Endometrioza

Endometrioza

Çfarë është Endometrioza?

Shtresa që vesh zgavrën e mitrës quhet endometër dhe është përgjegjëse për menstruacionet dhe implantimin e embrionit. Kjo shtresë është e ndërtuar nga qeliza endometriale.

Endometrioza është një sëmundje kronike ku qeliza endometriale lokalizohen dhe rriten jashtë mitrës.

Endometrioza prek më shpesh vezoret, zorrët dhe indet pelvike (pjesa më e poshtme e barkut). Rrallë here indet dhe qelizat endometriotike mund të shpërndahen edhe jashtë këtij regjioni.

Gjatë zhvillimit të sëmundjes qelizat dhe indet e endometriozës vazhdojnë të sillen sikur të ishin në miter; fillimisht indet endometriotike rriten, trashen, dhe me pas japin hemorragji gjatë cdo cikli menstrual. Duke qene se nuk kane si të dalin jashtë trupit, ato grumbulllohen në vendin apo organin ku janë implantuar. Indet që i strehojnë këto qeliza reagojnë duke zhvilluar aderenca (ngjitje) ose duke i inkapsuluar në kiste endometrioze (endometrioma). E gjithe kjo dinamikë shkakton dhimbje, ndonjëherë të forta, sidomos gjatë menstruacioneve.

Cilat janë pasojat e endometriozës?

  • Menstruacione të dhimbshme (dismenorrea). Dhimbjet pelvike dhe krampet mund të nisin para ardhjes e të zgjatin disa ditë gjatëë gjatë ciklit.
  • Dhimbje gjatë / pas kontaktit seksual.
  • Dhimbje gjatë lëvizjeve të zorrëve apo gjatë urinimit, më të shprehura gjatë ciklit menstrual
  • Spoting dhe crregullime menstruale.
  • Infertilitet
  • Simptoma të tjera: lodhje, diarre, konstipacion, fryrje të barkut, të përziera, sidomos gjatë ciklit.

Cilat janë shkaqet e endometriozës?

Ende nuk dihen shkaqet të cilat çojnë në shfaqjen e endometriozës. Për momentin shpjegimi i endometriozës bazohet në 3 teoritë e mëposhtme:

  • Teoria e Sampson-it: Sipas tij, një pjesë e fluksit të gjakut menstrual kalon në mënyrë retrograde nga mitra përmes tubave duke dalë kështu në pelvis (pjesa fundore e barkut). Ky fluks përmban qeliza endometriale të cilat atashohen (implantohen) në sipërfaqet jashtë mitrës duke shkaktuar endometriozë.
  • Teoria e Mayer-it: Sipas tij, disa qeliza të peritoneumit (cipa që vesh fundin e barkut) shndërrohen në qeliza endometriale.
  • Teoria vaskulare: sipas kësaj teorie, qelizat endometriale migrojnë përmes enëve të gjakut nga mitra dhe pasi arrijnë në inde dhe organe të tjera, implantohen aty duke dhënë endometriozë.

Kur shfaqet?

Endometrioza zhvillohet disa vite pas ardhjes së ciklit menstrual (menarka), qetësohet përkohësisht gjatë shtatëzanisë dhe qetësohet me hyrjen në menopauzë.

Si diagnostikohet endometrioza?

Si fillim kërkohet detyrimisht një ekzaminim gjinekologjik i shoqëruar me ekografinë gjinekologjike. Idealja do të ishte që ekografia të kryhet nga një gjinekolog me ekspertizë të lartë në ekografi gjinekologjike.

  • Ekzaminimi gjinekologjik dhe Ekografia gjinekologjike (kryesisht ajo transvaginale).
  • Analiza laboratorike: Markuesi CA-125 kërkohet shpesh megjithëse është me sensibilitet te ulët.
  • Laparoskopia është e vetmja mënyrë për të sigururar praninë e endometriozës, shtrirjen e saj dhe mjekimin e saj.

Si mund të trajtohet endometrioza?

Trajtimi mund të jetë kirurgjikal ose medikamentoz. Zgjedhja varet nga graviteti i semundjes, shenjat dhe dëshirës për të patur fëmijë.

Për trajtimin e dhimbjeve mund të përdoret ibuprofen si dhe cdo anti-inflamator jo-steroid (aspirin / etodolak etj).

Terapia hormonale

Terapia hormonale është efektive në reduktimin apo heqjen e dhimbjeve.

  • Kontraceptivët kontrollojnë ndryshimet menstruale ciklike mujore. Kjo redukton dhe dhimbjet në format e lehta dhe të mesme.
  • Gonadotropin-releasing hormone (Gn-RH) agonists.
  • Danazoli .
  • Medroxy-progesterone (Depo-Provera)

Trajtimi hormonal është efikas vetëm në kohëzgjatjen e mjekimit. Pas ndërprerjes së tij, simptomat e endometriozës (dhimbja) kthehen sërish.

Trajtimi kirurgjikal

Trajtimi kirurgjikal mund të jetë konservator (kur femra dëshiron të ruajë fertilitetin) ose radikal.

  • Kirurgjia koservative që synon vetëm në heqjen e vatrave të endometriozës, kisteve endometriotike, apo heqjen e aderencave të brendshme nëpermjet laparoskopisë apo kirurgjisë së hapur, duke ruajtur tërësinë e aparatit riprodhues.
  • Kirurgjia radikale rezervohet në format e rënda të endometriozes dhe kur femra e ka mbyllur planifikimin familjar. Në trajtimin kirurgjikal radikal kryhet histerekotomi totale bashkë me heqjen e vezoreve.

Fertiliteti & Endometrioza

Që të ndodhë shtatëzania duhet që qeliza vezë e cliruar nga vezorja, të përshkrojë tubin e Fallopit të asaj ane, të fertilizohet nga një spermatozoid që do të jetë ngjitur deri në brendësi të këtij tubi, më pas kjo vezë e fertilizuar të shkojë dhe të implantohet në murin e brendshëm të mitrës.

  • Endometrioza mund të dëmtoje tubat e Fallopit duke penguar bashkimin e qelizes vezë me spermatozoidin.
  • Endometrioza dëmton rezervën e vezëve dhe cilësinë e tyre nqs ajo prek vezoret.

Të gjitha këto demtojnë fertilitetin tek femra. Është fakt se femrat me endometriozë janë shanse më të pakta se femrat që nuk kanë endometriozë për të patur një shtatzani. Afërsisht 30-50 % e grave me endometriozë kanë vështirësi për të arritur shtatëzaninë.

 

Duke qenë se endometrioza dëmton fertilitetin femëror qoftë për një shtatzani natyrale por edhe përmes një Fertilizimi In Vitro, rekomandohet që femrat e prekura me endometriozë të mendojnë disi më shpejt për të patur fëmijë.

Është fakt se infertiliteti është më i shpeshtë në femrat me endometriozë dhe se shumë femra me endometriozë përfundojnë në Fertilizim In Vitro.