Çfarë është infertiliteti mashkullor?
Fertiliteti (pjelloria) e një mashkulli varet nga sasia dhe cilësia e spermatozoideve në spermën e tij. Nqs sperma do të ketë problem me numrin, shpejtësinë dhe morfologjinë e spermatozoideve, atëherë mashkulli do të ketë vështirësi në arritjen e shtatzanisë. Infertiliteti mashkullor diagnostikohet në momentin kur një çift klasifikohet si infertil dhe drejtohet tek mjeku specialist për kryerjen e analizave përkatëse. Analiza fillestare që diagnostikon infertilitetin mashkullor është spermiograma (analiza e spermës).
Sa i shpeshtë është infertiliteti mashkullor?
Mendohet se 1 në 20 meshkuj do të kenë problem me numrin, shpejtësinë apo morfologjinë e spermatozoideve. Ndërkohë që 1/100 meshkuj nuk do të kenë asnjë spermatozoid në ejakulatin e tyre (azoospermi). Infertiliteti mashkullor është përgjegjës për 25 – 40 % të shkaqeve të infertilitetit të çiftit.
Cilat janë shkaqet e infertilitetit tek meshkujt?
Infertiliteti tek meshkujt shkaktohet nga problemet që prekin prodhimin e spermës ose transportin e saj.
- Në 60-70% të rasteve problemi qëndron tek prodhimi i spermës në testikuj. Në këto raste spermiograma tregon reduktim të numrit, cilësisë dhe morfologjisë të spermatozoideve. Këtu mund të përmendim varikoçelën, kriptorkidizmin (mos zbritjen e testikujve në skrotum), infeksionet e ndryshme (pariotit, orkit etj), substancat e ndryshme toksike (duhan, alkohol etj). Në disa raste kemi edhe mungesë totale të prodhimit të spermës si pasojë e defekteve gjenetike / kromozomiale, operacioneve të ndryshme që shoqërohen me heqjen e testikujve (psh ne trauma ose kancer) apo trajtimit për kancer (radioterapi dhe kimioterapi).
- Problemet e transportit takohen në rreth 20% të meshkujve infertilë. Këtu përfshihen rastet me bllokim të tubave që kryejnë transportin e spermës nga testikujt në penis. Këtu mund të përmendim rastet me vasektomi, infeksionet të ndryshme apo pasoja të traumave lokale. Në këto raste kemi azoospermi (pra mungesë totale të spermatozoideve në ejakulat).
- Në rreth 10% të rasteve të mbetura përmendim:
- problemeve seksuale në çift,
- problem ereksioni tek mashkulli
- vaginismus (dhimbje tek femra që bën të pamundur penetrimin vaginal)
- probleme centrale (hipofiza në tru nuk prodhon hormonet e duhura për të venë në punë testikujt që të prodhojnë testosteron dhe spermë).
- problemeve seksuale në çift,
Cilat janë analizat e kërkuara?
Analiza kryesore që i rekomandohet një mashkulli infertile është spermiograma, e cila analizon spermën e pacientit duke e krahasuar atë me vlerat normale të pranuara botërisht. Është spermiograma ajo që diagnostikon në se një mashkull ka një problem me fertilitetin e tij apo jo. Spermiograma është një analizë shumë e thjeshtë, jo e shtrenjtë dhe e domosdoshme në vlerësimin e potencialit fertil të një mashkulli.
Në varësi të rezultatit të spermiogramës, do të përcaktohet edhe nevoja e analizave të tjera tek mashkulli. Në rastet me spermiogramë normale, zakonisht nuk shihet e arsyeshme të kërkosh analiza të tjera. Në rastet me rezultate shumë të dobëta të spermiogramës, psh. kur përqëndrimi i spermatozoideve është shumë i vogël (oligospermia, azospermia) mund të kërkohen shtesë ekografia skrotale, analizat e profilit hormonal, Sperm DNA fragmentation dhe ato gjenetike.
Rreth 15% e meshkujve që konsiderohen infertilë kanë spermiogramë “normale”. Analiza e spermiogramës nuk është në gjendje të analizojë integritetin e ADN-së së spermatozoideve, dmth të përcaktojë dëmtimet në ADN-në e tyre. Përveç kësaj, ajo nuk jep informacion as edhe për stresin oksidativ të spermës. Per kete arsye mund të kërkohet si analizë edhe defragmentimi i ADN spermatike.
Ekografia skrotale do të përcaktojë dimensionet e testikujve dhe epididimuseve, praninë ose të jo të masave, tumoreve apo kisteve si edhe të anomalive vaskulare (varicoçelë).
