Në të kaluarën endometrioza cilësohej në mënyrë të gabuar si një sëmundje e heshtur, megjithëse një pjesë e mirë e femrave me endometriozë kanë dhimbje dhe diskonfort të një intensiteti të lartë. Për këtë arsye, duhet të vlerësohen me një kujdes të vecantë ato femra të cilat referojnë dhimbje të forta kronike gjatë ciklit menstrual. Mundësia që ato të jenë të prekura nga endometrioza është e lartë. Në këtë mënyrë diagnoza e endometriozës, e për rjedhojë edhe mjekimi, do të ishte më i hershëm.
Çfarë është?
Shtresa që vesh zgavrën e mitrës quhet endometër dhe është përgjegjëse për menstruacionet dhe implantimin e embrionit. Kjo shtresë është e ndërtuar nga qeliza endometriale. Endometrioza është një sëmundje kronike ku qeliza endometriale lokalizohen dhe rriten jashtë mitrës. Endometrioza prek më shpesh vezoret, zorrët dhe indet pelvike (pjesa më e poshtme e barkut). Rrallë here indet dhe qelizat endometriotike mund të shpërndahen edhe jashtë këtij regjioni.
Gjatë zhvillimit të sëmundjes qelizat dhe indet e endometriozës vazhdojnë të sillen sikur të ishin në miter; fillimisht indet endometriotike rriten, trashen, dhe me pas japin hemorragji gjatë çdo cikli menstrual. Duke qene se nuk kane si të dalin jashtë trupit, ato grumbulllohen në vendin apo organin ku janë implantuar. Indet që i strehojnë këto qeliza reagojnë duke zhvilluar implante ose aderenca (ngjitje) ose duke i inkapsuluar në kiste endometrioze (endometrioma). E gjithë kjo dinamikë shkakton dhimbje, ndonjëherë të forta, sidomos gjatë menstruacioneve.
Sa e shpeshtë është endometrioza?
Endometrioza prek 10% të femrave në tërësi dhe 30 – 50 % të femrave që kanë probleme me fertilitetin.
Cilat janë pasojat e endometriozës?
Disa femra me endometrioza mund të mos kenë asnjë simptomë apo ankesë. Ndërkohë që disa të tjera mund të kenë mjaft simptoma dhe ankesa. Ankesat më të zakonshme të endometriozës janë dhimbja gjatë menstruacioneve (dismenorrea). Implantet endometriotike i përgjigjen ndryshimeve hormonale; kjo do të thotë se ato gjatë emnstruacioneve prodhojnë gjak menstrual i cili nuk arrin të evakuohet. Ky gjak menstrual që nuk evakuohet, shkakton inflamacion të indeve ku prodhohet duke dhënë si rezultat aderenca (ngjitje) mes organeve te ndryshme.
Të përmbledhura, simptomat e endometriozës janë si vijon:
- Menstruacione të dhimbshme (dismenorrea).Dhimbjet pelvike dhe krampet mund të nisin para ardhjes e të zgjatin disa ditë gjatëë gjatë ciklit.
- Dhimbje gjatë / pas kontaktit seksual.
- Dhimbje gjatë lëvizjeve të zorrëve apo gjatë urinimit,më të shprehura gjatë ciklit menstrual
- Spoting dhe crregullime menstruale.
- Infertilitet
- Simptoma të tjera: lodhje, diarre, konstipacion, fryrje të barkut, të përziera, sidomos gjatë ciklit.
Cilat janë shkaqet e endometriozës?
Ende nuk dihen shkaqet të cilat çojnë në shfaqjen e endometriozës. Për momentin shpjegimi i endometriozës bazohet në 4 teoritë e mëposhtme:
- Menstruacioni retrograde (Teoria e Sampson-it): Sipas tij, një pjesë e fluksit të gjakut menstrual kalon në mënyrë retrograde nga mitra përmes tubave duke dalë kështu në pelvis (pjesa fundore e barkut). Ky fluks përmban qeliza endometriale të cilat atashohen (implantohen) në sipërfaqet jashtë mitrës duke shkaktuar endometriozë.
