testi mund të njihet edhe me emrat analiza ERA, Biopsia ERA ose thjesht ERA.

Kush duhet ta marrë në konsideratë ERA test-in?


Është historia e infertilitetit ajo që përcakton se cila paciente do të përfitojë nga kryerja e ERA test-it. ERA test rekomandohet sidomos tek:

  • Pacientet me ≥ 2 transferta embrionesh të rezultuara pa sukses pavarësisht se embrionet kanë qenë me cilësi optimale.
  • Pacientet që kanë probleme me trashësinë e endometriumit (ato që bëjnë endometër të hollë).

Në mënyrë ideale ERA testi duhet të aplikohet në të gjitha çiftet që i nënshtrohen Fertilizimit In Vitro.

Sipas një studimi në revistën e mirënjohur Fertility and Sterility, të shtatorit 2013, ERA test mund të përmirësojë shanset për shtatzani deri në 73% në rastet e transfertave të personalizuara sipas rezultateve të këtij testi.

Trajtimet e infertilitetit janë në një evolucion të vazhdueshëm dhe ERA test është një shprehje e këtij evolucioni. ERA test tashmë ofrohet për herë të parë në Shqipëri nga Spitali Amerikan.

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!