Nga analizat e profilit hormonal do të mund të kuptohet në se kemi ndonjë problem me sinjalet që testikuli duhet të marrë nga qendra (sistemi nervor qëndror) në mënyrë që të prodhojë spermë.
Analizat gjenetike do të tregojnë nëse problemet e spermës janë të lidhura me defekte të lindura gjenetike të cilat bëjnë të pamundur prodhimin e spermës (sindroma Klinefelter, kromozomi fragil Y) ose shkaktojnë apo me defekte që bëjnë të pamundur transportin e spermës nga testikujt në duktuset ejakulatorë të penisit (fibroza kistike shkakton absencë të vas deferens të cilat lidhin testikujt me dukstuset ejakulatorë të penisit).
Në rastet me azoospermi (mungesë totale e spermatozoideve në testikuj) e vetmja mënyrë për të mësuar në se ekzistojnë spermatozoide në testikuj (dhe eventualisht ti përdorim ato për Fertilizim In Vitro) mbetet ekstraksioni kirurgjikali spermës nga testikujt.
Si trajtohet infertiliteti tek meshkujt?
Janë të shumta medikamentet që qarkullojnë për trajtimin e infertilitetit mashkullor, por vlera e tyre në përmirësimin e cilësisë së spermës është shumë modeste. Megjithatë ekzistojnë disa teknika të cilat mund të rrisin shanset për koncepsion duke përdorur spermën eksistuese të mashkullit infertil. Këtu përmendim kirurgjinë. Terapinë hormonale, Inseminim artificial (IUI), Fertilizimin In Vitro (IVF) dhe ICSI.
Kirurgjia
Varikocela: Një pjesë e mirë e mjekëve urologë do të rekomandonin trajtimin kirurgjikal duke hequr venat e zgjeruara që janë në bazë të kësaj sëmundje. Megjithatë përfitimet e kësaj kirurgjie ende janë të debatueshme.
Kanalet apo tubulat në sistemin riprodhues të mashkullit mund të bllokohen nga infeksione të ndryshme ose nga një operacion vazektomie në të kaluarën. Në disa raste ky bllokim mund të riparohet përmes kirurgjisë. Por edhe këtu, rikthimi i fertilitetit natyral është shumë modest. Nqs kirurgjia nuk ka efektet e pritura, atëherë kalohet në PESA (Percutaneous Sperm Aspiration) dhe spermatozoidet e aspiruara mund të përdoren për Fertilizim In Vitro me ICSI ose të ruhen për përdorim në një moment të dytë.
Terapia hormonale
Gjendra e hipofizës që ndodhet në tru, prodhon hormone që stimulojnë testikujt që të prodhojnë spemë. Në një numër të vogël të këtyre rasteve, infertiliteti mashkullor është pasojë e niveleve të ulëta të këtyre gonadotropinave. Marrja e tyre përmes injeksioneve mund të rrisë fertilitetin e këtyre rasteve.
Inseminimi Intrauterin (IUI)
Në këtë teknikë, sperma kolektohet, përpunohet dhe koncentrati me vetëm spermatozoidet më të lëvizshme injektohet në mitrën e partneres përmes një kateteri delikat. IUI mund të jetë një mundësi trajtimi në rastet e meshkujve me spermë që ka përqëndrime të ulëta të spermatozoideve (por jo shumë të ulëta!), me probleme impotence, me antitrupa ndaj spermatozoideve në lëngun seminal etj.
Fertilizimi In Vitro (IVF)
Fertilizimi in Vitro është fertilizimi (bashkimi, fuzionimi) i spermatozoidit me vezën jashtë trupit të njeriut në kushte laboratorike. Në shumë raste, meshkujt infertilë kanë spermë mjaftueshëm për të kryer një Fertilizim In Vitro konvencional (klasik). Në rastet kur kemi të bëjmë me defekte të rënda atëherë kalohet në teknikën modern të Fetilizimit In Vitro që quhet ICSI (Intracytoplasmatic Sperm Injection).
Pse ICSI për rastet e rënda?
Sepse në rastet e rënda, përveç numrit shumë të reduktuar mund të kemi edhe problem me lëvizshmërinë apo edhe me morfologjinë. Kështu që nuk mjaftohemi vetëm me vendosjen afër të spermatozoidit me vezën por injektojmë direkt spermatozoidin në brendësi të vezës. Në rastet e rënda, mund të kërkohet edhe ekstraksioni kirurgjikal i spermës nga testikujt (Testicular Sperm Extraction) për të zotëruar spermatozoidete e nevojshme për IVF – ICSI. Në rastet kur edhe përmes ekstraksionit kirurgjikal nuk arrihet të gjenden spermatozoide, çiftit i rekomandohet sperm donation.