9 Gabimet qe bejne femrat infertile

Në një pjesë të mirë të rasteve, ardhja e një fëmije vonohet për shkak edhe të disa gabimeve që femrat kryejnë spontanisht apo edhe me rekomandimet e farmacistit apo ndonjë mjeku që nuk ka eksperiencën e duhur në trajtimin e infertilitetit.

Më poshtë po rendisim se cilat janë këto gabime që femrat bëjnë shpesh:

  1. Fillojnë të marrin kontraceptivë “për të rregulluar ciklin e tyre” pa ditur më parë se cili është shkaku që cikli i tyre është i çrregullt.
  2. Nuk u japin rëndësi menstruacioneve me fluks të tepërt (më të bollshëm se norma).
  3. Shqetësohen më tepër për sekrecionet e tyre fiziologjike (normale) vaginale.
  4. Zgjedhja e momentit të gabuar: kryejnë kontakt seksual në momentin më pak fertil të ciklit të tyre.
  5. Mendojnë se çdo femër ka një cikël menstrual 28 ditor dhe për rjedhojë çdo femër duhet të ovulojë në ditën 14.
  6. Nuk dinë ose përtojnë të rregjistrojnë dhe ndjekin ciklet e tyre menstruale.
  7. Mundohen të “maksimalizojnë” shanset për shtatzani duke “ruajtur” spermën duke planifikuar kontaktin seksual vetëm për ditët fertile.
  8. Mundohen të planifikojnë kontaktin seksual duke u nisur nga matja ditore e temperaturës trupore.
  9. Nuk zgjedhin specialistin e duhur në infertilitet.

Për të kuptuar më mirë dhe për ti shmangur këto gabimë le të fokusohemi më poshtë mbi shpjegimet përkatëse.

Fillojnë të marrin kontraceptivë “për të rregulluar ciklin e tyre” pa ditur më parë se cili është shkaku i ciklit të çrregullt. 


Menstruacionet e çrregullta janë tregues i faktit që ju mund të mos ovuloni (mund të mos keni ovulacion) në periudhën në fjalë. Kjo gjendje quhet anovulacion; dhe femrat që nuk ovulojnë do të kenë cikle jo të rregullta dhe për rjedhojë do të jenë infertile. Infertiliteti këtu rezulton nga mungesa e ovulacionit (anovulacioni). Duke marrë kontraceptivë ju mund të rregulloni ciklin menstrual; ai do të vijë me rregullsinë e orëve zviceriane, por kjo nuk do të trajtojë shkakun se përse cikli juaj është jo i rregullt (në mungesë të kontraceptivëve). Kjo do të thotë që kur ju të ndaloni kontraceptivët dhe të përpiqeni për të patur një fëmijë, periodat do të çrregullohen sërish pasi ju do të keni sërish anovulacion … Në këtë mënyrë ju do të keni nevojë për ndihmën e një mjeku me eksperiencë në infertilitet për stimulimin e ovulacionit … këtë radhë jo me kontraceptivë!

Nuk u japin rëndësi menstruacioneve me fluks të tepër (më të bollshëm se norma). 


Të pasurit e menstruacioneve me fluks më të madh se norma në shumicën e rasteve nuk përbën ndonjë problem serioz. Por në momentin që ju vëreni një ndryshim në fluks (i cili vjen duke u bërë gjithnjë e më i bollshëm) atëherë ju duhet të drejtoheni tek mjeku. Në këto raste shkaku shitimit të fluksit menstrual mund të jetë i lidhur edhe me infertilitetin tuaj psh: mund të të jetë ndonjë polip endometrial apo ndonjë miomë uterine.

Shqetësohen më tepër për sekrecionet e tyre fiziologjike (normale) vaginale. 


Shumë femra mendojnë se shtatzania nuk vjen pasi trupi i tyre punon në mënyrë jo normale. Shumë prej tyre nuk arrijnë të konstatojnë ritmicitetin e disa ndryshimeve që në fund të fundit janë normale dhe tregojnë funksionim normal të trupit të tyre. Për shembull: shumë femra shqetësohen për shtimin e sekrecioneve vaginale (transparente ose me nuancë lehtësisht opake) në mes të ciklit dhe kujtojnë se kanë ndonjë infeksion. Kjo nuk është aspak e vërtetë! Përkundrazi kjo është shenjë e e ovulacionit normal dhe shtimit të mukusit cervical me qëllim lehtësimin e kalimit të spermës. Pikërisht ky është moment i duhur për të provuar shtatzaninë me anën e konstaktit seksual. Për sa kohë që nuk keni shqetësime të tjera (prurit apo kruarje vaginale, skuqje, sekrecione me ngjyrë apo me aromë të keqe) nuk ken ipse të shqetësoheni nga shtimi i sekrecioneve ne mes të ciklit kur kjo ndodh cdo muaj në mënyrë të rregullt. Mos dëgjoni mjekët që ju kërkojnë të bëni mbjellje të sekrecioneve vaginale në këto raste: kjo provon se ata nuk kanë njohuritë e duhura të ciklit menstrual normal dhe jo më të trajtojnë infertilitetin.

