Shpenzimet në IVF

Çmimet në proçedurat e Fertilizimit In Vitro variojnë në mënyrë të konsiderueshme. Ky variacion varet nga kërkesat specifike për secilin rast, nga politika financiare dhe lokalizimi i vetë klinikës apo spitalit që ofron këtë shërbim.

Kur të merrni një shifër paraprake mbi kuotën që duhet të paguani për një cikël Fertilizimi In Vitro ju duhet patjetër të kërkoni (duke lexuar apo pyetur) se cfarë përfshin kjo shifër paraprake.

A përfshihen në çmim edhe medikamentet e përdorura për stimulim?


Jo! Shumica e klinikave / spitaleve që ofrojnë Fertilizim In Vitro nuk përfshijnë në çmim edhe koston e medikamenteve të përdorura për stimulim. Kjo shpjegohet me faktin se doza dhe kohëzgjatja e trajtimit ndryshon sipas moshës së pacientes femër, protokollit të zgjedhur për trajtim dhe specifikave të rastit. Për këtë arsye kosto e medikamenteve nuk mund të parashikohet në mënyrë të saktë për tu përfshirë në cmimin e gjithë procedurës IVF.

Sa mund të variojë kosto e medikamenteve për stimulim në Fertilizim In Vitro?


Kosto e medikamenteve të përdorura për stimulim gjatë një cikli të freskët Fertilizim In Vitro (fresh IVF cycle) mund të variojë nga 500 – 2000 euro me çmimet e tregut shqiptar. Duhet të kuptoni se këtë kosto medikamentesh ju i paguani në farmacitë e ndryshme dhe jo në spital / klinikë. Për këtë arsye spitali / klinika nuk është përgjegjëse për çmimin e farmacisë.

Vizita fillestare, ekografia dhe analizat fillestare …


Në shumicën e rasteve këto nuk përfshihen në çmimin e Fertilizimit In Vitro. Kjo është më se llogjike: përmes vizitës fillestare, ekografisë dhe analizave filllestare ekipi mjeksor merr informacion mbi problemet e ndryshme që e kanë detyruar ciftin të paraqitet në spital apo klinikë. Disa prej pacienteve mund të kenë pjesë të analizave të kryera diku tjetër dhe në një distancë kohore shumë të afërt. Nqs këto janë kryer nga laboratore apo klinika serioze atëherë shumica e mjekëve i marrin në konsideratë dhe nuk kërkojnë ti përsërisin. Për sa i përket ekografisë ajo është pjesë e pazëvendësueshme e konsultës dhe duhet të kryhet patjetër nga ekipi që ofron shërbimin e Fertilizimit In Vitro. Nuk ka sens llogjik të ngulësh këmbë në ekografinë e një mjeku gjinekolog që nuk kryen IVF për të kursyer koston financiare të ekografisë kur paraqitesh për herë të parë në një qendër që kryen IVF.

Analizat hormonale dhe ekografia pasi procesi i Fertilizimit In Vitro ka filluar


Proçesi i Fertilizimit In Vitro mund të zgjasë nga 3 deri në 5- javë në funksion të protokollit të zgjedhur për stimulim. Gjatë këtij intervali pacientja monitorizohet përmes ekografive dhe analizave hormonale në një frekuencë që mund të variojë cdo 2 dt deri në cdo 7 dt. Disa klinika / spitale këto kosto i përfshijnë në cmimin e një cikli Fertilizim In Vitro, ndërkohë që disa klinika jo.

Proçedura të tjera shtesë …


Gjatë Proçesit të Fertilizimit In Vitro apo edhe në fund të tij mund të lindë nevoja apo mundësia për disa procedura të tjera shtesë të cilat zakonisht nuk përfshihen në çmimin fillestar për një cikël trajtimi. Këtu përmendim: Embryo-Freezing, Ekstraksion kirurgjikal i spermës nga testikujt (Surgical sperm extraction), Pre-Implantation Genetic Testing etj.

Personel i huaj vs personel shqiptar …


Nqs shërbimi i Fertilizimit In Vitro kryhet nga mjekë gjinekologë dhe embriologë të huaj të cilët vijnë në mënyrë periodike, sigurisht që kjo do të pasqyrohet edhe në çmimim që do të paguajnë pacientët. Kjo sepse klinika do të kompensojë koston e udhëtimit dhe qëndrimit në hotel të këtyre duke rritur çmimet e të gjithë proçedurave të lidhura me Fertilizimin In Vitro.

Ku mund të kurseni nqs keni nevojë për Fertilizim In Vitro?


E vetmja pikë ku ju mund të kurseni është çmimi që ofron spitali / klinika për një cikël të freskët Fertilizimi In Vitro (fresh IVF cycle). Në Shqipëri ky çmim mund të variojë nga 2500 – 3500 euro në varësi të qendrës që ofron këtë shërbim.

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!