Pre-Eklampsia

Pre-Eklampsia

Çfarë është Pre-eklampsia?


Pre-eklampsia (shkurt PE) është një sëmundje që shfaqet vetëm në shtatzani. Ajo mund të prekë bebin, nënën ose të dy bashkë në më të shumtën e rasteve. Mund të shfaqet në cdo moment pas javës së 20-të të shtatzanisë.

  • Tek nëna ajo mund të shkaktojë crregullime me tensionin arterial (hipertension) dhe humbje të proteinave me urinën (proteinuria, albuminuria). Fillimisht këto crregullime mund të jenë të heshtura, minore por më vonë mund të bëhen serioze.
  • Bebi në barkun e nënës mund të rritet më ngadalë në peshë (IUGR) ose mund të vuajë nga pakësimi i sasisë së oksigjenit që sjell placenta.

Sa shpesh ndodh PE?


PE mund të takohet deri në 10% të shtatzanive, duke qenë kështu komplikacioni më i shpeshtë i shtatzanisë para lindjes. Zakonisht ndodh më shpesh në shtatzaninë e parë, megjithëse një pjesë e grave që kanë patur shtatzani me PE bëjnë sërish PE në shtatzanitë e tjera.

Sa e rrezikshme është PE?


Zakonisht PE është e lehtë, por në 1% të shtatzanive është e formës së rëndë duke vënë në rrezik jetën e bebit dhe të nënës në të njëjtën kohë. Rreziku për fetusin vjen si pasojë e pamundësisë së placentës për të plotësuar nevojat e bebit me oksigjen, distakos së placentës dhe e lindjeve të detyruara parakohe për të shpëtuar jetën e nënës. Rreziku për nënën shtatzanë mund të vijë për shkak të krizës hipertensive, distakos së placentës, hemorragjive në lindje, çrregullimeve të koagulimit dhe komës eklamptike.

Kush rrezikohet më shumë?


Është e pamundur të përcaktosh me siguri se cila paciente do të bëjë PE. Çdo femër është në rrezik të bëjë PE në shtatzaninë e parë. Megjithatë rrezik më të lartë paraqesin shtatzanat që:

  • kanë një histori familjare për këtë komplikacion.
  • kanë patur PE në shtatzaninë e parë.
  • kanë shtatzani multiple (binjakë, trinjakë)
  • vuajnë nga sëmundje të ndryshme (diabet, sëmundje të veshkave, hipertension, migrenë) që mund të shoqërojnë shtatzaninë
  • janë në moshë > 35 vjeçe dhe ato < 20 vjeçe.
  • janë obeze

Çfarë e shkakton PE?


Shkaqet e PE nuk dihen ende. Mendohet të jenë përfshirë edhe faktorë gjenetikë pasi shtatzanat nënat dhe motrat e të cilave kanë kaluar PE janë më të rrezikuara ta kalojnë vetë PE. Ajo që dihet me siguri është se PE vjen nga placenta – një organ special që lidh bebin me nënën. Placenta ka nevojë për një furnizim të mjaftueshëm me gjak nga nëna për të plotësuar nevojat e bebit. Në PE, placenta merr një furnizim të pamjaftueshëm me gjak për shkak të ngushtimit të arterieve që e lidhin atë me mitrën. Kjo sjell pasoja serioze për rritjen e bebit dhe për shëndetin e nënës.

Çfarë mund të ndodhë me nënën?


Sinjalet nga pamundësia e placentës për të siguruar një fluks normal gjaku kapen nga enët e gjakut të nënës. Këto enë gjaku ngushtohen duke bërë që funksioni i veshkave tek nëna të dëmtohet. Kjo bën që produkte që duhet të eliminohen nga veshkat të akumulohen në gjakun e nënës, ndërkohë që proteinat e gjakut të humbasin përmes urinës. Me përparimin e sëmundjes, mëlçia e nënës, mushkëritë, truri dhe sistemi i koagulimit mund të preken gjithashtu. Komplikacionet më të rrezikshme të PE janë koma dhe konvulsionet (eklampsia), hemorragjia cerebrale (iktus), edema pulmonare (likid në mushkëri), insuficienca renale (bllokimi i funksionit të veshkave), insuficienca hepatike (bllokimi i funksionit të mëlçisë) dhe çrregullimet në koagulim. Të gjitha këto janë të rrezikshme për jetën e nënës.

Cilat janë shenjat e PE?


