Mungesa e spermatozoideve në spermë njihet ndryshe edhe me termin Azoospermi. Është një situatë e cila prek 1% të meshkujve në përgjithësi dhe 10% të meshkujve infertilë. Një rezultat i tillë është një traumë e madhe për çiftin në momentin që njihen me të. Fillimisht shfaqet një ndjenjë mosbesimi që bën që analizat të përsëriten disa herë në klinika të ndryshme … dhe përsëri i njëjti rezultat. Përsëri i njëjti rezultat edhe pasi janë ndërruar disa mjekë dhe disa trajtime.
Përballë një rezultati të tillë shumë meshkuj deprimohen pasi e shohin si të pamundur që të kenë fëmijën e tyre.
Vërtet është një problem serioz, por unë gjithnjë mundohem ti qetësoj pacientët duke u theksuar se jo gjithnjë është kështu. Të mos ketë spermatozoide në spermë kjo jo gjithnjë do të thotë që nuk ka spermë në testikuj apo që këta meshkuj nuk mund të prodhojnë spermatozoide.
Në radhë të parë nuk duhet të harrojmë se një mashkull azoospermik nuk është gjithnjë i tillë; dmth mund të ketë periudha në të cilat mund të kemi në ejakulat një numër sa do të vogël spermatozoidesh. Shpesh herë në praktikën time klinike më ka rastisur që në 5 spermiograma të të njëjtin mashkull, 4 të jenë me azoospermia ndërkohë që njera prej tyre të ketë një përqëndrim 0.2 apo 0.5 mil/ml. në të tilla raste, ruajtja e këtij materiali në ngrirje (krioprezervim ose ngrirje e spermës) ofron mundësinë që këto të përdoren në një moment të dytë për të fertilizuar vezët e partneres, duke i dhënë mundësinë mashkullit të ketë fëmijët e tij biologjikë. Ruajtja e spermës mund të kryhet vetëm në qendrat që kryejnë Fertilizim In Vitro.
Në disa raste të tjera, mjekimi mund të japë një ndryshim sado të vogël dhe sërish nqs do të kemi sadopak spermatozoide në spermë ato mund ti ruajmë në ngrirje si shkruajta më lart.
Por në shumë raste të tjera, azoospermia është e qëndrueshme dhe edhe në 10 apo më shumë spermiograma nuk arrijmë të gjejmë asnjë spermatozoid pavarësisht mjekimeve të shumta. Në këto raste jemi të detyruar të kalojmë në teknikat kirurgjikale të tërhejes së spermës nga testikujt. Këto teknika janë aspirimet nga epididimi (PESA – Percutaneous Sperm Aspiration), aspirimi nga testikujt (TESA – Testicular Sperm Aspiration) ose biopsia testikulare (TESE – Testicular Sperm Extraction).
Në varësi të shkakut të azoospermisë ndryshon edhe mundësia për të gjetur spermatozoide përmes këtyre teknikave. Kështu, nqs kemi azoospermia obstruktive, mundësia për të gjetur spermatozoide është më e lartë se 50% ndërkohë që më raste me azoospermi produktive kjo mundësi është më pak se 50%.
Spermatozoidet që arrijnë të gjenden përmes teknikave PESA, TESA apo TESE mund të japin një shtatzani përmes Fertilizimit In Vitro pak a shumë me të njëjtin probabilitet suksesi sa edhe rastet që kryejnë Fertilizim In Vitro për të tjera arsye.
Këshilla ime në këto raste është:
- Të mos humbasin shpresën.
- Të mos humbet kohë me trajtime të stërzgjatura.
- Të ruhet sperma në ngrirje për rastet me azoospermia intermitente.
- Të kuptohet që nuk mund të të ketë trajtim tjetër përveç Fertilizimit In Vitro (edhe ky i mundur vetëm nqs gjemë spermatozoide).
Në rast se të gjitha mjekime dhe teknika nuk arrijnë në rezultatin e dëshiruar atëherë e vetmja mundësi mbetet sperm donation.