Teratozoospermia

Teratozoospermia e quajtur ndryshe edhe teratospermia, përfshin ato raste në të cilat kemi probleme me morfologjinë (cilësinë) e spermatozoideve. Në spermën e këtyre meshkujve spermatozoidet prodhohen me forma jo normale. Këto defekte të formës mund të prekin kokën, trupin dhe / ose bishtin e spermatozoidit. Analiza që e zbulon teratozoosperminë është spermiograma.

Edhe një mashkull normal që nuk ka probleme me fertilitetin mund të ketë spermatozoide me forma jo normale, por këto nuk duhet të kalojnë një nivel të caktuar. Një spermiogramë do të quhet me morfologji normale nqs spermatozoidet me forma normale do të përbënin ≥ 4% (nqs vlerësimi do të bëhej sipas kritereve të WHO – Organizatës Botërore të Shëndetësisë) ose ≥ 15%  (nqs vlerësimi do të bëhej sipas klasifikimit Krűger). Nqs do të kemi më pak se kaq spermatozoide me forma normale në spermiogramë atëherë mashkulli do të klasifikohet me teratozoospermi.

Përvec formës (morfologjisë) së spermatozoideve, aftësia fertile e meshkujve varet edhe nga faktorë të tjerë si janë përqëndrimi (numri) dhe lëvizshëmria (motiliteti) i spermatozoideve në spermë. Vetë teratozoospermia konsiderohet një shkak infertiliteti mashkullor për shkak se spermatozoidet janë të paaftë të fertilizojnë vezën.

Nga se shkaktohet teratozoospermia?

Jo gjithnjë është e mundur të gjenden shkaqet e tartozoospermisë. Ndër shkaqet më të shpeshta janë ato gjenetike, trajtimet ndaj kancerit (kimioterapia, radioterapia), infeksionet (orkiti), trauma testikulare, varikoçela, teperatura e lartë, diabeti, duhani, alkooli, puna në ambiente oksike etj.

A mund të trajtohet teratozoospermia?

Një mashkull me teratozoospermi mund të arrijë një shtatzani në mënyrë natyrale për sa kohë që parametrat e tjerë të spermës janë normale (përqëndrimi dhe lëvizshmërina). Përmirësimi i mënyrës së jetesës dhe shmangia (nqs është e mundur) e faktorëve që kanë ndikim negative mbi cilësinsë e spermës (lëndët toksike, duhani, alkooli, ushqimi jo cilësor etj).

Nga ana tjetër, përdorimi i multivitaminave me përmbajtje L-Carnitinë, Omega-3 dhe Vit E mund të japë efekte positive në përmirësimin e cilësisë së spermatozoideve.

Në rast se koha kalon dhe pavarësisht këtyre ndryshimeve shtatzania vonon, atëherë duhet të merret në konsideratë Inseminimi Intrauterin – IUI (për rastet e lehta) dhe Fertilizimi In Vitro me Intracytoplasmatic Sperm Injection – ICSI (për rastet e rënda).

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!