- Metaplasia (Teoria e Mayer-it): Sipas tij, disa qeliza të peritoneumit (cipa që vesh fundin e barkut) shndërrohen në qeliza endometriale.
- Çrregullime të sistemit imunitar: Paaftësia e organizmit të femrave ,e endometriozë për të shkatërruar implantet endometriotike.
- Teoria vaskulare: sipas kësaj teorie, qelizat endometriale migrojnë përmes enëve të gjakut nga mitra dhe pasi arrijnë në inde dhe organe të tjera, implantohen aty duke dhënë endometriozë.
Me shumë mundësi kemi të bëjmë me disa mekanizma njëherësh.
Si diagnostikohet endometrioza?
Si fillim kërkohet detyrimisht një ekzaminim gjinekologjik i shoqëruar me ekografinë gjinekologjike. Në disa raste, kur informacioni që jep ekografia nuk mjafton, mund të kërkohet MRI (Rezonancë Magnetike). Analizat laboratorike (Markuesi CA-125) kërkohen shpesh megjithëse është me sensibilitet te ulët. Laparoskopia është e vetmja mënyrë për të sigururar praninë e endometriozës, shtrirjen e saj dhe mjekimin e saj.
Si mund të trajtohet endometrioza?
Për momentin nuk ka asnjë trajtim që të shërojë endometriozën. Mund të flasim vetëm për trajtime për të mbajtur nën kontroll simptomat e endometriozës. Zgjedhja e trajtimit varet nga graviteti i sëmundjes, shenjat dhe dëshirës për të patur fëmijë. Alternativat e trajtimit janë analgjezikët, preparatet hormonale, kirurgjia.
Analgjezikët: në femrat me endometriozë të moderuar, për trajtimin e dhimbjeve mund të përdoret ibuprofen si dhe çdo anti-inflamator jo-steroid (aspirin / ibuprofen, etodolak etj). Megjithatë këto nuk kanë efekt në të gjitha pacientet.
Terapia hormonale: Endometriosis, duke qenë një sëmundje e ndjeshme ndaj ndryshimeve hormonale, mund të trajtohet me preparate të ndryshme hormonale. Kjo mund të sjellë një qetësim të simptomave dhe ngadalësim të ecurisë. Ndër preparatet hormonale më të përdorura në këtë drejtim janë kontraceptivët oralë, progestativët dhe agonistët e GnRH. Trajtimi hormonal është efikas vetëm në kohëzgjatjen e mjekimit. Pas ndërprerjes së tij, simptomat e endometriozës (dhimbja) kthehen sërish.
Trajtimi kirurgjikal mund të jetë konservator (kur femra dëshiron të ruajë fertilitetin) ose radikal.
- Kirurgjia konservative që synon vetëm në heqjen e vatrave (lezioneve) të endometriozës, kisteve endometriotike (kistet çokollatë), apo heqjen e aderencave të brendshme nëpermjet laparoskopisë apo kirurgjisë së hapur, duke ruajtur tërësinë e aparatit riprodhues.
- Kirurgjia radikale rezervohet në format e rënda të endometriozes dhe kur femra e ka mbyllur planifikimin familjar. Në trajtimin kirurgjikal radikal kryhet histerekotomi totale bashkë me heqjen e vezoreve.
Fertiliteti dhe endometrioza
Jo të gjitha femrat me endometriozë do të kenë infertilitet. Por 30-50 % e femrave me endometrioza do të kenë vështirësi në arritjen e shtatzanisë. Endometrioza është shkaku i tretë më i shpeshtë i konsultave për infertilitet femëror.
Endometrioza dëmton rezervën ovariane të vezëve si në numër, ashtu edhe në cilësi. Endometrioza mund të dëmtoje tubat e Fallopit duke penguar bashkimin e qelizes vezë me spermatozoidin. Të gjitha këto dëmtojnë fertilitetin tek femra.
Duke qenë se endometrioza dëmton fertilitetin femëror qoftë për një shtatzani natyrale por edhe përmes një Fertilizimi In Vitro, rekomandohet që femrat e prekura me endometriozë të mendojnë disi më shpejt për të patur fëmijë.