CLOMIDClomiphene Citrate

Çfarë është Clomid?


Clomid (ose ndryshe Clomiphene Citrate) është mbase medikamenti më i përdorur në trajtimin e infertilitetit që prej viteve 60 të shekullit të kaluar. Qarkullon në formën e tabletave 50 mg. Vepron duke moduluar në mënyrë selektive receptorët e estrogjenit (selective estrogen receptor modulator – SERM). Kjo do të thotë se lidhet me këta receptorë. Efekti kryesor është rritja e niveleve të hormonit folikulo stimulus (FSH) në qarkullimin e gjakut. FSH nxit në mënyrë direkte vezoren për të rritur dhe ovuluar (çelur) një vezë (ovocit) të pjekur. Mund të përdoret për të induktuar ovulacionin ose ose edhe i kombinuar edhe në trajtime të tjera sic janë për shembull IUI (Inseminim Intrauterin) apo IVF (Fertilizim In Vitro).

Kush duhet ta përdorë Clomid-in?


Clomidi përdoret për ato femra që nuk kanë ovulacion në të rregullt ose nuk ovulojnë aspak. Të tilla femra kanë edhe cikle menstruale të çrregullta ose ciklet mungojnë për periudha të gjata disa mujore. Shumica e këtyre femrave që kanë probleme me ovulacionin janë ato me sindromën e vezoreve polikistike (PCOS – Polycystic Ovarian Syndrome). Por Clomid mund të përdoret edhe në raste e femrave që kanë ovulacion, por që duam të ovulojmë më shumë se 1 ovocit (vezë) gjatë një cikli. Në këto raste stimulimi me Clomid përdoret si pjesë përbërëse e trajtimeve me IUI ose IVF.

A ka efekte anësore Clomid-i?


Si çdo medikament fertiliteti, edhe Clomid mund të ketë efekte anësore (si për shembull hiperstimulimi). Për këtë arsye duhet të jepet vetëm nga mjeku specialist në infertilitet & Mjeksi Riprodhuese.

Një efekt anësor që shihet relativisht shpesh është edhe të paturit e një endometri të hollë gjatë ciklit të trajtimit me Clomid. Kjo mund të jetë problem për implantimin e embrionit pasi endometriumi duhet të ketë një trashësi të caktuar në kohën e ovulacionit dhe pas tij. Efekte të tjera anësore janë afshet e nxhehta, dhimbja e kokës, çrregullimet e humorit, shtatzanitë multiple, hiperstimulimi ovarian (OHSS) apo formimi i kisteve. Efektet anësore janë më të shpeshta nqs medikamenti përshkruhet nga mjekë që nuk janë specialist në trajtimin e infertilitetit.

Si merret Clomid?


Clomid merret zakonisht 5 ditë duke filluar nga dita 2-5 e ciklit menstrual. Monitorimi me ekografi transvaginale i përgjigjes ndaj trajtimit është i nevoshëm për të shmangur efektet anësore. Mund të përdoret i vetëm ose në kombinim me medikamente të tjera stimuluese në varësi edhe të planit terapeutik (stimulim ovulacioni, programim kontakti, IUI apo IVF).

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!