Shtatzania Multiple

Shtatzania Multiple

Shtatzania multiple është ndoshta tema që gëzon interesin më të madh mes pacienteve shtatzana, por edhe mes mjekëve. Shtatzania quhet multiple kur në mitër rriten dy, tre apo më shumë fetuse. Termat përkatëse janë:

  • Shtatzani binjake (gemelare) kur rriten 2 fetuse.
  • Shtatzani trinjake (triple) kur rriten 3 fetuse.
  • Shtatzani katërnjake (kvadriple) kur rriten 4 fetuse.
  • etj

Sa e shpeshtë është?


Rreth 3% e shtatzanive në vit mendohet se janë multiple. Incidenca e shtatzanive multiple është në rritje në dekadat e fundit. Për shembull, në intervalin mes viteve 1980 – 2005, incidenca e binjakëve ka pësuar një dyfishim, ndërkohë që incidenca e tripletëve është rritur 6 herë. Shumica e shtatzanive multiple përbëhen nga shtatzanitë binjake.

Ekografia 2D

Binjakë java 8

Ekografia 4D

Binjakë java 11

Pse kjo rritje e incidencës së shtatzanive multiple?


  1. Arsyeja e parë është se gjithnjë e më shumë femrat planifikojnë shtatzaninë pas moshës 30 vjecare. Dihet që probabiliteti për të patur shtatzani multiple është më I lartë se në moshat më të reja se 30 vjec.
  2. Arsyeja tjeër, lidhet me teknikat artificiale të riprodhimit – Artificial reproductive techniques – ART (stimulim ovulacioni, Inseminim Intrauterin (IUI) dhe Fertilizim In Vitro (IVF). Të gjitha këto teknika mbartin një probabilitet të rritur (krahasuar me koncepsionin spontan) për të dhënë shtatzani multiple.

Si formohen binjakët?

Binjakët formohen në 2 mënyra:

  • Binjakët identikë formohen nga e njëjta vezë e fertilizuar që ndahet në dy. Binjakët identikë jane të njëjtë dhe përmbajnë të njëjtin material gjenetik. Prandaj quhen edhe identikë. Shumica e këtyre binjakëve ndodh në mënyrë spontane.
  • Binjakët jo identikë ndodhin kur 2 vezë të vecanta fertilizohen nga 2 spermatozoide të vecantë. Këta binjakë nuk janë identikë nga ana gjenetike – ngjajshmëria mes tyre është si ajo mes vëllezërve / motrave jo binjake. Në një pjesë të rasteve është vënë re një predispozicion gjenetik për të lindur binjakë. Në shumicën e rasteve këto binjakë rrjedhin nga trajtimet e infertilitetit (stimulim ovulacioni, IUI dhe IVF).

Përse ky interes kaq i madh për shtatzanitë multiple?

  • Nëna dhe fetuset (bebat) janë më të rrezikuara për të pësuar komplikacione nqs do të krahasohen me shtatzanitë unike (me një fetëus).
  • Kontrolli prenatal në rastet e shtatzanive multiple është i shpeshtë dhe për rjedhojë edhe më i kushtueshëm.
  • Komplikacioni më i shpeshtë që takohet në shtatzanitë multiple është  lindja premature (përpara javës së 37-të të shtatzanisë). Lindja premature është 6 herë më e shpeshtë në rastin e shtatzanive binjake në krahasim me shtatzanitë unike.

A nevojitet ndonjë dietë specifike në rastin e shtatzanive multiple?

Nuk është nevoja për ndonjë dietë specifike. Megjithatë, është e nevojshme që të merren më shumë acid folik, proteina, hekur, kalcium se sa në rastin e shtatzanive unike. Për ti siguruar që të merren të gjitha sa më lart në sasinë e duhur, rekomandohet marrja e vitaminave të shtatzanisë (dhe jo multivitaminave të zakonshme). Një tabletë në ditë nga këto multivitamina mjafton në shumicën e rasteve.

Sa peshë mund të shtojë femra me shtatzani multiple gjatë shtatzanisë?

