Frika përpara Fertilizimit In Vitro …

Frika është një emocion i shtyrë më tepër nga imagjinata se sa nga ngjarjet reale. “Shumë veta dorëzohen që përpara se të fillojnë dicka, për shkak se kanë frikë se dështojnë”. A je edhe ti pjesë e këtij grupi? Sipas psikologëve njerëzit duhet të përballen me frikërat e tyre në mënyrë që ti kalojnë ato. Shumë e lehtë për tu thënë dhe më e komplikuar për tu bërë. Nuk është një dicka që ti e kryen me kokën lart. Fillimisht duhet të identifikosh frikërat përpara se të kalosh në zgjidhjet e mundshme.

 

Është e natyrshme për një femër apo për cdo person që të ketë frikë nga një trajtim mjeksor i cili përfshin një sërë mjekimesh apo procedurash mjeksore. Cdo trajtim ka efekte anësore dhe komplikacione. Përpara se të përhumbeni në efektet anësore apo tek komplikacionet duhet më para të njihni sa është probabiliteti i tyre. Pra se sa femra vërtet i kanë përjetuar këto efekte anësore dhe kanë vuajtuar nga ato. Ky probabilitet është vërtet shumë i ulët. Zakonisht nuk ndodhin tek personat e shëndetshëm, por tek ato me probleme shëndetësore të njohura prej vitesh.

Është e rëndësishme për një femër që do ti nënshtrohet një trajtimi infertiliteti që të fillojë të ketë një jetë të shëmdetshme 3 – 6 muaj përpara trajtimit. Kjo përfshin një dietë të shëndetshme, ndërprerja e ushqimeve fast-food, ushtrime fizike, ndalimi i duhanit apo alkoolit etj. Një trup i shëndetshëm ka më tepër shanse për sukses në IVF.

Frika e lidhur me trajtimin


Idea se do të ndiqet një trajtim mjeksor i cili do të zgjasë disa janë mund të jetë stresuese. Menjëherë disa femra përjetojnë frikë në momentin që informohen për kohëzgjatjen e trajtimit dhe se cfarë përmban ai. Disa nga fobitë që ato përjetojnë janë si më poshtë:

Frika nga injeksionet: IVF përfshin një seri injeksionesh dhe një pjesë e pacienteve kanë fobi nga gjilpërat (injeksionet). Por aget e injeksioneve në IVF janë të holla dhe të imëta duke bërë që dhimbja e shkaktuar nga injeksioni të jetë thuajse inekzistente. Shumë femra kanë konstatuar pas injeksionit se më tepër kanë ndjerë frikë përpara injeksionit se sa vetë dhimbjen e shkaktuar nga gjilpëra. Mos kini frikë të informoni infermieren që përpara injeksionit për frikën tuaj. Janë të shumtë ata që kanë të njëjtën frikë. Ju nuk mund ti evitoni injeksionet nqs keni hyrë në një proces IVF, por do të shikoni se dhimbja është aq minimale sa nuk justifikon shkallën tuaj të frikës përpara injeksionit.

Frika nga aspirimi i vezëve. Në momentin e parë që lexoni për procedurën e marrjes së vezëve (OPU- Oocyte PiCK Up) kjo mund tju duket dicka e tmerrshme: një age e gjatë në vezoret tuaja që kërkon vezë. Patjetër që duhet të jetë një procedurë e dhimbshme. Lajmi i mirë është se ju nuk do ta mësoni kurrë se sa e dhimbshme është kjo procedurë. Kjo sepse gjatë aspirimit të vezëve pacientja është nën anestezi të përgjithshme. Nuk ka asnjë mundësi që agia të futet në trupin tuaj në mungesë të anestezisë. Aspirimi i vezëve është një procedurë e precizionit të lartë që kërkon kohën e saj dhe një paciente në anestezi. Pas procedurës ju mund të ndieni ndonjë dhimbje në fund të barkut pak a shumë të ngjajshme me atë që përjetoni gjatë ovulacionit cdo muaj. Kjo dhimbje mund të zgjasë disa orë pas procedurës.

Frika nga injeksionet hormonale. Mendimi se marrja e hormoneve mund të shkaktojë ndonjë dëm në shendetin e femrës është një mendin që qarkullin prej vitesh. Duhet patur parasysh se hormone që përdoren në IVF janë të njëjtat hormone që prodhon edhe trupi i femrës por vecse të administruara në doza më të larta.

Frika nga hiperstimulimi. Disa femra mund të pësojnë hiperstimulim gjatë stimulimit të vezoreve. Hiperstimulimi ndodh në ato raste kur pavarëisht dozave të kontrolluara të stimulantëve përgjigja e vezoreve është përtej asaj të pritur. Kjo mund të shkaktojë më tepër dhimbje në fund të barkut, fryrje dhe të përziera. Në shumicën e rasteve për të mos u agravuar akoma më tej, në rastet që dyshohet për hiperstimulim transferta e embrioneve shtyhet për 1 apo 2 muaj në mënyrë që tu jepet kohë vezoreve të vijnë në gjendjen përpara stimulimit.

