Infertiliteti Femëror

Infertiliteti Femëror

Që një femër të arrijë shtatzaninë duhet që të përmbushen faktorët e mëposhtëm:

  1. Femra duhet të ovulojë (të ketë ovulacion). Ovulacioni është clirimi i vezës nga vezorja. Është mjeku gjinekolog me eksperiencë në trajtimin e infertilitetit që bën vlerësimin e ovulacionit tek femra (nqs ndodh në mënyrë të rregullt, jo të rregullt apo nuk ndodh fare).
  2. Partneri nuk duhet të ketë problem me spermën.
  3. Kontakte të rregullta seksuale gjatë ditëve fertile të femrës. Nqs një femër nuk është në gjendje të përcaktojë ditët e saj fertile, atëherë ajo mund të kërkojë ndihmën e mjekut.
  4. Femra duhet të ketë një mitër normale dhe tuba fallopiane normale.spermatozoidi të takojë vezën duhet të kalojë përmes mitrës dhe ubave të Fallopit; kuptohet që cdo dëmtim i kësaj rruge pengon apo vështirëson arritjen e shtatzanisë.

Të katër kushtet e mësipërme, nqs plotësohen bëjnë të mundur arritjen e shtatzanisë sipas sekuencës së mëposhtme:

  1. Veza çlirohet nga njëra nga vezoret
  2. Veza hyn në tubin e Fallopit
  3. Spermatozoidi kalon vaginën – qafën e mitrës – mitrën – tubat e Fallopit ku edhe takohet me vezën.
  4. Spermatozoidi shkrihet (bashkohet) me vezën në një proçes të quajtur fertilizim (ngjizja) duke formuar embrionin.
  5. Embrioni udhëton nga tubi drejt mitrës, në brendësi të së cilës implantohet dhe rritet.

Të gjithë shkaktarët (tek femra apo edhe te mashkulli) që ndërpresin këtë proçes shkaktojnë infertilitet. Tek femra, këto shkaktarë janë si më poshtë:

PROBLEMET ME OVULACIONIN

Me këtë term do të kuptojmë të gjitha ato raste në të cilat femra ka ovulacion jo të rregullt ose nuk ka fare. Ky grup mund të jetë përgjegjës për rreth 25% të rasteve me infertilitet. Këto probleme shkaktohen kryesisht nga defekte hormonale që mund të prekin cdo nivel të aksit hipotalamus – hipofizë – vezore.

  • Sindroma e ovareve polikistike – PCOSTek femrat me PCOS crregullimet hormonale bëjnë që ovulacioni të ndodhë më rallë ose të mos ndodhë aspak. Kjo sindromë mund (por jo gjithnjë) të shoqërohet edhe me insulino rezistencë, obezitet hirsutizëm dhe akne. PCOS është shkaku më i shpeshtë i infertilitetit tek femrat.
  • Çrregullime në nivelin e hipotalamusit. Cikli menstrual drejtohet nga hormonet FSH (folikulo stimulus) dhe LH (luteinizues) të cilët prodhohen nga hipofiza (një gjendër në tru) në një mënyrë karakteristike. Ky funksion dëmtohet në prani të stresit emocional, fizik, mbipeshës apo edhe humbjes së shpejtë në peshë. Të gjitha këto situate shkaktojnë ovulacione të crregullta apo deri edhe anovulacion (mungesë të ovulacionit).
  • Rezerva ovariane e reduktuar dhe insuficienca ovariane e parakohëshme. Në këto raste është numri i pakët i ovociteve (vezëve) në vezore që shkakton ovulacione jo të rregullta apo absente.
  • Prolaktina e rritur (Hiperprolaktinemia). Prolaktina është një hormone që prodhohet nga hipofiza. Në rastet kur ajo rritet përtej niveleve normale, ajo mund të shkaktojë probleme me ovulacionin.
  • LUF – Luteinised Unruptured Follicle Syndrome (Kur folikuli nuk çel …). Në femrat me fertilitet normal, ovulacioni me rupturën (çeljen) e një folikuli matur dhe çlirimin e një veze (ovociti) ndodh rreth 38 orë pas pikut të LH-së (hormonit luteinizues). Pas ovulacionit folikuli i nënshtrohet luteinizimit duke u shndërruar në korpusin luteal (trupin e verdhë) që fillon të sekretojë progesteron. Megjithatë, në një pjesë të vogël të femrave, folikuli dominant luteinizohet pa u rupturuar pavarësisht se ka ndodhur piku i LH-së në mesin e ciklit menstrual.

DËMTIMET E TUBAVE (Kur tubat nuk punojnë si duhet … ose nuk punojnë aspak!).

Zakonisht këto ndodhin si pasojë e infeksioneve pelvike (sëmundja inflamatore pelvike), endometriozës dhe interventeve kirurgjikale që prekin sistemin riprodhues të femrës).

