Rezerva Ovariane

Rezerva Ovariane

Rezerva ovariane është një term që përdoret për të përcaktuar aftësinë e vezoreve të një femre për të prodhuar vezë të cilat të jenë të afta për tu fertilizuar dhe dhënë një shtatzani. Termi rezervë ovariane zakonisht i referohet sasisë, cilësisë dhe mundësisë për tu zhvilluar më tej, të vezëve të mbetura në vezore në një moment të caktuar të jetës së femrës. Ky numër njihet ndryshe dhe rezerva folikulare.

Është një fakt biologjik i njohur prej vitesh tashmë që femrat hyjnë në jetë me rreth 1-2 milion vezë. Me kalimin e viteve, numri dhe cilësia e vezëve reduktohet. Kështu kur femra fillon jetëm menstruale (në pubertet) kanë mbetur 300 000 – 500 000 vezë në vezoret e saj. Vitet kalojnë dhe numri i vezëve të mbetura pakësohet dhe nga ana tjetër incidence e vezëve me anomali kromozomiale rritet. Për rjedhojë femrat në moshë të madhe kanë një fertilitet më të ulët dhe një probabilitet për abort spontan më të madh se femrat më të reja.

Ekzistojnë teste dhe analiza të ndryshme për të matur rezervën ovariane. Këto teste korrelojnë edhe me shanset për sukses të trajtimeve të infertilitetit pavarësisht nga mosha e pacientit.

Femra të ndryshme kanë rezervë të ndryshme ovariane !

Në disa femra, rezerva ovariane dhe fertiliteti reduktohen disi më shpejt, në një moshë më të hershme nga sa pritet. Ndër faktorët që kontribuojnë në këtë reduktim premature të rezervës ovariane përmendim: duhanin, trajtimet e ndryshme kundër kancerit (kirurgji, radioterapi, kimioterapi), endometrioza dhe interventet kirurgjikale në vezore. Në disa femra konstatohet edhe një predispozicion gjenetik familjar që sugjerohet nga hyrja e nënave ose motrave të tyre më herët në menopauzë.

Si ndryshon rezerva me kalimin e viteve?

Dihet tashmë se femra në momentin që lind (vjen në jetë) ka numrin më të madh të ovociteve (vezëve).

  • Me kalimin e viteve, numri i vezëve në vezore (ovare) reduktohet.
  • Nga ana tjetër, numri i vezëve me anomali kromozomiale rritet.
  • Një femër në një moshë të madhe ka një fertilitet të reduktuar dhe një rrezik më të lartë për abort (humbje të shtatzanisë nqs arrin të mbetet shtatzanë) se sa një femër e re. Pas moshës 35 vjeçare, fertiliteti tek femrat reduktohet me shpejtësi për shkak të reduktimit të rezervës folikulare.

Si kuptohen nivelet e rezervës ovariane?

Nivelet e rezervës ovariane ndikojnë edhe në karakteristikat e ciklit menstrual tek femra. Ndryshime në cikël shpesh herë shkojnë paralel edhe me ndryshimet e rezervës ovariane.

  • Shkurtimi i ciklit menstrual dhe i ditëve me hemorragji prej kohësh dihet që lidhet me reduktimin e rezervës ovariane. Megjithatë kjo nuk konstatohet në të gjitha femrat me rezervë ovariane të reduktuar.
  • Ndryshimet e lidhura me moshën të karakteristikave hormonale të ciklit menstrual korrespondojnë edhe me një zvogëlim të vëllimit të vezoreve dhe për rjedhojë edhe të numrit të folikujve antralë.

Mjeku specialist në infertilitet është në gjendje të gjykojë mbi rezervën ovariane duke kërkuar disa analiza të profilit hormonal (ku më rëndësi ka AMH), si edhe në bazë të të dhënavë të ekografisë transvaginale.

error: Content is protected !!