Edhe një herë për blastokistin …

Përkundrejt bindjes gjithnjë e më “solide” të viteve të fundit mbi superioritetin e transfertës së embrioneve në stadin e blastokistit, një studim nordik i botuar në revistën prestigjioze Human Reproduction raporton për disa rreziqe “të vogla” por domethënëse të lidhura me transfertën e blastokisteve në freskëta. Ky studim hedh rikthen edhe njëherë debatin mbi transfertën e embrioneve: Day 3 apo Day 5 embryo (Blastocyst).

Në kohën kur teknologjia Time Lapse dhe perfeksionimi i krioprezervimit (vitrifikimi) është bërë një standart gjithnjë e më i përhapur, kultura e embrioneve deri në stadin e blastokistit (dita 5) filloi të bëhet rutinë në shumë prej klinikave që ofrojnë Fertilizim In Vitro.

Duke rezultuar me një shkallë të mirë suksesi, sidomos në rastet e transfertës së vetëm një (1) embrioni, transferta në stadin e blastokistit u shndërrua në një zgjedhje ku përputheshin dëshirat e pacientëve me ato të ekipit mjeksor. Këto shanse ishin akoma më të larta nqs transferohen 2 blastokiste.

Por le ta hedhim vështrimin përtej testit pozitiv të shtatzanisë pas embrio transfertës. Studimi i fundit nordik ngre disa pikëpyetje mbi impaktin afatgjatë që mund të ketë kultura e embrioneve deri në stadin e Blastokistit mbi shëndetin e nënës dhe të fëmijës.

Studimi në fjalë është shumë i besueshëm dhe për këtë mjafton të shikosh rastet e përfshira në studim: 70 000 lindje të fëmijëve të konceptuar përmes IVF / ICSI, raste këto të mbledhura në Suedi, Norvegji, Danimarkë dhe Finlandë. Rezultatet tregojnë një rritje të vogël por domethënëse të rrezikut për placenta previa dhe lindjes premature tek rastet me transfertë të blastokisteve (dita 5) të freskët kundrejt rasteve me transfertë të embrioneve të freskët në stadin e klivazhit (dita 3).

Nga ana tjetër, një ndikim i transfertës së blastokisteve të ngrira në rritjen e mundësisë për lindje premature është raportuar edhe më përpara nga një studim italian të kryesuar nga i njohuri Carlo Alviggi në vitin 2018.

Një rezultat tjetër i studimit nordik ishte se transferta e blastokisteve të freskëta rezultonte në një raport më të madh meshkuj / femra në lindje duke u krahasuar me transfertën e embrioneve në stadin e klivazhit (dita 2 ose 3); një rritje me 1.13%. Një tendencë e tillë qëndron edhe duke u krahasuar me rastet e shtatzanive natyrale; një rritje me 1.1%.

Në bazë të këtyre efekteve mendohet të jetë ndikimi i mediumeve të kulturës në zhvillimin e embrionit.

Megjithatë duhet theksuar se të tjerë studiues nuk kanë konstatuar të tilla efekte në studimet e tyre.

Duhet theksuar se “rreziku kryesor“ që lidhet me Teknikat e Riprodhimit Artificial mbetet ende ai i shtatzanive multiple (binjakë / trinjakë e më shumë). Dhe në këtë drejtim, kultura e embrioneve deri në stadin e blastokistit dhe transferta vetëm e një embrioni në një stad të tillë ofron kompromisin më të mirë mes shanseve të mira për transfertë dhe reduktimin të shanseve për shtatzani multiple.

 

Duket se dilema “transfertë në ditën e 3-të apo të 5-të do të jetë ende pjesë e diskutimeve mes mjekëve specialistë në Mjeksinë Riprodhuese, embriologëve dhe pacienteve që kërkojnë Fertilizim In Vitro.

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!