Pyetjet më të shpeshta në IVFPyetjet më të shpeshta në një Fertilizim In Vitro

Pyetjet më të shpeshta në IVF

Është më se normale për të gjitha ciftet që i nënshtrohen Fertilizimit In Vitro të kenë pyetje të shumta lidhur me këtë proçes. Pavarësisht se në websit-in tim unë jam mundur të jap një informacion të bollshëm për IVF, në këtë tekst jam duke paraqitur në mënyrë të përmbledhur pyetjet më të shpeshta që pacientët më drejtojnë gjatë këtij trajtimi të avancuar të infertilitetit. Mjafton të klikoni mbi pyetjen që dëshironi dhe përgjigja do të dalë poshtë saj. Duhet theksuar se të gjitha këto informacione nuk mund të zëvendësojnë konsultën direkte.

Sa janë shanset e suksesit në një cikël IVF?

Shanset për sukses janë të ndryshme për pacientë të ndryshëm. Ato mund të llogariten me përfaërsi vetëm pas përfundimit të konsultës dhe vlerësimit të analizave dhe ekzaminimeve të kërkuara nga mjeku specialist.

Sa zgjat një cikël IVF?

Zakonisht nje cikel IVF zgjat 2 – 3 javë. Këtu përfshihet faza e stimulimit hormonal, marrja e vezëve, fertilizimi i vezëve, zhvillimi i embrioneve dhe transferta e tyre në mitër.

Sa zgjat stimulimi hormonal i vezoreve?

Kjo varet nga protokolli (strategjia e stimulimit) e zgjedhur sipas rastit. Zakonisht intervali i stimulimit zgjat nga 8 në 12 ditë. Në raste të veçanta mund të zgjasë edhe më shumë.

Po partneri sa duhet të jetë i pranishëm?

Është mirë që partneri juaj tju shoqërojë gjatë gjithë ciklit të trajtimit IVF. Megjithatë në disa raste, për shkak edhe të punës disa meshkuj e kanë të vështirë të jenë çdo ditë. Ne i mirëkuptojmë këto raste dhe i këshillojmë që në rast pamundësie të vijnë të paktën 1 ditë në fillim për të depozituar spermën, të cilën do ta ruajmë në kushte laboratorike për ta përdorur kur vezët e partneres të jenë gati.

Kur duhet të paraqitem për të filluar një cikël IVF?

Ju duhet të paraqiteni në ditën 1, 2 ose 3 të ciklit menstrual/

Cila quhet dita e parë e ciklit menstrual?

Zakonisht dita 1 e ciklit menstrual quhet dita kur menstruacionet kanë fluksin e plotë dhe jo kur fillon spoting-u (njollat). Nqs cikli vjen pas orës 12:00 atëherë dita 1 do të quhet dita e të nesërmes.

Sa herë duhet të paraqitem në spital?

Kjo ndryshon nga rasti në rast. Zakonisht është e nevojshme të paraqiteni në spital 5 – 6 herë.

Cilat janë efektet anësore të ilaçeve gjatë trajtimit?

Këto efekte variojnë në varësi të pacientes. Zakonisht ato mund të përfshijnë irritime apo skuqje në nivelin e injeksionit, nauze, dhimbje gjiri dhe fryrje abdominale.

Si do ti bëj injeksionet?

Injeksionet që përdoren gjatë një cikli IVF janë zakonisht subkutane, dmth mund të kryhen pas asnjë lloj vështirësie nga vetë pacientja ose partneri i saj.

Çfarë përfshihet në çmimin e një cikli Fertilizimi In Vitro?

Në këtë shifër përfshihet: Folikulometria (monitorizimi i rritjes së folikujve me ekografi), Aspirimi i ovociteve (OPU – Oocyte Pick Up), Fekondimi i gametëve (bashkimi i spermatozoideve me vezët), kultura dhe monitorizimi i zhvillimit të embrioneve në laborator dhe transferta e embrioneve (nqs kemi zhvillim të embrioneve).

Sa kushton një cikël IVF?

Në Shqipëri çmimi i një cikli Fertilizim In Vitro varion nga 2500 – 3500 euro në varësi të klinikës ku kryhet.

A përfshihen edhe ilacet e stimulimit në cmimin e një cikli IVF?

Jo! Ilaçet për stimulim të vezoreve nuk përfshihen në çmim.

A përfshihen edhe analizat & ekzaminimet fillestare në çmimin e një cikli IVF?

Jo! Analizat & ekzaminimet fillestare përpara nisjes së një IVF nuk përfshihen në çmim.

A lejohet kontakti seksual gjatë një cikli IVF?

Pas ditës 7-8 të stimulimit dhe deri 2 javë pas transfertës së embrioneve kontakti seksual nuk rekomandohet. Në rast se testi i shtatzanisë rezulton pozitiv, atëherë kontakti seksual nuk përbën problem.

A lejohet udhëtimi gjatë trajtimit?

Jo! Ju duhet të jeni në dispozicion të ekipit mjeksor për çdo rekomandim apo ndryshim strategjie apo doze gjatë ditëve të mjekimit. Asnjëherë ecuria e trajtimit nuk mund të parashikohet që në fillim.

A mund të bëj aktivitet sportiv gjatë një cikli IVF?

Shumica e mjekëve nuk kanë asnjë kundërshtim me aktivitetet e lehta. Por me kalimin e ditëve të stimulimit, ovaret zmadhohen dhe në rast aktiviteti sportive shumë intensive rritet rreziku për torsion të ovarit. Pra, sporti i performancës së lartë nuk rekomandohet.

A ka dhimbje mbledhja e vezëve (asprimi i ovociteve)?

Jo! Është një procedurë që kryhet nën sedacion (thënë ndryshe anestezi totale por e lehtë ose thjesht gjendje gjumi pa dhimbje). Zakonisht zgjat 10 – 30 minuta. Pas mbarimit të proçedurës disa paciente mund të kenë dhimbje të lehta në formën e krampeve në fund të barkut, dhimbje për  të cilat mjeku mund tju rekomandojë paracetamol ose ibuprofen.

A ka dhimbje transferta e embrioneve?

Jo!

Kur mund të mësoj në se jam shtatzanë apo jo?

Zakonisht e rekomandojmë kryerjen e analizës së ß-hCG 14 ditë pas aspirmit të ovociteve ose 14 ditë pas transfertës së embrioneve. Ky test duhet të përsëritet sërish pas 48 orësh.

Në rast se testi del pozitiv, kur duhet të kryehet ekografia?

Zakonisht ekografia programohet 4 javë pas testit të parë pozitiv.

Deri në cilën javë të shtatzanisë vazhdojnë mjekimet?

Zakonisht ilacet vijnë duke u reduktuar pas javës së 8-të dhe vazhdojnë deri në javën 12 të shtatzanisë. Për këtë mund të pyesni një nga infermieret e ekipit.

error: Content is protected !!