Shtatzanitë multiple. Historitë me shtatzani me 4 apo më shumë embrione janë bombastike por i përkasin dekadave të para të erës së IVF-së. Në ditët e sotme numri i embrioneve që do të transferohen në mitër diskutohet gjithnjë me pacientët përpara transfertës. Zakonisht për blastocistet numri i embrioneve të transferuara nuk rekomandohet të kalojnë mbi 2, ndërkohë për embrionet e ditës së 3-të numri i embrioneve të transferuara nuk rekomandohet të jetë mbi 3. Megjithatë mund të ketë situata në të cilat këto rekomandime mund të dryshojnë, por kurrsesi nuk mund të imagjinohen transferta të 5 apo 6 embrioneve!

Frika nga anestezia. Kinemaja ka bërë që disa njerëz të mendojnë se jo të gjithë pacientët zgjohen nga anestezia. Kjo është një frikë më se e justifikuar dhe vështirë të përballesh me të. Kjo është pasojë e mosdijes dhe mungesës së informacionit. Megjithatë e vetmja mënyrë për të provuar se njerezit zgjohen dhe zgjohen pa probleme pas anestezisë është të pyesësh ata që kanë kaliuar ndonjë intervent kirurgjikal dhe kanë marrë anestezi dhe që janë zgjuar pa probleme pas mbarimit të interventit. Edhe në ato raste të raportuara të njerëzve që nuk janë zgjuar nga anestezia, kjo nuk ka qenë pasojë e anestezisë por e sëmundjeve që shoqëronin individin. Anestezia thjesht ju ve në gjumë dhe as edhe një mbidozë nuk do të shkaktojë vdekje!

Menopauza e parakohëshme: Shume femra janë të shqetësuara për rezervën e tyre të vezëve. Gjatë një procedure IVF një numër i caktuar vezësh aspirohet nga vezoret. Disa paciente kanë frikë se mos kjo procedurë shoqërohet me një pakësim shumë më të shpejtë të rezervës së vezëve dhe për rjedhojë ato mund të hyjnë më shpejt në menopauzë. Kjo nuk është e vërtetë. Gjatë një cikli ovulator rekrutohen shumë ovocite, por vetëm njera prej tyre do të maturohet dhe për rjedhojë do të ovulojë. Vezët e tjera nga rekrutimi do të eliminohen përmes një procesi natyror. Gjatë një cikli stimulimi për IVF, arrihet të tërhiqen më shumë se një vezë, pra vezët e tërhequra janë ato që gjithsesi do të eliminoheshin atë cikël.

Kanceri i vezoreve. Shumë femra pyesin të shqetësuara për mundësine e kancerit të vezoreve pas stimulimeve hormonale për IVF. Megjithatë studimet kanë treguar se nuk ka lidhje mes tyre.

Frika është një pjesë emocionale e natyrës njerëzore. IVF është një udhëtim emocional i cili kërkon edhe mbështetjen nga partneri, pjestarët e familjes dhe nga ekipi mjeksor. Në momentin që e keni filluar këtë udhëtim ju do të jeni një person më i fortë emocionalisht që nuk do të ketë më frikë nga injeksionet apo nga procedurat mjeksore.

Frika nga mungesa e suksesit në IVF.


Keni frikë të filloni një IVF për shkak se mund të dështojë? Kjo frikë është më se normale dhe nuk ka përse të ndiheni keq. Disa paciente janë në ankth nga ajo se cfarë mund të mendojnë të tjerët për të nqs nuk arrin të ketë një shtatzani edhe pas një cikli IVF. Një IVF pa sukses nuk është fundi i udhëtimit. Ka gjithnjë një mundësi për një tentative të tjera. Thjesht se tentative e parë nuk rezultoi me sukses kjo nuk do të thotë që të dorëzoheni.

IVF ka një shans të mirë për sukses të cilat vijnë gjithnjë duke u rritur. Shanset në rang botëror për sukses në tentativën e parë janë 30%. Kjo shifër mund të variojë në funksion të moshës së pacientes (në moshat nën 30 vjec kjo mund të jetë edhe mbi 50%). Ndërkohë në rast mos suksesi të tentativës së parë, mos u shqetësoni pasi rreth 80% e pacienteve arrijnë të kenë një shtatzani brenda 3 tentativave IVF.

Frika nga shpenzimet


Nuk ka ndonjë limit të lidhur me trajtimin mjeksor. Gjithnjë ka ndonjë mjekim shtesë që mund të kërkohet dhe asnjëherë nuk mund të përcaktohet që më përpara kostoja e gjithe trajtimit. Zakonisht medikamentet (ilacet) në IVF janë të shtrenjta dhe kjo jo për faj të klinikave por për faj të distributorëve farmaceutikë.

Klinika mund tju japë një vlerësim paraprak të kostove të të gjithë medikamenteve por zakonisht kostoja reale mund të kalojë me të paktën 25% vlerësimin paraprak. Është mirë që të jeni të përgatitur për kostot shtesë në trajtim pasi asnjëherë nuk mund të parashikohet në se stimulimi do të zgjasë 8 apo 12 ditë.

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!