Sa cikle IVF?

Për shkak të kostos financiare, stresit emocional dhe fizik që mbart një cikël IVF është mirë që një çift që do ti nënshtrohet një proçedure të tillë të jetë në dijeni (dhe të mirëkuptojë) që mund të jetë e nevojshme të kryejë më shumë se 1 (një) cikël IVF për të arritur në rezultatin e dëshiruar – lindjen e një fëmije. Nqs çifti mendon se mund të përballojë kostot financiare për vetëm një cikël IVF, atëherë duhet të mendojë mënyra alternative mjekimi (nqs ato janë të mundshme!).

Mos harroni se mesatarisht, me një cikël IVF, shanset për të përfunduar me një lindje të gjallë janë rreth 33%. Kuptohet që kjo shifër varion në varësi të shumë faktorëve, ku më i rëndësishmi është mosha e fëmrës. Femrat më të reja në moshë gëzojnë më shumë shanse, ndërkohë që ato në moshë më të avancuar gëzojnë shanse më të pakëta në krahasim me shifrën e mësipërme. Në rast dështimi, goditja emocionale që pëson çifti është e madhe. Aq më keq përjetohet ky dështim nqs çifti nuk është në dijeni të shifrave të sipërpërmendura.

Për këtë arsye, partnerët (femra dhe mashkulli) duhet ti nënshtrohen IVF-it duke qenë të vetëdijshëm që mund të jetë e nevojshme ti nënshtrohen disa cikleve IVF! Natyrisht që disa çifte mendojnë: “Nqs dështon cikli i parë IVF atëherë nuk kryejmë kurrë më IVF”. Ky është një qëndrim fatalist dhe që zakonisht vjen si pasojë e mungesës së informacionit.

Nga ana statistikore, një femër nën moshën 35 vjecare, që përdor vezët e saj, duke zgjedhur një program të mirë IVF, ka shanse që kalojnë 70% për të patur një bebe brenda 3 cikleve të plota IVF, me kusht që të ketë një rezervë të mirë ovariane, një mitër receptive (pa probleme) dhe mashkulli të ketë spermatozoide të lëvizëshme. Femrat e grupmoshës 35 vjec, nuk do të kenë shanset e sipërpërmendura

Për fat të keq, do të ketë gjithnjë femra që nuk do të arrijnë të lindin dhe të bëhen nëna pavarësisht përpjekjeve në klinikat më të mira të fertilitetit. Shumica e specialistëve të fertilitetit nuk rekomandojnë > 3 cikle IVF me të njëjtën metodologji. Pas çdo cikli IVF të përfunduar pa sukses duhet të ketë një rivlerësim të rastit përpara se të kalohet në ciklin tjetër të IVF. Në rast se shkaku për mungesën e suksesit të cikleve IVF mendohet se është gjetur (dhe trajtuar), atëherë rekomandohet kalimi në ciklin e katërt apo të pestë të IVF.

Pra e thënë thjesht, momenti për ti thënë stop përpjekjeve (pra boll më cikle të tjera IVF) është ai moment kur njohuritë janë të pamjaftueshme për të dhënë më shpjegim (edhe pasi janë trajtuar shkaqet e mundshme) mungesës së përsëritur të suksesit në IVF:

  • kur është menduar për receptivitetin e mitrës dhe është kryer histeroskopia
  • kur është trajtuar trombofilia apo problemet imunologjike,
  • kur janë provuar disa protokolle stimulimi (protokollet duhet të jenë sipas nevojave të pacientes dhe jo sipas planit të mjekut). Dihet që në pacientet me rezervë ovariane të reduktuar duhet të përdoret një protokoll i ndryshëm nga ai që përdoret në femrat me rezervë normale ovariane. Pacientët që zgjedhin të kryejnë IVF jashtë shtetit ku jetojnë, janë viktima të kohës së mangët për vlerësim paraprak dhe përzgjedhje të protokollit të duhur për stimulim. Ndonjëherë protokolli i zgjedhur mund të jetë edhe më i shkurtër në kohë për arsye teknike dhe jo mjeksore.
  • kur është menduar për anomalitë kromozomiale dhe është kryer PGT,
  • kur janë provuar të dy llojet e transfertave (në ditën e tretë dhe ajo e blastokisteve)
  • kur janë provuar të dyja metodat e fertilizimit (IVF klasik dhe IVF-ICSI).

Në rast se të gjitha mundësitë e mëposhtme janë ezauruar, atëherë çifti duhet të zgjedhë metoda të tjera alternative ku më e shpeshta është donacioni (dhurimi) i vezëve.

Nqs mosha e femrës është ≥ 43 vjece, shanset e suksesit të saj për një cikël IVF janë < 5%. Megjithëse është e drejta e çdo femre të provojë IVF me vezët e saj edhe sikur ajo të jetë në gjendje të prodhojë vetëm 1 folikul / vezë, mjekët rekomandojnë që femrat në moshë ≥ 43 vjec ti drejtohen IVF me vezë të dhuruara. Në rastet me vezë të dhuruara, shanset e lindjes së një bebi janë rreth 60% për një cikël IVF dhe > 80% brenda 3 cikleve IVF.

Çiftet që i nënshtrohen Fertilizimit In Vitro duhet të njihen me të gjitha etapat që përfshin ky proçes, duhet mirëkuptojnë shanset e suksesit dhe koston financiare të trajtimit. Edhe sikur shpjegimi i personelit mjeksor nuk ju duket i mjaftueshëm, ciftet duhet të kërkojnë përgjigje për çdo lloj pyetje që u lind. Në fund të fundit, asnjë pyetje nuk është e gabuar; përgjigja mund të jetë e gabuar! 

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!