Analizat tek femra

Analizat tek femra

Fertiliteti tek femra ka si themel çlirimin e vezëve të shëndetshme (ovulacioni) nga vezoret. Aparati gjenital i femrës duhet të lejojë kalimin e vezës nëpër tubat e Fallopit ku mund të takohet me spermatozoidin për tu fekonduar. Në rast se fekondimi (takimi_ ndodh dhe formohet embrioni, duhet që ky të vazhdojë rrugën nga tubat e Fallopit drejt mitrës ku edhe do të implantohet. Analizat dhe ekzaminimet që ne kërkojmë kanë si qëllim hetimin e gjithë këtij trajekti.

Hapi i parë që duhet të kryhet është konsulta me një gjinekolog specialist në infertilitet dhe Mjeksi Riprodhuese. Në këtë mënyrë ju do të mund të këshilloheni për analizat dhe ekzaminimet e duhura.

Analizat & egzaminimet e faktorit femëror në infertilitet ndahen ne dy grupe:

  • egzaminime & analiza (bazike) që duhet të kryhen patjetër në çdo rast,
  • egzaminime & analiza që duhet të kryhen vetëm në situata të veçanta.

Të kërkuara në cdo rast:


Ekzaminimi gjinekologjik duhet të përfshijë ekografinë gjinekologjike. Përmes saj do të vlerësohet gjendja e mitrës dhe e vezoreve. Ekografia duhet të jetë transvaginale dhe jo abdominale. Ekografia abdominale nuk jep detajet që jep ajo transvaginale. Ai mjek që ju ofron eko abdominale në vlerësimin e infertilitetit ose përton të kryejë atë transvaginale, ose nuk e disponon sondën përkatëse ose më keq … nuk ka njohuritë e duhura në trajtimin e infertilitetit.

Ekografia transvaginale është shumë e vlefshme në vlerësimin e vezorevepasi jep informacionin e duhur lidhur me rezervën ovariane përmes numërimit të folikujve antralë (AFC – antral follicles count) dhe matjes së vëllimit të vezoreve. AFC është shumë e vlefshme në parashikimin e potencialit fertil dhe në zgjedhjen e protokolleve të duhura për stimulim të vezoreve.

Përcaktimi i rezervës ovariane. Ky koncept që duhet të jetë i pari, për fat të keq ose është ndër të fundit që kërkohet nga shumica e gjinekologëve që “trajtojnë” infertilitetin ose nuk kërkohet fare. Sido që të vijë një shtatzani (natyrale apo jo) ne duhet të dimë gjendjen e rezervës ovariane (pra sa vezë kanë “mbetur”!). Kjo përcaktohet përmes analizave të mëposhtme:

  • AMH
  • Profil hormonal në ditën 2, 3, 4 ose 5 të menstruacioneve.
  • Ekografia transvaginale.

Përcaktimi në se femra ka problem me ovulacionin. Rreth 25% e infertilitetit shkaktohet nga problem me ovulacionin. Një nga çrregullimet më të shpeshta që jep anovulacion (mungesë të ovulacionit) ose e bën atë më të rrallë është sindroma e vezoreve polikistike (PCO). Një tjetër gjendje që shoqërohet me probleme të ovulacionit është hiperprolaktinemia. Vlerësimi i ovulacionit bëhet përmes studimit të historisë menstruale, ekografisë transvaginale si edhe analizave hormonale.

Po tubat? Shpesh herë vlerësimi i tubave mungon. Shumica e mjekëve preferojnë të japin mjekime në drejtim të stimulimit të ovulacionit duke anashkaluar vlerësimin e tubave. Kjo është totalisht e gabuar pasi që nuk ka asnjë vlerë ovulacioni nqs tubat e fallopit janë të dëmtuar.Mos pranoni të merrni Clomid psh kur nuk dini gjendjen e tubave! Nqs ju rekomandohet një gjë e tillë, atëherë merrni në konsideratë konsultën në një mjek tjetër. Vlerësimi i tubave kryhet përmes histerosalpingografisë (HSG)HyCoSy ose laparoskopisë.

Vlerësimi i gjendrës tiroide. Gjendra tiroide ka rëndësi pasi problemet në funskionin e saj pasqyrohen në crregullime të ciklit, ovulacionit si dhe rritje të rrezikut për humbje të shtatzanisë. Për këtë arsye kërkohet edhe dozimi i hormonit TSH.

Të kërkuara në raste të veçanta:


Histeroskopia– për të vlerësuar kavitetin e mitrës dhe për të trajtuar polipet, miomat submukoze, sinekite (aderencat brenda mitrës) apo septumin (perden e mitrës),

Laparoskopia– për të vlerësuar kalueshmërinë e tubave dhe praninë ose jo të ndonjë patologjie që mund të interesojë mitrën, vezoret apo tubat nga jashtë.

Analiza gjenetike (kariotip) (sidmos në rastet me dështime të përsëritura të Fertilizimeve In Vitro apo me humbje të përsëritura të shtatzanisë në Tremujorin I)

Konsulta

Konsulta me një mjek specialist është hapi i parë për të kuptuar se ku qëndron problem I vonesës së shtatzanisë. Mjeku specialist pas marrjes së historisë tuaj mjeksore do të kërkojë kryerjen e analizave të duhura për të përcaktuar sa më saktë se cfarë faktorësh po pengojnë ardhjen e fëmijës së dëshiruar.

HSG

Histero-salpingo-grafia

Histerosalpingografia (HSG) është një ekzaminim radiologjik (grafi) që fokusohet në vlerësimin e mitrës dhe të tubave të Fallopit tek femra.

 

Ekografia

Ekografia transvaginale nenkupton futjen e sondës në vaginë. Gjatë cdo ekografie transvaginale sonda vishet me një kondom steril për të respektuar rregullat e higjenës. Mbi këtë mbulesë aplikohet xhel për të lubrifikuar sa më mirë sondën dhe për të bërë sa më të mirë kontaktin me trupin. Në këtë mënyrë edhe imazhet e përftuara do të jenë shumë të qarta.

AMH

Anti-Mullerian Hormone

AMH (Anti-Mullerian Hormone), është një hormon, matja e të cilit ka shumë rëndësi në vlerësimin e potencialit fertil tek femra. Kjo sepse AMH prodhohet direkt nga folikujt ovarianë (hapësirat në të cilët ruhen dhe zhvillohen vezët në vezore). Për rjedhojë dozimi i tij pasqyron rezervën folikulare tek femra.

Hy-Co-Sy

Hysterosalpingo-Contrast-Sonography

Kjo procedurë rekomandohet në rastet me infertilitet për të vlerësuar kavitetin e mitrës dhe kalueshmërinë e tubave të Fallopit.

error: Content is protected !!