PE në stadet fillestare nuk paraqet ndonjë shenjë. Në këtë stad ajo mund të diagnostikohet vetëm rastësisht nga testet / analizat e ndryshme depistuese. Në shumicën e rasteve kombinimi i hipertensionit me shfaqjen e proteinurisë (proteinat, albumnina në urinë) sugjeron për PE. Megjithatë kjo nuk vlen në të gjitha rastet. Tensioni arterial në PE zakonisht është mbi vlerat 140/90 mmHg. Një tjetër shenjë (më pak specifike) është edhe edema (enjtja nga grumbullimi i likideve) e këmbëve, duarve dhe fytyrës. Megjithatë edema për shkak se shikohet edhe në një pjesë të mirë të shtatzanive normale nuk mjafton për të dyshuar për PE.

Shenjat si dhimbja së pjesën e sipërme të barkut, të vjellat, dhimbja e fortë e kokës dhe çrregullimet në shikim, fotofobia (frika dhe bezdisja nga drita) paralajmërojnë se PE është në një stad të përparuar tashmë. Këto shenja nuk duhet të injorohen asnjëherë, pasi janë sinjale të një rreziku iminent.

A ka ndonjë kurë për PE?


Një shtatzani e prekur nga PE nuk mund të kthehet në normale. Por vetë PE mund të ndalohet duke kryer lindjen e bebit. Në kryerjen e lindjes mundohemi të planifikojmë atë moment që të jetë me përfitim për nënën dhe për bebin në të njëjtën masë. Për fat të keq jo gjithnjë zgjdhjet janë të lehta. Kur PE shfaqet herët në shtatzani, ndërprerja (e detyruar) e shtatzanisë vë në rrezik jetën e bebit.

Çfarë trajtimesh mund të përdoren?


Shtatzanat me PE të formës së rëndë zakonisht hospitalizohen. PE të rëndë kemi në rastet me vlera të larta të tensionit arterial dhe me proteinuri të madhe. Hospitalizimi ka për qëllim vlerësimin se sa serioze është PE dhe sa shpejt progreson ajo. Nuk duhet harruar se PE është progresive. Ajo veç përparon dhe nuk përmirësohet. Qëllimi final i hospitalizimit është përcaktimi i kohës së duhur për lindje (qoftë edhe para kohe) me qëllim që tu paraprihet komplikacioneve të rrezikshme për jetën e nënës apo të bebit. Ndër medikamentet e përdorura në janë antihipertensivët dhe anti konvulsantët, të cilët reduktojnë komplikacionet e PE. Dhënia e këtyre medikamenteve mund të fitojë një kohë të vyer për të stimuluar mushkëritë e bebit me kortizonikë të cilët duan 24-48 orë të japin efekt.

Çfarë mund të ndodhë tek bebi?


Me reduktimin e fluksit të gjakut nga nëna te placenta, bebi merr më pak oksigjen dhe lëndë ushqyese. Kjo sjell fillimisht një ngadalësim të rritjes në peshë (IUGR) dhe më vonë edhe mungesë të oksigjenit. Në momentin që PE dyshohet, bebi duhet të monitorizohet me kujdes po aq sa edhe nëna. Në rastet kur rritja ndalon ose kur gjendja e bebit është në rrezik, atëherë programohet lindja e bebit. Ky vendim është shumë më i lehtë për shtatzanitë që kanë kaluar javën e 34-të. Për shtatzanitë më të vogla se 30 javë, asgjë e sigurtë nuk mund të thuhet për mbijetesën e bebit. Edhe mbi 30 javë, bebi mund të jetë në rrezik, por nga ana statistikore vdekshmëria dhe sëmundshmëria është më e vogël se sa kur shtatzania ndërpritet për shkak të PE para javës së 30-të.

A ka efekte afatgjata PE?


Për shumicën dërrmuese të nënave që kalojnë PE, nuk ngelen pasoja afatgjata, pasi lindja i zhduk të gjitha efektet negative të PE. Në një pjesë shumë të vogël, mund të mbeten disa pasoja në organet që vuajnë më shumë gjatë PE (mëlçia dhe veshka). Gjithahsstu një pjesë e vogël zhvillon hipertension me kalimin e viteve.

Efektet tek bebi varen nga fakti se sa herët kanë lindur nqs janë prematur, si dhe sa gjatë bebi i është nënshtruar mungesës së oksigjenit në mitrën e nënës me PE.

A mund të parandalohet PE?


Ende nuk ka një mendim unanim lidhur me ndonjë medikament apo dietë e cila mund të parandalojë PE. Debatet më të shumta lidhen me përdorimin e aspirinës, e cila mendohet se parandalon ose vonon shfaqjen e PE në femrat që janë më shumë të rrezikuara për të kaluar PE. Jo më kot përdoret shprehja: “One aspirin a day takes the doctor aëay”.

error: Content is protected !!