Çfarë është OHSS?
Hiperstimulimi ovarian (OHSS – Ovarian Hyperstimulation Syndrome) vjen si rezultat i përgjigjes së ekzagjeruar të ovareve (vezoreve) ndaj stimulimit të përdorur. OHSS është një nga komplikacionet më serioze që mund të ndodhin gjatë Fertilizimit In Vitro.
FSH (Follicular Stimulating Hormone) dhe LH (Luteinizing hormone) janë hormone që stimulojnë ovaret për të rritur një vezë cdo muaj. Këto hormone quhen ndryshe gonadotropina.
- Në një cikël natyral, shumë folikuj do të rekrutohen por vetëm njeri prej tyre bëhet dominant ndërkohë që të tjerët atretizohen (vdesin).
- Në rast se pacientja i nënshtrohet fertilizimit in vitro, ajo i nënshtrohet stimulimit me injeksione të cilat përmbajnë FSH dhe/ose LH (gonadotropina). Këto injeksione bëjnë të mundur rritjen e shume me teper folikujve (vezëve) në atë cikël.
OHSS shfaqet atëherë kur ovaret kanë një përgjigje të ekzagjeruar ndaj injeksioneve me gonadotropinave. Vezoret zmadhohen në vëllim, ndërkohë që ka edhe zhvendosje të ujit (ascit) në drejtim të kavitetit abdominal (barkut).
Si mund të diagnostikohet OHSS?
OHSS mund ta diagnostikojmë përmes ankesave të pacientes dhe përmes ekografisë.
Cilat janë shenjat e OHSS?
- Vështirësi në frymëmarrje. Pacientja ndonjëherë e ka të vështirë të qëndrojë shtrirë për shkak të vështirësisë në frymëmarrje.
- Dhimbje dhe fryrje të barkut. Me zhvendosjen e likideve në brendësi të kavitetit abdominal pacientja fillon të ankojë ndjenjën e fryrjes, tendosjes së barkut.
- Nauze dhe të vjella.
- Ndjenjë debulese dhe pafuqie.
- Reduktim të urinimit.
Kush rrezikohen më shumë për OHSS?
Më të rrezikuara për OHSS gjatë IVF janë femrat me vezore polikistike. Për këtë arsye edhe në këto paciente tendenca është të përdoren doza më të vogla të gonadotropinave për stimulim.
Sa shpesh ndodh OHSS?
OHSS takohet në rreth 8% të cikleve në Fertilizim In Vitro. Format severe takohen në 1% të cikleve me IVF.
Si është ecuria e OHSS?
OHSS ka dy momente kulmore.
- Momenti i parë është injeksioni me HCG (gonadotropina korionike) që kryhet në fund të cdo protokolli stimulimi. Është ky momenti në të cilin pacientet me OHSS ndjejnë rëndimin e parë të simptomave.
- Momenti i dytë haset zakonisht në pacientet në të cilat implantimi ka ndodhur me sukses dhe zakonisht referohet me rëndim të simptomave në javën e 2-të pas transfertës së embrioneve. Kjo shpjegohet me prodhimin e HCG nga ana e trofoblastit (placentës së ardhshme) të embrionit (embrioneve) të implantuar.
Zakonisht OHSS është një sindromë e vetë kufizuar në kohë. Kjo do të thotë që kalon vetvetiu pas 5 – 15 ditësh. Megjithatë në rastet e rënda OHSS mund të vazhdojë për një kohë më të gjatë dhe të kërkojë edhe hospitalizim pasi mund të jetë i rrezikshëm për jetën e pacientes.
Si menaxhohet OHSS?
Në rastet e lehta pacientet rekomandohen të ulin aktivitetin fizik për të minimizuar diskonfortin, të konsumojnë sa më shumë likide dhe pije me elektrolite, të kenë një dietë të pasur në albuminë dhe të monitorizojnë me kujdes diurezën (urinimin). Nqs do të konstatojnë një përkeqësim të simptomave dhe / ose një reduktim të urinimit atëherë këto duhet të referohen tek mjeku për të kapur në kohë rastet e rënda.
Në rastet e rënda me OHSS mund të jetë i nevojshëm hospitalizimi.
A mund të parandalohet OHSS?
Parandalimi ëshë trajtimi më i mirë që mund ti bëhet OHSS. Për fat të keq OHSS nuk mund të parandalohet gjithmonë. Alternativat që mund të zgjidhen me qëllim reduktimin e rrezikut për OHSS janë:
- Identifikimi i pacienteve me rrezik të lartë për OHSS. Këtu përfshihen ato me vezore polikistike, ato në moshë të re, të dobëta dhe ato me OHSS në të kaluarën. Pikërisht në këto paciente duhet patur shumë kujdes zgjedhja e protokollit dhe dozave të stimulimit.
- Zgjedhja e protokolleve te duhura dhe e dozave te arsyeshme. Megjithatë jo gjithnjë është e mundur të manovrohet me dozat.
- Anulimi vetëm i transfertës së embrioneve. Në këtë alternativë, kryhet vetëm aspirimi i ovociteve, fertilizimi i tyre me spermatozoidet dhe ngrirja e të gjithë embrioneve. Kjo bëhët me qëllim shmangien e një shtatzanie në kushtet kur pacientja është me OHSS pasi hormonet e shtatzanisë e agravojnë dhe e e zgjasin OHSS. Në momentin që OHSS të ketë kaluar, vetëm atëherë mund të kryhet transferta e embrioneve të ngrira.