Embrioni

Embrioni

Gjatë një cikli Fertilizimi In Vitro, pasi vezët janë aspiruar ato fertilizohen në laborator. Vezët e fertilizuara shndërrohen në embrione dhe qëndrojnë në laborator nga 3 deri në 5-6 ditë (në varësi të rastit).

Paraqitje permbledhese e zhvillimit te embrionit ne 5 ditet e para

Jo të gjithë embrionet janë njësoj; shumë faktorë ndikojnë në cilësinë e tyre. Cilësia e vezëve ka mbase ndikimin më të madh në cilësinë e embrioneve që do të pasojnë fertilizimin e tyre. Ajo mund të reduktohet për shumë arsye si mosha apo sëmundje të ndryshme (endometrioza për shembull). Edhe faktorë të lidhur me spermën mund të ndikojnë negatiisht në cilësinë e embrioneve si për shembull defragmentimi i ADN spermatike. Çdo embrion është unik dhe do të jetë i ndryshëm në zhvillim dhe në cilësi, dhe kjo është arsyeja se përse monitorizimi i embrioneve është një pjesë shumë e rëndësishme në Fertilizim In Vitro.

Zhvillimi i embrionit i monitorizuar permes teknologjise Time Lapse (Embryoscope)

Është embriologu i cili monitorizon zhvillimin e tyre duke informuar në kohë reale pacientët dhe mjekun gjinekolog. Më poshtë vijon e paraqitur në etapa zhvillimi embrional sipas ditëve.

Dita 0 – Aspirimi i vezëve dhe Fertilizimi

Dita e aspirimit të vezëve konsiderohet dita 0. Në ketë ditë kryhet aspirimi i ovociteve (vezëve) nga mjeku gjinekolog, rocedurë kjo që kryhet nën anestezi. Vezët e aspiruara dërgohen në laborator ku embriologu i fertilizon ato përmes teknikës së fertilizimit klasik apo të mikro-injeksionit (ICSI). Vetëm vezët e maturuara do ti nënshtrohen procesit të fertilizimit nga ana e embriologut, sepse vezët e pa maturuara nuk kanë mundësi të fertilizohen.

Në ditën 0, pacientët do të kenë informacion mbi:

  • Numrin e vezëve të aspiruara
  • Sa prej këtyre vezëve të aspiruara janë të maturuara (të pjekura)
  • Cilësinë e spermës së dhënë nga partneri

Për shumicën e vezëve mature, aspekti maksoskopik do të jetë pak a shumë njësoj ndaj ato nuk gradohen.

Dita 1 – Numri i vezëve të fertilizuara

Në ditën 1 vezët kontrollohen në se kanë shfaqur shenjat e fertilizimit. Embriologu e kryen këtë kontroll në mëngjesin e ditës 1. Një vezë e fertilizuar dallohet nga prania e dy (2) sferave në mes të vezës. Njëra prej këtyre sferave përmban materialin gjenetik të vezës dhe tjetra materialin gjenetik nga spermatozoidi. Këto dy struktura sferike quhen ndryshe edhe pronukleuse (PN).

Të gjithë njerëzit janë një qelizë e vetme në 24 orët e para të jetës së tyre. Një nga pjesëtarët e ekipit të embriologjisë njofton pacienten për numrin e vezëve që kanë shfaqur shenjat e fertilizimit. Veza e fertilizuar quhet ndryshe edhe zigotë. Të gjitha zigotat duken njësoj, për këtë arsye edhe në ditën 1 embrionet nuk gradohen.

Në ditën 1 pacientët do të kenë informacion mbi numrin e vezëve mature që janë fertilizuar (pra që janë shndërruar në zigota ose embrione). Mesatarisht, 75% e vezëve të maturuara do të shndërrohen në zigota.

Dita 2 – Embrioni fillon ndarjen (klivazh / cleavage)

Në ditën 2 embrioni fillon të ndahet dhe duhet të ketë 2-4 qeliza. Vetë embrioni nuk duket më i madh, por veza e fertilizuar ndahet në dy dhe më pas në 4 qeliza ku cdo qelizë është thjesht gjysma e paraardhëses.

Në këtë ditë ne mund të shikojmë diferenca në zhvillim midis embrioneve dhe për këtë arsye tani merr kuptim edhe gradimi. Në shumicën e klinikave nuk do të kryhet ndonjë kontroll në këtë ditë i embrioneve por është e mundur të kryhet një transfertë embrionesh ose krio-prezervim në varësi të politikës së klinikës apo edhe të vecorive të rastit.

Kuptohet që do të ishte më mirë që të pritet akoma më shumë për transfertë në mënyrë që të kemi mundësi të dallojmë më qartë veoritë specifike që embrionet do të shfaqin me kalimin e kohës. Në këtë mënyrë embriologu do ta ketë më të lehtë të zgjedhë embrionet më të mira.

Dita 3 – Embrionet gradohen dhe transferta e mundshme

Në ditën 3 embrionet duhet të kenë 6 – 8 qeliza të quajtura blastomere. Në këtë ditë ato vendosen në një pjatë Petri me mediume të ndryshme (solucione që suportojnë rritjen dhe zhvillimin e tyre) që “ngjasojnë” me fluidin uterin.

Pavarësish se embrionet mund të gradohen, sërish është e pamundur të parashikosh se cili embrion do te implantohet apo jo.

