Kistet e vezoreveKistet Ovariane

Kistet e vezoreve

Çfarë janë kistet e vezoreve?


Kisti është një hapësirë e mbushur me likid (fluid). Ai mund të formohen në cdo hapësirë të trupit. Kistet e vezoreve formohen në vezore.

CIlët janë llojet e kisteve në vezore?”


Kistet më të shpeshta të vezoreve janë kistet funksionale të cilat formohen gjatë një cikli menstrual. Llojet më të shpeshta të kisteve funksionale janë kistet folikulare dhe ato të korpusit luteal. Këto kiste nuk konsiderohen patologjike por vetëm si deviacione nga norma. Kistet e tjera janë patologjike dhe këtu përmendim: endometriomat (kistet cokollate), kistet dermoide, kistadenomat (adenomat kistike) etj.

Kistet funksionale


Kistet funksionale formohen gjatë një cikli menstrual. Llojet më të shpeshta të kisteve funksionale janë:

  • Kisti folikular. Këto kiste formohen kur folikuli nuk çahet (nuk rupturohet) për të lëshuar vezën ndërkohë që vazhdon të rritet. Ky lloj kisti është shumë i shpeshtë, nuk përbën motiv për shqetësim dhe zhduket brenda 1, 2 apo 3 muajve.
  • Kistet e korpusit luteal. Këto kiste ndodhin kur pas ovulacionit, folikuli shndërrohet në hapësirë të mbushur me likid ose me gjak të cilat inkapsulohen duke u shndërruar kështu në kiste të cilat mund të arrojnë dimensione nga 3 në 6 cm. Në shumicën e rasteve këto kiste janë të parëndësishëm. Ndonjëherë këto kiste mund të japin dhimbje apo edhe të komplikohen me hemorragji të brendshme nqs rupturohen (cahen). Megjithatë kjo mundësi është e rrallë. Pas disa javëve këto kiste zhduken vetvetiu.

Endometrioma (kistet çokollatë)


Këto kiste formohen në femrat që kanë endometriozë. Endometrioza ndodh në ato raste kur inde endometriale shfaqen në vende të tjera jashtë kavitetit endometrial (mitrës). Këto inde sillen si endometër, pra prodhojnë hemorragji sa herë që ka një cikël menstrual. Duke qenë se janë jashtë mitrës, këto inde nuk kanë mundësi të dalin jashtë trupit të femrës dhe organizmi i inkapsulon duke formuar kiste apo aderenca. Në qoftë se këto inde shfaqen në vezore ato formojnë kistet endometriome të cilat përmbajnë gjak menstrual të inkapsuluar në trajtë kisti. Nga kjo vjen edhe emri kiste cokollate. Këto kiste mund të komplikohen me dhimbje spontane, dhimbje gjatë periodave, dhimbje gjatë kontaktit seksual, infertilitet apo edhe rupturë.

Kistadenoma (Adenoma Kistike)


Këto kiste formohen nga transformimi i qelizave të sipërfaqes së vezoreve. Këto kiste mund të jenë të mbushur me lëng të qartë (seroz) ose viskoz (mucinoz). Ato mund të arrijnë ndonjëherë edhe dimensione 10-20 cm duke shkaktuar kështu dhimbje, diskonfort abdominal, fryrje të barkut. Mund të komplikohen me përdredhje të vezoreve (torsion) apo edhe rupturë. Në shumicën e rasteve janë beninje, por mund të jenë edhe malinje.

Kistet dermoide


Këto kiste përmbajnë lloje të ndryshme qelizash. Në brendësi të tyre mund të gjendet flokë, dhëmbë apo edhe inde të tjera. Kistet dermoide mund të arrijnë ndonjëherë dimensione të mëdha duke shkaktuar kështu dhimbje, diskonfort abdominal, fryrje të barkut. Mund të komplikohen me përdredhje të vezoreve (torsion) apo edhe rupturë. Në shumicën e rasteve janë beninje, por mund të jenë edhe malinje.

Çfarë shenjash mund të japin kistet e vezoreve?


Në shumicën e rasteve këto kiste nuk shkaktojnë simptoma dhe femrat nuk e kuptojnë që kanë një kist. Në disa raste ato mund të shkaktojnë:

  • Ndjesi presioni, fryrje apo dhimbje në bark,
  • Çrregullime në urinim,
  • Dhimbje gjatë kontaktit seksual,
  • Dhimbje gjatë periodave,
  • Rritje në peshë,
  • Çrregullime të menstruacioneve,
  • Të përziera dhe të vjella,
  • Infertilitet.

