Humbja e kohës rrit shpenzimet & ul shanset!

Humbja e kohës rrit shpenzimet dhe për më tepër ul shanset!

Ka shumë çifte infertile të cilët humbasin kohë duke u drejtuar tek mjekë që nuk e njohin si duhet intertilitetin ose që nuk merren aspak me të. Kjo bën që muaj (në raste të vecanta edhe vite) të kalojnë pas asnjë arritje dhe duke kryer analiza dhe ekzaminime të panevojshme ose periferike. Në disa raste, ndodh që pacientët të kalojnë në disa mjekë të tillë dhe për rjedhojë koha e humbur të jetë akoma më e madhe. Tragjike dhe komike në këto raste është se vazhdohet në disa raste të përsëriten të njëjtat analiza apo ekzaminime të panevojshme 2-3 herë duke anashkaluar analiza apo ekzaminime kryesore. Shembull janë rastet e shumta në Shqipëri kur shikon me dhjetra ekzaminime të sekrecioneve vaginale, apo TORCH në mungesë të një profile hormonal.

Koha e humbur ka një efekt shumë negativ pasi me kalimin e viteve problemet zmadhohen dhe shtohen në numër. Pavarësisht shkakut fillestar të infertilitetit, nqs vitet kalojnë, mbi këtë shkak ekzistues shtohet edhe reduktimi i rezervës ovariane (pra ulja e numrit dhe cilësisë së vezëve). Kështu nqs një cift që duhet të kryejë Fertilizim In Vitro dhe vonon 5 vite në marrjen e këtij vendimi, do të ketë më pak shanse suksesi në kryerjen e kësaj procedure nqs e vonon … (mos harroni se shanset e suksesit të Fertilizimit In Vitro varen në radhë të parë nga mosha e femrës … pra nga rezerva ovariane). Në Fertilizim In Vitro nuk “shpiket” asgjë nga hici: që do të thotë: stimulimi në IVF do të rrisë shumë vezë nqs femra do të ketë rezervë të mirë ovariane, dhe pak vezë nqs femra do të ketë rezervë të pakët ovariane.

Situata të tjera që mund të ndikohen negativisht nga “vonesa” janë situatat në të cilat kemi një problem të rëndë tek mashkulli (prodhim shumë të ulët të spermatozoideve). Janë ato situate në të cilat mashkulli nqs pret 5 – 10 vjet për të kuptuar se duhet të kryejë Fertilizim In Vitro, rrezikon të ngelet pa asnjë qelizë spermatozoid … (Situatë në të cilën edhe Fertilizimi In Vitro është i mundur vetëm me spermatozoide të dhuruara).

Pra, kini parasysh:

  • Zgjidhni mjekun e duhur dhe me eksperiencë në këtë drejtim!
  • Mos përsërisni analiza të panevojshme!
  • Mos humbni kohë!
  • Një trajtim i infertilitetit tani është shumë herë më i lirë nga ana financiare dhe me më shumë sukses se sa pas 5 apo më shumë viteve.
Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!