Menopauza e parakohëshme

Menopauza e parakohëshme

Çfarë është menopauza e parakohëshme?


Menopauza e parakohëshme njihet me emrin shkencor insuficienca ovariane premature. Vetëm nga ky togëfjalësh kuptojmë: që vezoret pushojnë së funksionuari përpara kohe. Zakonisht femrat hyjnë në menopauzë në intervalin 42 – 56 vjec. Kur femra hyn në më menopauzë rezerva e tyre folikulare (e vezëve) është e papërfillshme; cikli menstrual nuk ndodh më pasi edhe ovulacioni nuk ndodh më (nuk ka asnjë folikul që të rritet). Menopauza quhet e parakohëshme (premature) kur ajo ndodh përpara moshës 40 vjece.

 

Cilat janë shkaqet e menopauzës së parakohëshme?

Shkaqet e menopauzës së parakohëshme janë ende të panjohura plotësisht. Këtu mund të përmendim:

  • Ekspozimi ndaj disa kimikateve toksike apo mjekimeve të ndryshme mund të dëmtojë rezervën ovariane dhe mund të shkaktojë menopauzë të parakohëshme. Këtu permendim rastet që trajtohen për kancer me kimioterapi dhe / ose radioterapi.
  • Sëmundjet autoimmune (si artriti rheumatoid etj) mund të shoqërohen me menopauzë të parakohëshme për shkak se sistemi imunitar prodhon antitrupa që sulmojnë dhe dëmtojnë edhe vezoret.
  • Trashëgimnia mund të luajë edhe ajo një rol të rëndësishëm. Është konstatuar prej kohësh që femrat që hyjnë në mënopauzë të parakohëshme kanë një probabilitet më të lartë që të kenë pjestarë familje (nënë, gjyshe, teze apo edhe motra) me menopauzë të parakohëshme.
  • Disa sëmundje gjenetike – si sindroma Turner shoqërohen me menopauzë të parakohëshme.
  • Endometrioza – Dihet që ka një impakt negativ mbi rezervën ovariane.
  • Trajtimi kirurgjikal – heqja e vezoreve për një arsye të caktuar (kiste, tumore etj)

Si diagnostikohet menopauza e parakohëshme?

Menopauza e parakohëshme dyshohet në prani të crregullimeve menstruale dhe shenjave të tjera. Femrat me menopauzë të parakohëshme përjetojnë çrregullime menstruale në drejtim të reduktimit të sasisë dhe kohëzgjatjes së ciklit menstrual, reduktimit të intervalit nga një menstruacion në tjetrin, afshe të nxehta, crregullime të humorit, humbje të libidos dhe tharje të vaginës.

Pas konstatimit të këtyre shenjave, kalohet në vizitën gjinekologjike, analizat hormonale (kryesisht AMH) dhe ato gjenetike.

Si mund të arrihet shtatzania në këto raste?

Shtatzania në këto raste mund të arrihet vetëm përmes Fertilizimit In Vitro me vezë të dhuruara (Oocyte Donation).

Cilat janë rreziqet afatgjata që mund të sjellë menopauza e parakohëshme?

Duke qenë se në menopauzën e parakohëshme vezoret nuk prodhojnë më estrogjenë, atëherë efekti i tyre mbrojtës mbi zemër dhe kocka nuk ekziston më. Për këtë asrye rritet rreziku përsëmundje të zemrës dhe osteoporozë. Për këto raste këshillohet terapia zëvendësuese hormonale, suplementet me calcium dhe ushtrimet e rregullta fizike.

error: Content is protected !!