ENDOMETRIOZA

Përveç dëmtimeve tubare, endometrioza ndikon negativisht edhe në funksionin ovarian duke reduktuar rezervën ovariane, duke reduktuar cilësine e ovociteve dhe duke dëmtuar implantimin

SHKAQET E LIDHURA ME MITRËN:

  • Polipet endometriale
  • Miomat (ose ndryshe fibromiomat, fibroidet, fibromat, leiomiomat) janë tumour beninje të mitrës. Në disa raste ato mund të japin shqetësime në varësi të dimensioneve dhe lokalizimit. Kontributi i tyre në infertilitet është i njohur dhe ato gjenden në 5 – 10 % të femrave infertile. Miomat që zhvillohen në brendësi të kavitetit ose ato që arijnë dimensione > 6 cm (pavarësisht lokalizimit) kanë më tepër impact negative në fertilitet.
  • Anomalitë e lindura të mitrës (anomalitë mulleriane) si: septum, uterusi bikorn, uterusi unikorn etj)

SËMUNDJET AUTOIMUNE

Sëmundjet autoimune në bazë të tyre kanë sistemin imunitar që “sulmon” pjesë normale të trupit të njeriut.të tilla sëmundje si lupus eritematous, tiroiditi Hashimoto, artriti rheumatoid mund të dëmtojnë fertilitetin. Se përse ndodh kjo ende nuk është shumë e qartë. Si femra, ashtu edhe mashkulli mund të formojnë antitrupa që luftojnë spermatozoidet ose organet riprodhuese.

DEFEKTET KROMOZOMIALE / GJENETIKE

Mjaft femra nuk arrijnë të kenë një shtatzani apo edhe ta humbin atë për shkak të defekteve gjentike të cilat mund të transmetohen nga nëna tek embrioni. Probleme të tilla zakonisht trajtohen përmes teknikës së PGT.

Endometrioza

Dihet prej vitesh që femrat me endometriozë kanë më tepër vështirësi në arritjen e shtatzanisë. Kjo sepse endometrioza e dëmton fertilitetin e femrës në disa nivele. Endometrioza mund të dëmtoje tubat e Fallopit duke penguar bashkimin e qelizes vezë me spermatozoidin, dëmton rezervën e vezëve dhe cilësinë e tyre nqs ajo prek vezoret si edhe implantimin.

Rezerva Ovariane

Rezerva ovariane është një term që përdoret për të përcaktuar aftësinë e vezoreve për të prodhuar vezë të cilat të jenë të afta për tu fertilizuar dhe dhënë një shtatzani. Termi rezervë ovariane zakonisht i referohet sasisë, cilësisë dhe mundësisë për tu zhvilluar më tej, të vezëve të mbetura në vezore në një moment të caktuar të jetës së femrës.

Infertiliteti tubar

Dëmtimi zakonisht shkaktohet nga formimi i cikatriceve, aderencave apo edhe bllokimeve që mund të ndodhin si pasojë  sëmundjes inflamatore pelvike, endometriozësoperacioneve të ndryshme (lindje me operacion cezarian, apendicit akut, peritonit etj). Këto dëmtime bëjnë të pamundur takimin e vezës (ovocitit) dhe spermatozoidit.

Miomat

(Fibromat, leiomiomat)

Miomat janë tumore të cilat rriten në brendësi të murit të uterusit (mitrës). Miomat njihen edhe me sinonime të tjera si psh leiomioma, fibromioma, fibroma, noduse ose fidroide. Në të gjitha rastet kemi të bëjme me tumore beninje; pra nuk janë kanceroze. Dimensionet e tyre variojnë nga 1 cm deri në 10-15 cm diametër (miomat gjigande). Në mitër mund të rriten një ose disa mioma njëherësh.

PCOS

Vezoret Polikistike

Sindroma e ovareve polikistike (PCOS – Policystic Ovarian Syndrome), është një crregullim relativisht i shpeshtë hormonal që prek femrat e moshës riprodhuese. Tek femrat me PCOS crregullimet hormonale bëjnë që ovulacioni të ndodhë më rallë ose të mos ndodhë aspak. Kjo sindromë mund (por jo gjithnjë) të shoqërohet edhe me insulino rezistencë, obezitet hirsutizëm dhe akne. PCOS është shkaku më i shpeshtë i infertilitetit tek femrat.

DOR

Rezerva e reduktuar ovariane

Rezerva ovariane e reduktuar (DOR – Decreased ovarian reserve) është një situatë në të cilën vezoret kanë më pak potencial fertil duke sjelle kështu edhe infertilitet, për shkak se përmbajnë një numër më të reduktuar të folikujve.

Anomalitë e mitrës

Normalisht forma e mitrës duhet të jetë pak a shumë trekëndore. Në rastin e anomalive uterine të lindura, kemi modifikime të kësaj forme. Këto modifikime mund të sjellin probleme në fertilitet dhe në mbarëvajtjen e shtatzanisë (humbje te perseritura te shtatzanise ose lindje preterm).

 

Polipet endometriale

Polipet endometriale janë zmadhime (rritje, në formën e bizeleve, kokrrave etj) me origjinë nga muri i brendshëm i mitrës me zhvillim në kavitetin e saj. Zakonisht janë beninje (jo-kanceroze), megjithatë mund të ndodhë të jenë kanceroze apo të kthehen në të tilla (polipet prekanceroze). Përmasat variojnë nga disa milimetra në disa centimetra.

Sinekia

Sinekia është term që përdoret në rast të pranisë së aderencave në brendësi të kavitetit të mitrës. Këto aderenca janë janë të përbëra nga ind lidhor. Ato mund të shkaktojnë infertilitet pasi dëmtojnë endometriumin, shtresën që vesh brendësinë e kavitetit të mitrës.