Shtatzania biokimike

Pritja për një test shtatzanie pas trajtimeve të ndryshme të fertilitetit (IUI ose IVF) është një periudhë e mbushur plot ankth dhe stres tek një pjesë e mirë e pacienteve. Dhe në momentin e marrjes së një rezultati pozitiv, vendin e ankthit dhe stresit e zë gëzimi dhe shpresa. Por disa ditë më vonë, një pjesë e këtyre rasteve do të marrin si diagnozë nga mjeku atë të shtatzanisë biokimike. Është ai momenti kur dëgjon diçka dhe ti nuk e ke të vështirë ta perceptosh. Ajo që percepton është se periudha e gëzimit paska qenë jetëshkurtër. Nqs ju e keni përjetuar këtë eksperiencë, dijeni se nuk jeni vetëm. Shtatzania biokimike është shumë më e shpeshtë nga sa e mendoni.

Çfarë është shtatzania biokimike?


Përkufizimi mjeksor i shtatzanisë biokimike është ndërprerja e shtatzanisë përpara se ajo të bëhet e dukshme me ekografi, pavarësisht se kemi një test pozitiv (në urinë apo në gjak) të shtatzanisë. Çfarë do të thotë kjo? Β-hCG, që është edhe hormoni i shtatzanisë, fillimisht rritet ashtu si duhet, por papritur rritja ngadalësohet ose vlerat e saj fillojnë të bien dhe pasohen nga fillimi i hemorragjisë vaginale. Për fat të keq, rënia e β-hCG në atë shtatzani biokimike është një fenomen i cili nuk mund të ndryshohet.  Ne vetëm mund të nxjerrim përfundime për të ardhmen.

Sa të shpeshta janë shtatzanitë biokimike?


Shtatzanitë biokimike në shtatzanitë natyrale janë relativisht të shpeshta (deri edhe në 50% të rasteve). Mjaft femra as që e kuptojnë se kanë një shtatzani biokimike. Vetëm nqs janë duke u përpjekur për të mbetur shtatzanë dhe kryejnë herët teste shtatzanie, ato mund të kuptojnë.

Për shkak të testeve shumë më sensitive të shtatzanisë, tashmë është e mundur që shtatzanitë biokimike të depistohen shumë më herët. Kjo do të thotë që me teknologjinë laboratorike të para disa dekadave as nuk do të kuptohesh tek një pjesë e mirë e rasteve me shtatzani biokimike që femra ishte shtatzanë. Mendohet se rreth 25% e shtatzanive do të humbasin përpara se femra të “pikasë” vonesën në cikël.

Përse ndodhin shtatzanitë biokimike?


Janë të ndryshëm faktorët që janë propozuar, por për fat të keq, natyra e saktë apo shkaku final ende mbetet i paqartë. Dy faktorët më të mundshëm janë:

Shkaqet gjenetike:

Tashmë është gjithnjë e më e qartë se përpërja gjenetike e vezëve të një femre është kryesore në zhvillimin normal të një embrioni. Janë dy mekanizmat e propozuar për humbjen e hershme të shtazanisë. E para, kromozomet (që mbartin materialin tonë gjenetik – ADN-në) nuk ndahen në mënyrë të barabartë gjatë ndarjes qelizaore. E dyta, për disa arsye, embrioni në fillimet e tij mund të mos ketë aftësinë dhe kapacitetin për tu zhvilluar dhe rritur si duhet. Me pak fjalë, materiali gjenetik mund të pësojë defekte para koncepsionit (tek vezët dhe / ose spermatozoidi) ose pas koncepsionit (në ditët e para të jetës së embrionit).

Trashësia dhe aspekti i endometrumit:
Shtatzanitë biokimike mund të lidhen edhe me trashësinë dhe aspektin e endometriumit. Kjo nuk lidhet me moshën e femrës apo me humbjet e mëparshme të shtatzanisë.

Anomalitë uterine
Në raste me anomali uterine (të mitrës) shpesh herë endometriumi nuk arin dot trashësinë dhe aspektin eduhur për shkak të një furnizimi me gjak të pamjaftueshëm.

Stili i jetesës
Një jetë e mbushur me zakone të dëmshme për shëndetin, edhe ajo shoqërohet me një rrezik të lartë për shtatzani biokimike. Këtu futet edhe konsumi i duhanit apo alkoolit.

E ardhmja pas një shtatzanie biokimike


Kur një femër kryen IVF, diagnoza e një shtatzanie biokimike është shumë traumatike për shkak të investimit emocional dhe financiar. Megjithatë, sado një lajm i trishtë për një femër, kjo diagnozë i jep mjekut një farë informacioni; se të paktën njëri nga embrionet arriti në një stad të avancuar zhvillimi (siç është stadi i blastokistit), bëri hatching dhe më pas filloi të implantohet në endometër. Pra, pavarësisht se e humbur, një shtatzani biokimike është në fund të fundit një shtatzani. Ajo ofron shpresë për një shtatzani tjetër që do të përfundojë me sukses deri në lindje. Kjo sepse informacionet që na jep ajo mund të përdoren për të rritur probabilitetin që shtatzanitë e ardhshme të ecin me sukses deri në lindje.

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!