Pesha & (in)fertiliteti

Në praktikën time të përditshme shpesh herë takoj të konsultoj për probleme fertiliteti paciente që kanë gjithashtu probleme edhe me peshën. Është fakt tashmë se tek femrat me apo mbi peshë, çrregullimet e ovulacionit janë më të shpeshta. Po cili është ndikimi i vërtetë i peshës? Studimet tregojnë se vlerat ekstreme të BMI (indeksit të masës trupore) janë shumë të lidhura me problemet e ovulacionit. Si pesha e ulët ashtu edhe ajo mbi normë mund të shkaktojnë vështirësi në arritjen e shtatzanisë.

Lidhja e peshës së ulët me fertilitetin


Femrat që kanë një peshë nën normë mund të kenë cikël menstrual jo të rregullt dhe çrregullime të ovulacionit, duke treguar qartë një lidhje me peshës dhe infertilitetit. Rreth 10 – 12 % e rasteve me infertilitet të shkaqeve ovulatore janë të lidhura me gjendjen nën peshë. Konsumi i ulët i kalorive, i shoqëruar shpesh me një BMI të vogël, mund të indikojë negativisht në prodhimin e hormoneve progesteron dhe estrogjen, hormone këto shumë të rëndësishme në ovulacion. Në rastet më ekstreme, ato me BMI shumë të ulët, cikli menstrual mund të ndaloje plotësisht duke shkaktuar kështu amenorre.

Lidhja e mbipeshës me fertilitetin


Problemet me ovulacionin janë akoma më të shpeshta në femrat obeze; rreth 25% e infertilitetit për shkaqe ovulatore janë të lidhura me mbipeshën. Obeziteti mund të rrisë edhe rrezikun për humbje shtatzanie dhe shpesh herë shoqërohet edhe me sindromën e ovareve polikistike (PCO), e cila edhe ajo njihet si shkak infertiliteti. Indi dhjamor në nivelin abdominal, aq i shpeshtë në femrat me vezore polikistike shoqërohet me nivele jo normale të insulinës.

Femrat që janë mbipeshë, edhe kur ovulacioni ndodh normalisht, kanë më pak shanse për të patur një shtatzani dhe koha që shpenzojnë deri në arritjen e shtatzanisë është më e gjatë. Obeziteti ndikon edhe në rritjen e komplikacioneve gjatë shtatzanisë të cilat mund të prekin nënën apo edhe fetusin.

Çdo trajtim fillon nga vetë pacientja!


Për femrat që janë duke kërkuar një shtatzani dhe kjo po vonon, veprimi i parë që duhet të kryejnë është matja e BMI duke përdorur një kalkulator të BMI-së. Pas matjes së BMI, atëherë është e lehtë të kuptojmë nëse kemi të bëjmë me një peshë normale apo jo. Kuptohet që ne si mjekë specialistë kemi në arsenalin tonë të “luftës” kundër infertilitet shumë alternativa duke filluar që nga stimulimet e ovulacionit (përmes tabletave apo edhe injeksioneve të ndryshme) deri edhe tek procedurat e Riprodhumit të Asistuar si Inseminim Intrauterin apo edhe Fertilizim In Vitro.

Megjithatë shumë femra mund të përmirësojnë shanset e tyre për të arritur shtatzaninë në mënyrë natyrale duke ndryshuar dietën dhe stilin e tyre të jetesës.

  • Për femrat që janë nën peshë dhe cikli i tyre menstrual ka ndaluar, rritja e kalorive dhe një dietë më e bollshme dhe shtimi i ushtrimeve fizike mund të sjellë një përmirësim spontan: një rikthim të ciklit menstrual ose një rregullim të frekuencës së tij.
  • Në femrat me BMI shumë të lartë, reduktimi i peshës dhe i indit dhjamor mund të përmirësojë fertilitetin dhe të shkurtojë intervalin e përpjekjeve për të arritur shtatzaninë. Masat që duhet të merrni lidhur me dietën tuaj janë:
    • Reduktimi i kalorive
    • Reduktimi i yndyrnave
    • Reduktimi i karbohidrateve (sheqernave) në dietë
    • Eliminimi i ushqimeve jo të shëndetshme (junk food) si psh fastfood, pizza etj)

Aktiviteti fizik nga 30 – 60 minuta në ditë është po aq i rëndësishëm sa edhe ndryshimet në dietë për të arritur një reduktim të BMI.

Të gjitha këto masa, jo vetëm që kanë ndikim pozitiv në rritjen e shanseve për shtatzani natyrale, por edhe në rritjen e shanseve në rastin e riprodhimit të asistuar (IUI apo IVF).

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!