Ruajtja e fertilitetit tek femrat me kancer

Është fakt se progreset në fushën e onkologjisë kanë bërë të mundur që gjithnjë e më shumë femra ti mbijetojnë kancerit. Mirëpo, mjaft femra që e kalojnë me sukses betejën me kancerin, mësojnë se e kanë të pamundur të kenë fëmijë më pas. Kjo për shkak të efekteve shkatërrimtare që mund të ketë kanceri dhe terapia kundër kancerit mbi fertilitetin femëror. Prandaj është shumë e rëndësishme konsulta edhe me një mjek specialist në infertilitet përpara se të fillohet trajtimi kundër kancerit.

Shkaqet e mundshme të infertilitetit në pacientet me kancer janë:


Trajtimi mund të prekë direkt organet genitale. Për shembull në rastet me tumor të ovarit (vezores), pjesë e terapisë është edhe heqja e saj kirurgjikale.

Pavarësisht se në cilin organ është lokalizuar kanceri, edhe sikur të jetë larg organeve të riprodhimit, pjesë e terapisë janë edhe radioterapia dhe kimioterapia.

Këto situata mund të dëmtojnë deri në shkatërrim rezervën ovariane, duke shkaktuar direkt infertilitet.

Cilat janë efektet e kimioterapisë në fertilitetin e femrës?


Disa preparate kimioterapeutike mund të shkaktojnë infertilitet. Kimioterapia përdoret për të trajtuar shumë lloje kanceri, jo vetëm atë të organeve riprodhuese por edhe ato të organeve të tjëra. Një efekt anësor i saj është reduktimi i rezervës së vezëve për shkak se përvec qelizave kanceroze dëmtohen edhe ovocitet. Dëmtimi mund të jetë aq serioz sa mund të shkaktojë edhe menopauzë të parakohshme.

Më poshtë paraqiten edhe efektet e kimiopreparateve të ndryshme mbi rezervën ovariane.

  • Me efekt të lartë dëmtues: Cyclophosphamide, Cholarambucil, Melphalan, Busulfan, Nitrogen Mustard, Procarbazine
  • Me efekt intermediar dëmtues: Cisplatin, Adriamycin, Bleomycin, Actinomycin D
  • Me efekt të lehtë dëmtues: Methotrexatem 5-Fluorouracil

A ka mundësi një femër me kancer të ruajë fertilitetin e saj?


Sigurisht që po. Dhe kjo përmes teknikave artificiale të riprodhimit (Fertilizimi In Vitro).

Cilat janë mundësite për ruajtjen e fertilitetit për një femër me kancer?


Alternativat e ruajtjes së fertilitetit janë ruajtja e embrioneve (embryo freezing) dhe ruajtja e ovociteve (egg freezing). Ruajtja e embrioneve është një opsion që u përshtatet me shumë femrave që kanë një partner, ndërkohë që ruajtja e vezëve është një opsion për femrat me kancer të cilat ende nuk kanë një partner.

Pas mbarimit të terapisë së kancerit dhe në rast të fitimit të betejës me këtë sëmundje, përmes embrioneve të ngrira ose ovociteve të ngrira këto femra mund të kenë mundësinë të bëhen nëna.

error: Content is protected !!