Zgjedhja e momentit të gabuar: kryejnë kontakt seksual në momentin më pak fertil të ciklit të tyre. 


Shumë femra nuk kanë njohuritë e duhura se si të llogarisin ditët e tyre fertile. Për këtë arsye, shpesh herë ato nuk arrijnë të programojne kontaktin seksual në përputhje me ditët fertile … kuptohjet që kjo sjell vonesë të shtatzanisë.

Mendojnë se cdo femër ka një cikël menstrual 28 ditor dhe për rjedhojë cdo femër duhet të ovulojë në ditën 14. 


Kjo është e vërtetë vetëm në libra. Shumë femra normale e kanë ciklin menstrual që varion nga 21 – 35 dite ne femrat adulte dhe nga 21 – 45 ditë ne rastin e femrave adoleshente. Duke qenë se ovulacioni ndodh ≈ 14 ditë përpara ardhjes së periodave të ardhshme, kuptohet që ovulacioni mund të variojë nga dita 7 (në ato femra me cikle 21 ditore) deri në ditën 21 (në femrat me cikle 35 ditore).

Nuk dinë ose përtojnë të rregjistrojnë dhe ndjekin ciklet e tyre menstruale. 


Femrat nuk janë të qarta në lidhje me spotingun (njollat) të cilat i ngatërrojnë me ardhjen e menstruacioneve. Në të vërtetë, këto janë njolla premenstruale dhe duhet të injorohen. Vetëm dita kur fillon fluksi normal do të merret si dita e fillimit të menstruacioneve (Dita 1).

Mundohen të “maksimalizojnë” shanset duke “ruajtur” spermën duke planifikuar kontaktin seksual vetëm për ditët fertile. 


Kjo mund të jetë shumë jo produktive pasi rrit stresin tek burrat. Një mashkull në të tilla raste do të ndihej si i venë në pritje për tu testuar në ditët fertile. Kjo e degradon marrëdhënien në çift në vetëm “për qëllime riprodhimi” dhe kjo është e dëmshme për jetën seksuale të një cifit.

Mundohen të planifikojnë kontaktin seksual duke u nisur nga matja ditore e temperaturës trupore. 


Kjo është një mbetje nga kohët e vjetra kur gjinekologët nuk kishin njohuritë e duhura se si funksiononte sistemi riprodhues. Për të kuptuar në detaje funksionin (normal ose jo) të sistemit riprodhues ka analiza dhe ekzaminime të caktuara. Nga ana tjetër, matja e temperaturës nuk sjell përfitim pasi na jep konkluzione retrospektive (pra për ciklin që ka kaluar) duke e bërë të pamundur për femrën se kur të programojë ditët e tyre fertile. Kjo pasi temperatura rritet pasi ka ndodhur ovulacioni. Moment në të cilën femra nuk është më fertile. Ai mjek që ju rekomandon këtë teknikë, është së paku 40 vite prapa …

Nuk zgjedhin specialistin e duhur në infertilitet. 


Kjo sjell humbje kohe dhe shpenzime të pa justifikuara financiare (për analiza dhe ekzaminime të panevojshme). Zgjedhja e specialistit të duhur në infertilitet është ndoshta pika më delikate ku gabojnë shumë çifte infertile. Ka shumë kritere në të cilat duhet të bazohemi kur duam të bejmë një zgjedhje të tillë. Zgjedhja duhet te marre parasysh edhe stadin final te trajtimit te infertilitetit: Fertilizimin In Vitro. Dihet botërisht që ata mjekë që kryejnë edhe Fertilizim In Vitro, janë më të zotet në menaxhimin e infertilitetit. Kjo nuk do të thotë qe ju duhet të kryeni patjetër Fertilizim In Vitro. Por këta mjekë e njohin të gjithë gamën e trajtimeve të infertilitetit dhe janë më pak të prirur të bëjnë gabime si ndodh rëndom kur zgjidhet një gjinekolog i thjeshtë për trajtimin e infertilitetit i cili perveç së dhënies së Klomidit (clomifen) nuk ka se çfarë tu ofrojë pacienteve …

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!