Trajtimi i Infertilitetit

Trajtimi i Infertilitetit

Si fillim çiftet që përballen me “vonesën” e shtatzanisë duhet të reduktojnë stresin dhe ankthin. Është fakt se në disa raste nuk kemi të bëjmë aspak me infertilitet dhe shtatzania vjen nqs ndiqet një jetë e shëndetshme (ndalohet alkooli, duhani etj), respektohet periudha fertile e femrës.

Thelbësore në trajtim është zgjedhja e momentit të duhur për të kërkuar ndihmën e mjekut dhe zgjedhja e mjekut specialist në infertilitet. Kjo do të minimizonte kohën e nevojshme drejt shatzanisë dhe shpenzimet e panevojshme për analiza të parëndësishme.

Trajtimi i infertilitetit femëror

Në varësi të shkakut të infertilitetit femëror, janë disa alternativat e trajtimit:

  1. Stimulimi i ovulacionit
  2. Kirurgjia
  3. Inseminimi artificial (IUI)
  4. Fertilizimin In Vitro.

Induksioni i ovulacionit


Ciklet jo të rregullta ose që mungojë fare mund të jenë tregues që ovulacioni është jo i rregullt ose edhe që mungon fare.

Induksioni i ovulacionit mund të kryhet përmes medikamenteve të ndryshme në formë tablete (Letrozole, Clomid). Në rast se këto medikamente nuk japin efektin e duhur atëherë kalohet në injeksionet me gonadotropina (hormone), të cilat kanë efekt më të fuqishëm dhe për rjedhojë më tepër efekte anësore (OHSS), më tepër kosto dhe më tepër nevojë për kontroll.

Në cilat raste i drejtohemi kirurgjisë?


Infertiliteti femëror, në disa raste, mund të shkaktohet bllokime apo deformime mekanike të sëmundjeve të ndryshme mbi organet e riprodhimit. Këtu përmendim:

  • Miomat – Tumore beninje që rriten në mitër. Nqs ato arrijnë dimensione të mëdha, ose lokalizimi i tyre bllokon tubat, ose kur deformojnë kavitetin e mitrës atëherë rekomandohet heqja e tyre (miomektomia).
  • Polipet endometriale – Rritje të shtresës që vesh kavitetin e mitrës (endometriumin).
  • Endometrioza – rritja dhe zhvillimi i indit endometrial jashtë kavitetit të mitrës. Kjo mund të shkaktojë aderenca dhe bllokime të tubave të Fallopit.
  • Anomalitë e lindura të mitrës – Një nga këto anomali është septumi ose perdja e mitrës.
  • Kistet e vezores – Këto mund të jenë të natyrave të ndryshme. Në disa raste ato mund të rriten në dimensione ose dhe të shkaktojnë çrregullime në ovulacion apo edhe dëmtim të rezervës ovariane.

Të gjitha këto probleme mund të trajtohet përmes laparoskopisë dhe histeroskopisë. Në raste të veçanta (për shembull miomat e mëdha) trajtimi kirurgjikal është ai klasik (laparotomi ose kirurgjia e hapur).

Inseminimi Artificial ose intrauterin (IUI)


Inseminimi është një teknikë që mund të përdoret në trajtimin e infertilitetit. Gjatë kësaj teknike, sperma injektohet në brendësi të mitrës përreth momentit të ovulacionit. Është një teknikë e thjeshtë, jo shumë e kushtueshme dhe pa shumë efekte anësore. Megjithatë nuk mund të përdoret në cdo rast. Përdoret sidomos në rastet me probleme të lehta të spermiogramës. Në rastet me endometriozë të formës së lehtë, në rastet me disfunksion erektil etj.

Fertilizimin In Vitro


Fertilizimi In Vitro është metoda kryesore e riprodhimit të asistuar (ose artificial). Ajo ka në bazë të saj aspirimin (tërheqjen) e vezëve jashtë trupit të femrës dhe fertilizimin e tyre në kushte laboratorike. Është trajtimi më kompleks i infertilitetit dhe për rjedhojë edhe më i kushtueshmi. Në disa raste duhet të kalohet direkt në Fertilizim In Vitro; këtu përmendim rastet kur kemi dëmtime të rënda të tubave të Fallopit tek femra ose defekte të rënda të spermiogramës tek mashkulli, ose kur kemi 3 – 5 vite infertiltet të pashpjegueshëm. Në raste të tjera është mirë që Fertilizimi In Vitro të lihet si alternativë e fundit.

Trajtimi i infertilitetit mashkullor

Janë të shumta medikamentet që qarkullojnë për trajtimin e infertilitetit mashkullor, por vlera e tyre në përmirësimin e cilësisë së spermës është shumë modeste.  Megjithatë ekzistojnë disa teknika të cilat mund të rrisin shanset për koncepsion duke përdorur spermën eksistuese të mashkullit infertil. Këtu përmendim kirurgjinë. Terapinë hormonale, Inseminim artificial (IUI), Fertilizimin In Vitro (IVF) dhe ICSI.

Kirurgjia


Varikocela: Një pjesë e mirë e mjekëve urologë do të rekomandonin trajtimin kirurgjikal duke hequr venat e zgjeruara që janë në bazë të kësaj sëmundje. Megjithatë përfitimet e kësaj kirurgjie ende janë të debatueshme.

Kanalet apo tubulat në sistemin riprodhues të mashkullit mund të bllokohen nga infeksione të ndryshme ose nga një operacion vazektomie në të kaluarën. Në disa raste ky bllokim mund të riparohet përmes kirurgjisë. Por edhe këtu, rikthimi i fertilitetit natyral është shumë modest. Nqs kirurgjia nuk ka efektet e pritura, atëherë kalohet në PESA (Percutaneous Sperm Aspiration) dhe spermatozoidet e aspiruara mund të përdoren për Fertilizim In Vitro me ICSI ose të ruhen për përdorim në një moment të dytë.

Terapia hormonale


Gjendra e hipofizës që ndodhet në tru, prodhon hormone që stimulojnë testikujt që të prodhojnë spemë. Në një numër të vogël të këtyre rasteve, infertiliteti mashkullor është pasojë e niveleve të ulëta të këtyre gonadotropinave. Marrja e tyre përmes injeksioneve mund të rrisë fertilitetin e këtyre rasteve.

Inseminimi Intrauterin (IUI)


Në këtë teknikë, sperma kolektohet, përpunohet dhe koncentrati me vetëm spermatozoidet më të lëvizshme injektohet në mitrën e partneres përmes një kateteri delikat. IUI mund të jetë një mundësi trajtimi në rastet e meshkujve me:

  • me spermë që ka përqëndrime të ulëta të spermatozoideve (por jo shumë të ulëta!)
  • me probleme impotence
  • me antitrupa ndaj spermatozoideve në lëngun seminal

Fertilizimi In Vitro (IVF)


Fertilizimi in Vitro është fertilizimi (bashkimi, fuzionimi) i spermatozoidit me vezën jashtë trupit të njeriut në kushte laboratorike. Në shumë raste, meshkujt infertilë kanë spermë mjaftueshëm për të kryer një Fertilizim In Vitro konvencional (klasik). Në rastet kur kemi të bëjmë me defekte të rënda atëherë kalohet në teknikën modern të Fetilizimit In Vitro që quhet ICSI (Intracytoplasmatic Sperm Injection).

error: Content is protected !!