Vetëm një tub i hapur …Si mund të arrihet shtatzania?

1 në 3 femra infertile që paraqiten për konsultë infertiliteti kanë probleme me tubat e Fallopit. Problemet me tubat kanë shumë rëndësi pasi janë tubat vendi ku takohet veza me spermatozoidin dhe ku ndodh koncepsioni (fertilizimi) natyral. Ndërkohë që disa prej tyre i kanë të dy tubat e bllokuar, një pjesë prej tyre ka vetëm njërin tub të bllokuar.

 

Për femrat që i kanë të dy tubat e bllokuara e vetmja mënyrë për të arritur shtatzaninë është Fertilizimi In Vitro.

Por për femrat që kanë vetëm njërin prej tubave të bllokuar situata ndryshon pasi ka disa variante trajtimi përpara se të kalojmë në Fertilizim In Vitro.

  • Nqs rezerva ovariane e zonjës dhe sperma e partnerit janë në nivele të kënaqshme, dhe nqs kohëzgjatja e infertilitetit është e shkurtër, rekomandimet e mia do të ishin për të pritur edhe pak koncepsionin natyral.
  • Nqs kohëzgjatja e infertilitetit është më e gjatë dhe nqs ka edhe të tjerë faktorë që vonojnë shtatzaninë (probleme me rezervën ovariane ose me spermën) atëherë nuk mund të pritet më që shtatzania të arrijë në mënyrë natyrale. Në të tilla raste teknikat e riprodhimit të asistuar (IUI ose IVF) janë teknikat e rekomanduara. IUI (Inseminimi artificial) është shumë më pak efektiv në rastet me vetëm një tub të hapur duke dhënë jo më shumë se 8 – 10 % shanse për shtatzani. Megjithatë IUI duke qenë se është një teknikë e thjeshtë mund të ofrohet përpara se të kalojmë në Fertilizim In Vitro. Në shumicën e rasteve, problem që ka dëmtuar njërin tub, ka shkaktuar tashmë probleme edhe në tubin tjetër pavarësisht se ky i fundit mund të duket i hapur në HSG. Kjo është arsyeja se shumica e këtyre rasteve përfundojnë në Fertilizim In Vitro. Fertilizimi In Vitro është një trajtim që mund të arrijë deri në 60% shanse për sukses.
Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!