Një pjesë e transfertave kryhen në këtë ditë dhe embrionet e tepërta ngrihen po në këtë ditë. Ndërkohë që në raste të tjera embrionet lihen të zhvillohen deri në ditën 5 dhe në atë ditë transferohen. Kjo varet nga karakteristikat e rastit (numri dhe cilësia e embrioneve) dhe nga politika e klinikës.

Në ditën 3 ne do të kemi informacion mbi:

  • Numrin e qelizave që cdo embriona ka
  • Gradën e embrioneve (A, B apo C).
  • Rreth 95% e vezëve të fertilizuara (embrioni i ditës 1) do të arrijnë të zhvillohen deri në ditën 3.

Gradimi i embrioneve në ditën 3 kryhet duke u bazuar në 2 kritere: numrin  dhe aspektin e qelizave.

Aspekti makroskopik në ditën 3 nuk na tregon dot se cili embrion do të përparojë drejt stadit të blastokistit (embrionit të ditës 5). Dmth; e mira është që të kemi sa më shumë embrione me gradën A, por edhe nqs janë embrione të gradës A kjo sërish nuk do të thotë që këto embrione nuk do të përparojnë dhe nuk do te implantohen. Ky parashikim është i pamundur.

Dita 4 – Morula

Dita 4 është dita e transformimit të embrioneve nga stadi i klivazhit (ndarjes) drejt stadit të blastokistit. Zakonisht në këtë ditë embrionet nuk kontrollohen. Në këtë stad disa nga embrionet trasformohen nga një embrion multiqelizor në një grup kompakt me 10 – 30 qeliza (mesatarisht 16). Morula është stadi përpara blastokistit. Disa embrione arrijnë në fazën e morulës vetëm ditën 5.

Dita 5 – Blastokisti dhe transferta e mundshme

Në ditën 5 embrionet kanë vazhduar rritjen dhe shndërrohen në blastokiste. Numri total i qelizave arrin 60 – 120. Tek blastokisti dallojmë një kavitet të mbushur me fluid dhe të rrethuar nga një shtresë qelizash që quhet trofektoderma. Gjithashtu blastokisti paraqet dhe një grup qelizash të quajtura inner cell mass (ICM). Nga qelizat e trofektodermës do të zhvillohet placenta e ardhshme ndërkohë që nga ICM do të zhvillohet fetusi. Blastokistet mund të gradohen duke u bazuar në 3 kritere:

  • Dimensionet e embrionit – bazuar në gradën e ekspansionit të kavitetit me fluid
  • Aspektin e ICM
  • Aspektin e trofektodermës.

Gradimi i embrioneve në stadin e blastokistit është më efikas në diferencimin e embrioneve me potencial të lartë implantimi (embrione e mira) nga embrionet me potencial të ulët implantimi (embrionet jo të mira).

Për më tepër, në ditën 5 do të ketë më pak embrione se në ditën 3 pasi për shkak të seleksionit natyror një pjesë do të ndalojnë zhvillimin.

Megjithatë, sistemet e gradimit nuk duhen absolutizuar. Ne kemi parë embrione të cdo grade që ka përfunduar me lindjen e një bebi të shëndetshëm.

Në ditën 5 pacientja mund të ketë informacion mbi nr. e embrioneve që kanë vazhduar rritjen dhe zhvillimin dhe cilësinë e tyre. Afërsisht gjysma e embrioneve të ditës 3 do të ndalojnë zhvillimin pas ditës 3. Zakonisht kjo ndodh në embrionet që kanë anomali me kromozomet e tyre. Një embrion që ndalon rritjen në laborator, kuptohet që nuk do të zhvillohej edhe në mitër në rast se do të transferohej. Jo të gjithë embrionet zhvillohen me të njëjtën shpejtësi. Disa e arrijnë stadin e blastokistit në ditën 5 ndërkohë që disa të tjerë në ditën 6. Të gjitha këto janë variante normale. Embrionet më të mira transferohen ose ngrihen në ditën 5 (edhe kjo në varësi të rastit apo politikës së klinikës).

Embrionet që ngrihen (krioprezervohen) ruhen në laborator deri në momentin që juve do tju nevojiten. Zakonisht ngrihen embrione e cilësisë së mirë, ndërkohë që ata të një cilësie të dobët do të lihen për tu zhvilluar edhe 24 orë të tjera.

Dita 6 – Dita finale

Nqs një embrion nuk ka arritur stadin e blastokistit as në ditën 6 atëherë ai nuk është viabël dhe për rjedhojë skartohet (nuk ruhet). Nqs ai arrin të shndërrohet në blastokist ait ë transferohet ose të ngrihet për transfertë në një momënt të dytë. Është e pamundur kultivimi i embrioneve përtej  ditës 6.

Biopsia e embrionit

Nqs ju do të kërkoni analizën kromozomiale të embrioneve tuaja, atëherë në ditën 3 do të analizohet një nga qelizat blastomere e embrionit ose në ditën 5 një grup i vogël (4-5 qeliza) nga blastokisti i ditës 5/6. Kjo teknikë quhet biopsi embrionale.

Analiza kromozomiale na lejon të zgjedhim embrionet normalë nga ana kromozomiale / gjenetike. Kjo analizë rekomandohet sidomos në pacientet me shumë cikle IVF pa sukses, që kanë moshë më të madhe se 38 vjece, që janë mbartës të ndojë sëmundje gjënetike apo që kanë sëmundje abortive (humbje të përsëritura të shtatzanisë).

error: Content is protected !!