Veza & Ora biologjike

Në ndryshim nga mashkulli, që prodhon me miliona spermatozoide në një ejakulacion, femra prodhon vetëm një vezë në muaj. Veza e maturuar është ndër qelizat më të mëdha në organizmin e njeriut duke arritur dimensione 0.1 – 0.2 mm. Në krahasim me spermatozoidin, veza është shumë herë më e madhe. Forma e saj është thuajse perfekte sferike dhe pjesën më të madhe të saj e zë citoplazma.

Çfarë janë vezoret?

Ovaret (vezoret) janë dy organe me dimensione që variojnë nga 3-6 cm të lokalizuara në pelvisin e femrës, në të dy anët e uterusit dhe në afërsi me skajin distal të tubave të Fallopit. Ovaret përmbajnë gametet femërore të quajtura ovocite. Ovocitet në zhargonin e përditshme quhen ndryshe edhe vezë.

Si ndodh rritja & maturimi i vezëve?

Vezoret përmbajnë folikuj. Folikujt janë struktura të mbushura me likid (lëng) në të cilat ovocitet rriten dhe maturohen. Dihet tashmë që femrat në momentin që vijnë në jetë kanë numrin më të madh të gametëve (vezëve). Kjo quhet rezerva ovariane. Në momentin e lindjes rezerva ovariane përmban 1 – 2 milion vezë. Femrat nuk mund të prodhojnë vezë të tjera ose të reja, dhe në fakt ekziston një reduktim i vazhdueshëm i këtij numri total vezësh i cili vazhdon cdo muaj. Në momentin që një femër hyn në adoleshencë, rezerva ovariane është reduktuar tashmë në rreth 300 000 – 500 000 vezë. Përgjatë 30 – 40 viteve të jetës riprodhuese të femrës, e gjithë rezerva ovariane vjen një moment që “shpenzohet” dhe arrin në fund. Është kjo arsyeja se përse shumë femra fillojnë të kenë vështirësi në arritjen e shtatzanisë pas moshës 37 vjeçare. Në moshën e menopauzës, praktikisht nuk do të ketë asnjë ovocit.

Shumica e vezëve që përmban rezerva ovariane janë imature (jo të pjekura) ose primordiale. Që të ovulojë një vezë duhet të rritet dhe të maturohet. Vezët janë të “depozituara” në folikuj. Gjatë jetës së femrës, një numër i madh vezësh do të rekrutohen për të filluar rritjen, zhvillimin dhe maturimin. Megjithatë, shumica e tyre nuk do të arrijë maturimin e plotë. Shumica e tyre do të “vdesin” në një process që quhet atrezi. Kështu që vetëm 300 – 500 nga vezët e rezervës ovariane do të arrijnë të maturohen gjatë jetës riprodhuese të femrës. Të kuptohemi drejt: ky është një fenomen normal përmes të cilit trupi i femrës përpiqet të selektojë vezët me cilësi më të mirë për ovulacion dhe fertilizim.

 

Procesi i maturimit të vezëve zakonisht zgjat rreth 14 ditë dhe mund të ndahet në dy faza. Gjatë fazës fillestare, rreth 1000 vezë “rekrutohen” dhe fillojnë të zhvillohen dhe maturohen. Faza e dytë kërkon stimuj hormonal për të vazhduar zhvillimin dhe maturimin. Pavarësisht këtij numri të “rekrutuar”, zakonisht vetëm një vezë do të arrijë maturimin e plotë dhe do të jetë e aftë për ovulacion dhe fertilizim. Pjesa tjetër e mbetur nga “rekrutet” do të “vdesë”. Në vajzat përpara adoleshëncës, duke qenë se ende nuk prodhojnë hormonel gonadale që janë të nevojshme për fazën e dytë, atëherë të gjithë vezët e rekrutuara do të “vdesin”. Është pikërisht ky fenomen që shpjegon reduktimin konstant të rezervës ovariane me kalimin e viteve.

 

Në femrat pas pubertetit, folikuli dominant vazhdon të zhvillohet në sajë të stimulit hormonal. Kur ajo arrin maturimin e plotë, membrana e folikulit rupturohet dhe lëngu folikular së bashku me vezën e maturuar lëshohen jashtë folikulit. Oovociti (veza) më pas udhëton përmes tubit të Fallopit drejt uterusit. Veza është e gatshme të fertilizohet për një periudhë të shkurtër kohore që varion nga 12 – 24 në orë. Nqs veza nuk fertilizohet brenda këtij intervali atëherë ajo do të vdesë.

Këto fenomene në seri përsëriten gjatë gjithë jetës riprodhuese të femrës deri sa të gjitha ovocitet të kenë mbaruar. Pas këtij momenti femra hyn në menopauzë. Zakonisht femrat hyjnë në menopauzë rreth moshës 48 – 52 vjeç. Hyrja në menopauzë përpara moshës 40 vjeçare quhet menopauzë e parakohëshme dhe mund të ndodh për shumë shkaqe (të trashëgueshme, endometrioza, intervente kirurgjikale, trajtime ndryshme kundër kancerit etj).

Përse vlen ky informacion?


Njohja e këtyre fakteve ka për qëllim informimin sa më të plotë të femrave mbi ditët fertile dhe të rikujtojë konceptin e orës biologjike. Në këtë mënyrë do ta kenë më të lehtë të optimizojnë planifikimin familjar sipas kërkesave personale apo sipas situatave të ndryshme që mund të sjellë jeta.

error: Content is protected !!