Si diagnostikohen kistet e vezoreve?


Prania e kisteve të vezoreve mund të hetohet përmes ekzaminimit gjinekologjik rutinë. Gjinekologu mund të kuptojë praninë e kistit gjatë vizitës. Me gjetjen e kistit kryhen një seri ekzaminimesh për të kuptuar natyrën e tij.

  • Ekografia është një ekzaminim që duhet të kryhet në mënyrë rutinë të paktën një herë në vit. Një gjinekolog me eksperiencë në ekografi mund të japë informacione shumë të sakta mbi: formën, dimensionet, lokalizimin dhe përmbajtjen (e qarte? E perzier? Gjak? Mukus? Solide?)
  • Nivelet hormonale mund të kërkohen nqs kisti mendohet të jetë aktiv nga ana hormonale (prodhon hormone).
  • Markuesit tumorale (CA-125, HE-4, AFP etj). Këto markues mund të kërkohen nqs dyshohet për malinjiitet. Megjithatë këto markues nuk janë shumë specifikë që dmth edhe sikur të jenë të rritur, kjo do të thotë vecse rritje e mundësisë për kancer por jo siguri e plotë. Psh CA-125 rritet edhe në rast të miomave (tumore beninje) dhe të endometriomave, sëmundje këto që nuk janë kancer!
  • CT – Scan
  • Rezonanca Magnetike (MRI)

Si trajtohen kistet e vezoreve?


Trajtimi i kisteve mund të jetë: pritës, medikamentoz ose kirurgjikal. Kjo do të thotë që kiste të ndryshëm kanë trajtim të ndryshëm.

Kistet funksionale mund të trajtohen në mënyrë pritëse për 2-3 muaj.

Trajtimi me medikamente (si psh kontraceptivë) mund të rezervohet në rastin e vezoreve polikistike apo të endometriomave. Duhet të kuptoni që trajtimi me kontraceptivë nuk i zhduk endometriomat dhe as nuk e ndryshon aspektin polikistik të një vezoreje polikistike. Ato vetëm sa ofrojnë mbrojtje nga komplikacionet që mund të rrjedhin nga këto lloj kistesh.

Trajtimi kirurgjikal rezervohet në rastet e mëposhtme:

  • Kiste të mëdha > 6 cm  dhe persistente > 6 muaj.
  • Dyshim për malinjitet
  • Kur kisti mendohet se shkakton infertilitet (endometrioma).
  • Kur kisti komplikohet me torsion apo hemorragji (carje).

Trajtimi kirurgjikal mund të përfshijë vetëm heqjen e kistit, heqjen e gjithë vezores ose heqjen edhe të mitrës me gjithë vezoret. Kjo vendoset në varësi të llojit të kistit. Trajtimi kirurgjikal mund të jetë me:

  • Laparoskopi – kur kisti duket jo shumë i madh dhe jo kanceroz. Laparoskopia quhet ndryshe edhe kirurgji e mbyllur pasi nuk kërkon hapjen e barkut.
  • Laparotomia – kur kisti është i madh, apo i shoqëruar me hemorragji ose kur ka ndonjë dyshim për malinjitet. Laparotomia quhet ndryshe edhe kirurgji e hapur pasi nënkupton hapjen e barkut.
  • Aspirimi i kistit – kur kisti mendohet se është beninj atëherë ai mund të aspirohet përmes vaginës, pa qenë nevoja për operacion (laparoskopi apo laparotomi). Megjithatë kjo teknikë në disa raste dështon pasi kisti mund të formohet sërish.

Pas heqjes së kistit, ai duhet të dërgohet për ekzaminim histo-patologjik (biopsi) për të kuptuar natyrën e tij.

A mund të parandalohen kistet e vezoreve?


Jo, kistet e vezoreve nuk mund të parandalohen. Lajmi i mirë është se shumica e tyre:

  • Nuk shkakton ndonjë simptomë
  • Nuk janë kanceroze
  • Zhduken spontanisht

Kur shfaqen më shpesh kistet e vezoreve?


Kjo varet nga lloji i kistit. Teorikisht ato mund të shfaqen në cdo moshë. Kistet funskionale shfaqen gjatë jetës riprodhuese. Ato janë gjithnjë beninje. Kur kistet shfaqen në menopauzë kanë një rrezik më të lartë për të qenë kancer.

error: Content is protected !!