Nevojitet që shtesa në peshë të jetë më e madhe se në shtatzanitë unike. Kjo varet edhe nga pesha përpara shtatzanisë dhe nga numri i fetuseve.

  • Nqs femra ka qenë në peshë normale përpara shtatzanisë, ajo duhet të shtojë 16 – 24 kg gjatë shtatzanisë.
  • Nqs femra ka qenë mbi peshë normale përpara shtatzanisë, ajo duhet të shtojë 14 – 22 kg gjatë shtatzanisë.
  • Nqs femra ka qenë obeze përpara shtatzanisë, ajo duhet të shtojë 11 – 19 kg gjatë shtatzanisë.

Si mund të ndikojë shtatzania multiple në shëndetin e nënës?

Në rastin e shtatzanive multiple, komplikacionet janë më të shpeshta. Konkretisht takohen më shpesh anemia, diabeti i shtatzanisë, tensioni i lartë i gjakut dhe pre-eklampsia, hiperemesis gravidarum (te vjellat gjate shtatzanise), polihidramnios, depresioni post-partum, hemorragjia post-partum etj.

Si mund të ndikojë shtatzania multiple në shëndetin e bebave?

Edhe për komplikacionet e lidhura me shëndetin e bebave, konstatohet një frekuencë më e lartë. Këtu përmendim:

  • Lindja Premature – (përpara javës së 37-të të shtatzanisë). Bebat prematurë qëndrojnë më gjatë në spital (duke rritur kështu kostot financiare). Në disa raste ata mund të adaptohen me vështirësi ose të kenë problem që të persistojnë gjatë gjithë jetës. Më tepër se 50% e binjakve dhe thuajse të gjithë tripletët lindin prematur.
  • Humbja e shtatzanisë – kur fetusi vdes përpara javës së 20-të. Në disa raste vetëm njëri nga fetuset vdes ndërkohë që tjetri (ose të tjerët) vazhdojnë rritjen deri në lindje. Ky fenomen quhet binjaku që zhduket (wanishing twin).
  • Vdekje fetale in utero – kur fetusi vdes në mitër pas javës së 20-të.
  • Anomalitë fetale janë më të shpeshta në rastin e shtatzanive multiple.
  • Problemet me rritjen fetale – Rritja në peshë e bebave në shtatzanitë multiple është më e vogël se në shtatzanitë unike. Në shumicën e rasteve peshat janë me diferenca të vogla mes fetuseve. Kur diferenca është e madhe mes fetuseve të shtatzanive multiple ateherë kemi të bëjmë me rritje diskordante. Problemet që paraqesin këta beba (para dhe pas lindjes) janë më të shpeshta dhe më serioze.
  • Pesha e vogël në lindje (LBW – Low birthweight) është më e shpeshtë në rastin e shtatzanive multiple. Kështu më shumë se 50% e binakëve dhe thuajse të gjithë trinjakët janë me peshë më të vogël në lindje.
  • Twin-Twin Transfusion Syndrome – TTTS (Sindroma e transfuzionit feto-fetal tek binjaket). TTTS përkufizohet si transfuzioni i gjakut nga njeri binjak (donori) tek tjetri (recipient) përmes anastomozave anormale që ekzistojnë në plaçentën e përbashkët. Si pasojë e këtij fenomeni donori bëhet anemik, hipovolemik, rritet më pak e për rjedhojë shfaq oligoamnios (pakësim të likdit amniotik). Recipientët nga ana e tij bëhet hipervolemik dhe në përpjekje për të ruajtur hemodinamikën (qarkullimin normal të gjakut), shton diurezën. Rezultati është shfaqja e polihidramniosit, policitemisë në rritje apo dhe hidropsit fetal (fryrjes fetale) në rastet më ekstreme.
  • Vdekja neonatale – është më e shpehtë në rastin e lindjeve multiple.

Po lindja?

Në shumë raste preferohet lindja me operacion. Lindja vaginale mund të jetë një opsion nqs të dy bebat janë me paraqitje cefalike ose bebi parë paraqitet me kokë dhe tjetri jo.

error: Content is protected !!