A duhet të operohet Varikocela tek meshkujt infertilë?

Rreth 25 – 30 % e rasteve me infertilitet i detyrohen vetëm problemeve me spermën. Ndërkohë në 40-50% të rasteve me infertilitet kemi njëkohësisht të pranishëm probleme me spermën si edhe probleme me partneren femër.

Varikocela është një koleksion venash tortuoze dhe të dilatuara (të përdredhura dhe të zgjeruara) në pleksin pampiniform të funikulit spermatik. E thënë thjesht është një lloj varice venoze në skrotum (qese). Varikocela mund të dëmtojë prodhimin e spermës për shkak të rritjes së temperaturës lokale që shkakton.

Sa e shpeshtë është varikocela?


Varikocela është e pranishme në 40% të meshkujve infertilë dhe në 20% të meshkujve në përgjithësi. Shpesh varikocela operohet nga urologët. Megjithatë shpesh operacioni i varikocelës (varikocelectomia) nuk sjell gjithnjë ndonjë përmirësim të cilësisë së spermës dhe për rjedhojë edhe të shanseve për shtatzani. Pavarësisht se disa studime tregojnë përmirësime të lëvizshmërisë dhe përqëndrimit të spermatozoideve në spermë, ato nuk kanë treguar rritje të shanseve për shtatzani pas këtij përmirësimi të numrave të spermiogramës. Pra përmirësimi i numrave të spermiogramës nuk është njësoj me arritjen e shtatzanisë!

Për sa më lart natyrshëm lind pyetja: Nqs një mashkull infertil me varikocelë që ka një spermiogramë me probleme, për të cilën duhet të kryejë Inseminim Intrauterin (IUI) ose Fertilizim In Vitro (IVF) përse duhet të humbasë kohë (dhe shpenzime) duke zgjedhur të operohet? Pra nevoja për operacion është e diskutueshme! Ndërkohë që nqs njëkohësisht ekziston edhe ndonjë faktor tjetër vec varikocelës, atëherë operacioni për varikocelën është plotësisht i panevojshëm!

Është kjo arsyeja se përse konsulta me mjekun gjinekolog specialist në Mjeksinë Riprodhuese është vendimtare në marrjen e një vendimi të duhur. Sepse mjeku urolog vlerëson vetëm kontributin e partnerit mashkull në fertilitet, ndërkohë që specialist në Mjeksinë Riprodhuese vlerëson njëkohësisht kontributin e të dy partnerëve në fertilitet.

Janë 6 studime deri tani që janë munduar të vlerësojnë rolin e operacionit të varikocelës:

  • Në 3 studime tregohet një shans më i ulët për shtatzani natyrale pas operacionit.
  • Në 3 studime tregohet një shans më lartë për shtatzani natyrale pas operacionit.

Kaq mjafton për të venë në dyshim nevojën e operacionit për pacientët me varikocelë.

Si përfundim mund të themi se:


  • Meshkujt me varikocelë duhet patjetër të konsultojnë një mjek gjinekolog specialist në Mjeksinë Riprodhuese!
  • Për meshkujt infertilë me varikocelë, por me probleme të lehta të spermiogramës, tek të cilët partneri femër është në moshë të re dhe nuk ka probleme me tubat e Fallopit, atëherë mund të rekomandohet operacioni i varikocelës në shpresën se shtatzania mund të ndodhë më pas në mënyrë natyrale. Nqs kjo nuk ndodh pas 6 – 12 muajve atëherë zgjidhja duhet të jetë Inseminimi Intrauterin ose Fertilizimi In Vitro.
  • Për të gjitha rastet e tjera, zgjidhja duhet të jetë direkt Inseminimi Intrauterin ose Fertilizimi In Vitro, dhe JO operacion.
Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!