Lindja prematureLindja Preterm

Lindja premature

Kur një lindje quhet para kohe?


Një lindje quhet premature (parakohe) kur lindja e fetusit ndodh përpara javës së 37–të të shtatëzanisë, pavarësisht peshës fetale.

Një problem shumë serioz …


Lindja parakohe është një problem shumë serioz dhe me një impakt shumë të madh tek prindërit por edhe tek ekipi mjeksor. Është shumë e vështirë për një prind të shikojë fëmijën e pritur me padurim të shtruar në reanimacionin e Neonatologjisë (NICU – Neonatal Intensive Care Unit) dhe nën kujdesin e ekipit mjeksor.

Lindja prarakohe është përgjegjëse për shumicën e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë të lidhura me lindjen. Kjo sepse një pjesë e organeve apo sistemeve nuk e kanë arritur akoma pjekurinë e duhur (përmendim këtu sidomos mushkëritë!). Plus kësaj prematurët janë më të rrezikur nga infeksione të ndryshme, hipoglicemia etj.

Vetëm pas kalimit të “periudhës” së rrezikut mjeku neonatolog do të lejojë që i porsalinduri të dalë nga NICU dhe të qëndrojë përfundimisht me nënën.

Sa e shpeshtë është lindja parakohe?


Rreth 10 % e numrit total të lindjeve janë lindje përpara javës së 37-të të shtatzanisë.

Cilat janë shkaqet e lindjes premature?


Një lindje mund të ndodhë para kohe për disa arsye. Këtu përmendim:

  • Plasjen (rupturën) e parakohëshme të membranave.
  • Problemet e ndryshme materno – fetale (shtatzania me rrezik) që detyrojnë ekipin mjeksor të kryejnë lindjen para kohe.
  • Në disa raste, lindja para kohe mund të ndodhë pa mundur të identifikohet asnjë shkak (idiopatike).

Si ta kuptojmë lindjen parakohe?


Kriteret për diagnozën e lindjes parakohe janë prania e kontraksioneve uterine të rregullta të dokumentuara (në pacientet me membrana intakte ose të rupturuara) dhe prania e modifikimeve cervikale (të qafës së mitrës – shkurtim, dilatacion).

Cilët janë faktorët që rrisin rrezikun për lindje premature?


 poshtë janë të listuar faktorët që rrezikojnë për lindje parakohe.

  • Ndjekje jo e rregullt e shtatzanisë,
  • Shtatzania multiple. Rreziku i prematuritetit rritet me rritjen e numrit të fetuseve: 10% për shtatzanitë teke (unike), 54.9 % për shtatzanitë me binjakë (gemelare), 93.6 % për shtatzanitë me trinjakë (tripletë),
  • Lindje parakohe në të kaluarën,
  • Ndërhyrjet kirurgjikale gjatë shtatëzanisë,
  • Polihidroamnions (sasia më e madhe se norma e likidit amniotik),
  • Keqformimet e lindura të mitrës (septum uterin, uterusi bikorn etj)
  • Miomat
  • Histori konizimi në të kaluarën,
  • Më tepër se 2 aborte në Tremujorin I,
  • Me tepër se 1 abort në Tremujorin II,
  • Dilatacion (hapje) e cerviksit (qafës së mitrës) > 1cm në javën e 32-të,
  • Shkurtim i cerviksit (qafës së mitrës) < 1 cm në javën e 32-të,
  • Temperatura gjatë shtatëzanisë,
  • Inkompetenca cerciko-istmike
  • Hemorragji vaginale pas javës së 12-të të shtatzanisë
  • Histori për pielonefrit (infeksione të rënda të veshkave),
  • Konsumi i duhanit (>10 cigare në ditë) nga femra shtatzanë
  • Bakterioza vaginale (infeksioni nga Gardnerela).

Çfarë pasojash mund të ketë tek bebi lindja parakohe?


Sa më “larg” javës së 37-të aq më të mëdha janë edhe rreziqet për bebin. Rrezikun më të madh e kanë sidomos të porsalindurit përpara javës së 34-rt.

A mund të parandalohet lindja premature?


Për fat të keq lindja parakohe nuk mund të parandalohet nqs aktiviteti i lindjes ka filluar. E shumta që mund të bëhet në këto raste është shtyrja sa më shumë të jetë e mundur e “momentit” të lindjes përmes medikamenteve të ndryshme. Në mjaft raste edhe 48 orë janë me shumë rëndësi dhe mund të bëjnë diferencën. Kjo sepse i jep kohë ekipit mjeksor të kryejë tek pacientja injeksionin me Betametazon që redukton rreziqet e lidhura me mushkëritë (pulmonet) e bebit.

Në disa raste, aty ku është e indikuar, aplikimi i cerklazhit ose i pezareve që në fillim të Tremujori II mund të jetë një alternativë shumë efikase në parandalimin e lindjes parakohe.

E rëndësishme është që çdo shtatzanë të ketë një ndjekje shtatzanie që nga fillimi i saj. Kjo sepse nqs identifikohen faktorët e rrezikut, mundësia që lindja të ndodhë parakohe reduktohet nqs kujdesi gjatë shtatzanisë kryhet në mënyrë korrekte. Gjithashtu në këto këshillohet kryerja e injeksioneve me Betametazon për të reduktuar pasojat tek i porsalinduri.

error: Content is protected !!