Sa embrione duhet të transferohen në IVF?

Shpesh herë, gjatë diskutimit me pacientët që i nënshtrohen një cikli Fertilizimi In Vitro, konstatoj se janë disi të papërgatitur kur shtrohet pyetja se sa embrione do të transferohen në mitër. Është një vendim emocionalisht i vështirë për çiftin dhe që në mjaft raste kërkon mjaft diskutime dhe ridiskutime mes partnerëve dhe ekipit mjekëve që kryejnë Fertilizim In Vitro (IVF).

Tendenca fillestare që kanë mjaft çifte është transferta e dy ose më shumë embrioneve në mënyrë që të maksimalizojnë shanset për sukses. Mendimi për “binjakë” kalon menjëherë në mendje duke shpresuar se do të zgjidhet “pritja” e gjatë për fëmijë menjëherë brenda një ciklit IVF. Kjo sidomos kur ekzistojnë edhe probleme me financat ose me moshën e pacientes.

Megjithatë kjo nuk vlen për të gjitha pacientet. Ndryshe nga pacienti, duhet të mos harrojmë se përgjegjësia e mjekut specialist në IVF shkon përtej një cikli IVF. Mjeku specialist mundohet të ekuilibrojë shanset për sukses (pra për të patur një shtatzani) me shanset për të patur shtatzani të shëndetshme dhe që të përfundojnë në lindje me sa më më pak komplikacione. Pra qëllimi final i IVF është lindja e një fëmije në term (pra jo para kohe) dhe me shëndet të plotë.

Kuptohet që nuk mund të transferohen 5 embrione, pavarësisht stadit të zhvillimit të tyre, pasi kjo mund të rrezikonte një shtatzani multiple e cila kurrsesi nuk mund të quhet sukses. Të paktën jo sipas standarteve moderne!

Kohët e fundit në shumicën e rasteve numri i embrioneve të transferuara është një ose dy embrione, me një tendencë gjithnjë në rritje për transfertën e një embrioni të vetëm. Por ka edhe raste (ato të konsideruara “të vështira”) që bëjnë përjashtim dhe ku jemi të detyruar të transferojmë edhe tre embrione.

Cilat janë rreziqet që lidhen me shtatzanitë multiple?


Shtatzanitë multiple mbartin rreziqe të shumta si për shembull:

  • Rreth 60% e shtatzanive me binjakë dhe 90% e atyre me trinjakë lindin parakohe.
  • Lindjet parakohe janë përgjegjëse për pasoja afatgjata ne shëndetin e të porsalindurve.
  • Komplikacionet serioze që venë në rrezik jetën e nënës janë dy herë më të shpeshta tek shtatzanitë me binjakë në krahasim me shtatzanitë që kanë vetëm një fetus.

E thënë shkurt; për çdo fetus shtesë, femra shtatzanë mbart rreziqe shtesë për të patur komplikacione gjatë shtatzanisë.

Duhet theksuar se përparimet në fushën e mjeksisë kanë bërë të mundur që neonatologët tashmë të kenë suksese që nuk mund të imagjinoheshin 20 – 30 vite më përpara. Tashmë shumica e fetuseve të lindur në javën 28 arrin të mbijetojë. Por pavarësisht këtyre sukseseve, është detyra jonë të kontribuojmë sa të jetë e mundur në uljen e rrezikut për lindje premature.

Cilat janë shanset për sukses nqs transferojmë një embrion dhe nqs transferojmë 2 embrione.


Ndërkohë që aryseja kryesore se përse konstatohet kjo rritje e rasteve ku transferojmë vetëm një embrion për transfertë është ajo shmangies së shtatzanive multiple, një tjetër arsye është edhe se në mjaft raste shanset për sukses janë të njëjta me ato kur transferojmë dy embrione. Kjo vjen si pasojë e përparimeve në teknologjinë e riprodhimit artificial. Ndër këto përparime janë monitorizimi më i detajuar i zhvillimit embrional dhe për rjedhojë një aftësi më e madhe për embriologun që të seleksionojë ato embrione që kanë potencial më të madh për implantim. Këtu përmendim sidomos teknologjinë Time Lapse (EmbryoScope) dhe PGT.

Sipas qendrës amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve (CDC) “ndër femrat që kanë një shans të mirë për sukses në IVF, ato që transferojnë vetëm një embrion kanë shanse pak a shumë të njëjta për të patur një lindje të një fëmije nqs krahasohen me ato që transferojnë dy apo më shumë embrione për transfertë. Nga ana tjetër shumica e lindjeve janë lindje unike (pra vetëm një beb). Këto rezultate mbështeten edhe nga studime të tjera.

Kur mund të rekomandohet transferta e vetëm një embrioni?


Situatat në të cilat mund të zgjedhim që të transferojmë vetëm një embrion për transfertë janë si më poshtë:

  • Pacientet që klasifikohen me shanse “të mira” për sukses në IVF.
  • Pacientet në moshë < 38 vjec.
  • Pacientet që kanë cilësi të mirë të ovociteve dhe të embrioneve.
  • Pacientet që janë në ciklin e parë të IVF.

Situatat në të cilat mund të zgjedhim që të transferojmë më shumë se një embrion për transfertë janë si më poshtë:


  • Mosha e pacientes > 38 vjece
  • Paciente që kanë kryer disa IVF por pa sukses.
  • Pacientet që klasifikohen si me :shanse të pakta” për sukses.

Për tu mbajtur mend!


Vendimi mbi numrin e embrioneve të transferuara në një transfertë është një vendim i veshtirë. Ai nuk mund të jetë i njëjtë për të gjithë pacientet pasi varet nga karakteristikat specifike të cdo rasti. Diskutimi lidhur me numrin e embrioneve që do të transferohen është një standart të cilin duhet ta kenë të gjitha klinikat.

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!