Infertiliteti i pashpjegueshëm

Infertiliteti i pashpjegueshëm

Kur shtatzania vonon, pyetja e parë që shtrohet është se përse ndodh kjo vonesë? Për këtë arsye çifti i nënshtrohet një proçesi diagnostik nga mjeku specialist në infertilitet i cili përfshin hetimin e historisë mjeksore dhe analizat përkatëse tek femra dhe mashkulli. Por pavarësisht këtij proçesi, në disa çifte nuk është e mundur gjetja e shkakut të infertilitetit. Më poshtë janë disa fakte që duhet ditur patjetër lidhur me infertilitetin e pashpjegueshëm:

Rreth 30 % e çifteve infertilë klasifikohen me infertilitet të pashpjegueshëm.

Nuk ka gjë më frustruese se sa të jesh përballë të panjohurës në mënyrë kronike. Analizat bazike që kryhen për të hetuar infertilitetin do të identifikojnë vetëm shkaqet madhore se përse shtatzania vonon, por nuk mund të identifikojnë të gjitha shkaqet! Për shembull nuk ka asnjë test që të vlerësojë cilësinë e vezëve!

Cilat janë shkaqet e infertilitetit të pashpjegueshëm?


Pavarësisht se klasifikohet si infertilitet i pashpjegueshëm, kjo nuk do të thotë se ka nuk ekziston asnjë shkak. Sigurisht që ka një apo disa faktorë që janë përgjegjës për infertilitetin e quajtuar “të pashpjegueshëm”, por që nuk mund të identifikohen që në fillim përmes analizave standarte. Megjithatë eksperienca që vjen nga Riprodhimi Artificial (Fertilizimi In Vitro) arrin të identifikojë disa prej këtyre shkaqeve. Këtu mund të përmendim:

  • Dëmtime gjenetike të spermatozoideve. Spermatozoidet me defekte gjenetike mund të jenë të paaftë për të fertilizuar vezën ose edhe në rast se fertilizimi ndodh kjo mund të rezultojë në embrione me cilësi jo të mirë të cilët nuk mund të japin një shtatzani. Për të identifikuar këto raste duhet të kryhet studimi gjenetik i spermatozoideve sic është analiza e defragmentimit të AND spermatike.
  • Defektet gjenetike tek vezët. Mundësia për defekte gjenetike tek vezët e një femre dihet që rritet me rritjen e moshës. Edhe nqs një femër ka një cikël menstrual të rregullt, është e mundur që cilësia e ovociteve të jetë e prekur dhe për rjedhojë kjo rezulton në mungesë fertilizimi ose në embrione me cilësi jo optimale dhe me potencial implantimi dhe zhvillimi të reduktuar.
  • Defektet embrionale. Një nga avantazhet e teknikave artificiale të riprodhimit është edhe monitorizimi i morfologjisë dhe i mënyrës se si zhvillohen embrionet në laborator. Embrionet me qeliza asimetrike, fragmentime, bërthama multiple ose me zhvillim të ngadaltë konsiderohen si embrione me cilësi suboptimale (jo të mirë). Këta embrione kanë më tepër mundësi të ndalojnë në zhvillimin e tyre ose të japin humbje të hershme të shtatzanisë.
  • Dështimet në implantim. Që një embrion të atashohet në murin e mitrës dhe të zhvillohet, duhet që endometriumi (shtresa që vesh murin e brendshëm të mitrës) të jetë receptive dhe të ketë një sinkronizim perfekt mes embrionit dhe endometrumit. Kur dritarja e implantimit nuk përkon me zhvillimin embryonal atëherë kjo mund të rezultojë në mungesë të implantimit dhe në pamundësi për të dhënë një shtatzani.

Të gjitha këto situata mund të shkaktojnë infertilitet që nuk mund të shpjegohet me analizat e zakonshme.

Si trajtohet infertiliteti i pashpjegueshëm?


Megjithëse shanset që të arrihet shtatzania në mënyrë spontane në një cikël menstrual tek popullata e përgjithshme është 20%, tek çiftet me infertilitet të pashpjegueshëm këto shanse janë më pak se 4%. Kjo shifër nuk u ofron shumë shpresa çifteve me infertilitet të pashpjegueshëm. Pritja në këto raste nuk është një opsion!

Përpara se të kaloni në trajtimet komplekse, është mirë të filloni me trajtimet më të thjeshta (programim kontakti seksual, inseminim intrauterin), pasi një pjesë e mirë (rreth 30%) e pacienteve me infertilitet të pashpjegueshëm mund të arrijnë shtatzaninë në këtë mënyrë.

Pas 3 vitesh pritje, 30 – 60 % e çifteve me infertilitet të pashpjegueshëm do të arrijnë shtatzaninë pa asnjë trajtim.

Pritja është më se normale vitin e parë të përpjekjeve, por të vihesh në pritje edhe për 3 vite të tjera për të patur shanset e mësipërme kjo mund të jetë shumë sfilitëse. Jo të gjitha femrat janë të gatshme të presin kaq shumë. Për më tepër, edhe pse mund të kenë zgjedhur variantin “le të presim” për infertilitetin e pashpjegueshëm, jo të gjitha çiftet do të kenë në fund të këtij 3 vjeçari beben e dëshiruar. Sepse, pavarësish se i pashpjegueshëm, ky lloj infertiliteti e ka në fund të fundit një shkak!

Por në vend të alternativës “le të presim”, pavarësisht se nuk dëshironi të kërkoni ndihmën e mjekut atëherë të paktën këto çifte duhet të modifikojnë dietën dhe stilin e jetës nqs ka mundësi. Një dietë e shëndetshme, e pasur në fibra dhe me më pak yndyrna dhe aktiviteti fizik mund të përmirësojnë shanset e pritjes.

Infertiliteti i pashpjegueshëm shpesh të drejton drejt Fertilizimit In Vitro si opsionin e vetëm.

Studimet kanë treguar se çiftet me infertilitet të pashpjeguar dhe që nuk kanë patur sukses pas 3 cikleve me Clomid dhe Inseminim Intrauterin duhet të provojnë Fertilizimin In Vitro si alternativën e tyre të vetme për të patur një shtatzani.

Avantazhet e Fertilizimit In Vitro në këto raste është se mund të zbulojë disa faktorë infertiliteti që asnjë analizë nuk mund ta zbulojnë. Për shembull, cilësia jo e mirë e vezëve dhe embrioneve zbulohen vetëm në një cikël Fertilizimi In Vitro.

Për më tepër, Fertilizimi In Vitro është mjaft rezultativ për femrat nën moshën 35 vjeçare. Megjithëse ky sukses zvogëlohet me kalimin e viteve, sërish mbetet një alternativë më e mirë se pritja.

error: Content is protected !!